Ndërsa Athina godet bandat që vodhën milionat e BE-së, fermerët shqiptarë mbeten pa fondet IPARD dhe pa përgjegjës për skandalin
Një operacion i madh policor në ishullin e Kretës ka rikthyer sërish në vëmendje skandalin e fondeve IPARD dhe kontrastin e fortë mes mënyrës si veprojnë shtetet e rajonit dhe heshtjes që vijon në Shqipëri.
Policia greke arrestoi këtë të hënë 20 persona, pasi autoritetet zbuluan një rrjet kriminal që dyshohet se ka përvetësuar mbi 3 milionë euro subvencione bujqësore të Bashkimit Europian gjatë shtatë viteve të fundit. Në mesin e të arrestuarve janë kontabilistë, fermerë dhe një nëpunës civil, të cilët dyshohet se falsifikonin deklarimet për toka bujqësore për të përfituar padrejtësisht fondet e BE-së.
Operacioni vjen pas hetimeve të Prokurorisë Publike Europiane dhe konsiderohet vetëm një pjesë e skandalit që ka tronditur Greqinë. Më herët, dhjetëra fermerë dhe zyrtarë grekë janë vënë nën hetim për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me fondet europiane, ndërsa Parlamenti grek ka hequr edhe imunitetin e 13 deputetëve të mazhorancës për t’i hapur rrugë ndjekjes penale.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar publikisht përshpejtimin e hetimeve dhe ngritjen e akuzave.
Ndërkohë, në Shqipëri situata mbetet krejt tjetër. Edhe pse prej vitesh Brukseli ka ngritur alarmin për abuzime të mëdha me fondet IPARD, deri më sot nuk ka asnjë zyrtar të arrestuar dhe asnjë akuzë konkrete të ngritur nga SPAK për dosjen që çoi në bllokimin e fondeve për fermerët shqiptarë.
Në qershor të vitit 2021, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, i dorëzoi SPAK-ut një kallëzim penal dhe një raport zyrtar për abuzime masive me fondet IPARD II. Në qendër të akuzave ishte ish-ministrja e Bujqësisë dhe ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.
Sipas denoncimeve dhe hetimeve paraprake, fondet e destinuara për fermerët shqiptarë dyshohej se ishin shpërndarë në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me kriteret e Bashkimit Europian. Por në vend që të kishte pasoja politike apo penale, Frida Krifca u promovua nga kryeministri Edi Rama në post ministror, një lëvizje që asokohe shkaktoi reagime të forta në Bruksel.
Prej afro pesë vitesh, dosja IPARD në Shqipëri vijon të endet në fazë hetimesh paraprake. Vetë Krifca dhe disa ish-zyrtarë janë marrë në pyetje, por deri tani SPAK nuk ka dalë me asnjë përgjegjësi konkrete, ndërsa fondet IPARD vijojnë të mbeten të bllokuara.
Pasojat i vuajnë fermerët shqiptarë.
Ministria e Bujqësisë hapi këtë të hënë aplikimet për Skemën Kombëtare me një fond prej 5.2 miliardë lekësh, ndërsa ministri Andis Salla deklaroi se vetëm në orët e para kishte mbi 5 mijë aplikime.
Por ndryshe nga skemat kombëtare, për programin IPARD III ende nuk ka një afat konkret se kur fondet europiane do të zhbllokohen për Shqipërinë.
“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe kemi çuar të gjithë dokumentacionin. Mbetet në vlerësimin e Komisionit Europian për të ecur në një hap tjetër në IPARD III”, tha sot Salla.
Megjithatë, fakti që Bashkimi Europian ende nuk i ka rikthyer fondet për Shqipërinë shihet si tregues i mungesës së besimit ndaj institucioneve shqiptare dhe mungesës së ndëshkimit për skandalin e IPARD-it.
Ndërsa Greqia arreston, Maqedonia e Veriut dënon me burg zyrtarë dhe konfiskon para, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon ku dosja e fondeve të BE-së vijon pa autorë dhe pa përgjegjës. /Pamfleti
Shtet bandit ky i joni! Cudi shqiptaret, race hajdutesh!