
Teknologjia e kohës, nuk u bindet prangave, por depërton me ca sinjale intergalaktike nëpër bashkësinë e njerëzisë që ende jeton e pabarabartë para ligjit dhe logjikës.
Erjon Veliaj, prej disa ditësh, është bërë Elon Musk i fshatit tonë. Nga qelia e betonit me lokacion në Durrës, aty ku Ulsi Manja ka montuar kamera për investigim dhe Edi Rama ka vizatuar hije prangash, Lali Eri, po luan me frymëzimin vizionar të dërgimit të makinave në planetin Mars të Surrelit.
Brenda pak orësh, lajmin e parë e mbyt i dyti, të dytin i treti, e asgjë nuk merret seriozisht, as pasuritë që Musk i fshatit tonë u zbulon prokurorëve e gjykatësve, ministrave e ish ministrave, deputetëve, as kujdesi i kapos së Surrelit për t’i fshehur penjtë e tegelit në tunelin ku jeton me ankth.
Kryeministri kozmik, po mëson gjuhën e planetit Tokë, se si firmat dhe vulat në protokoll, siç thotë një lajm që jeton sa një flutur në lule të mollës, edhe pse vijnë nga një i burgosur, njerëzia i vlerësojnë si mendime të guximshme të një dore të lirë për të shkruar histori.
Historikisht, Ilir Meta mbahet në repartet e librave të drejtësisë, si hajduti më i famshëm, por që pritet të bëhet deputet si shumë të tjerë që janë në lista për t’u rritur si lisa të paprekshëm në pyllin e korrupsionit.
Personalisht, që kur piva kafen e parë me Lali Erin në kinema “Millennium” në Shkodër e ai ishte ende djalosh protestash, nuk ja kam vlerësuar reformimin me shpejtësi rakete, por sot, pas sipërmarrjes së guximshme të një “inxhinieri” që komandon nga distanca administratën e Bashkisë së Tiranës, sa kohë ende është kryetar me votë publike, edhe zhubravitja vjen zbukurohet.
Sido flet i burgosuri Veliaj, besohet më shumë se i flamosuri Rama. Kjo është jeta në Planetin e Mafies.
Teknologjia e kohës, nuk u bindet prangave, por depërton me ca sinjale intergalaktike nëpër bashkësinë e njerëzisë që ende jeton e pabarabartë para ligjit dhe logjikës. Edi Rama, ka rënë në grackën e stilistikës Staliniste.
Prej ditësh, Sulltani ka rënë jo vetëm viktimë e vendimeve të ligjshme të kryebashkiakut të burgosur, por është peng i veprimeve me SPAK-un për mbrojtjen e Olta Xhaçkës, Ilir Metës, Frida Krifcës, Fatmit Mediut, Olsit e Shkëlzenit, e nuk po shkëlqen fare as me batutat e tallavasë në fushatë.
Shkarkimet dhe emërimet në Bashkinë e Tiranës, edhe për ne që kurrë nuk ishim në krah të Erion Veliajt, vlerësohen si elementë të futur me kujdes në kapsulën e të nesërmes.
E ardhja e pushtetit absolut, është në kohën 'tërhiq e mos këput'. Diktatori nuk ka asnjë mik besnik. Nuk njeh ligje, nuk dëgjon, nuk shikon.
Sillet si buf kënete në orbitën e ideologjisë sunduese, përplaset sa në një asteroid oligarkësh të tipit Gjergj Luca, tek një stacion mafiozësh të modelit Olta Xhaçka, duke u bërë gati t’i lëshojë edhe këta si eksperimente për gravitetin e Altin Dumanit.
Yjet që po shkëput vetë Babloku nga Qielli i qeverisjes, për mbijetesën e vet nëpër planetët e interesave dhe vrimave të korrupsionit, janë larg në mos ca ditë, e sigurt ca orë.
Dita ditës, Bablokut ja ndjen, se rënia e kometës së drejtësisë mbi hapësirën ku Erion Veliaj po frymëzohet nga Elon Musk, mund t’i ç’aktivizojë edhe motorët e anulimeve të mosvëmëndjes ndaj kryebashkiakut ende në detyrë, e detyrimisht, realiteti mund të ndryshohet me një kod të padukshëm./Pamfleti
Lini një Përgjigje