TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë27 Shkurt 2025, 20:07

Çfarë do të ndodhë me SPAK? DASH pa qëndrim për fatin e reformës, Trump vendos në prill

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë do të ndodhë me SPAK? DASH pa qëndrim për
DASH- Altin Dumani

“Pamfleti” ju drejtua me një kërkesë Departamentit të Shtetit mbi një qëndrim për reformën në drejtësi…

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar fondet e huaja, ka trazuar situatën në Shqipëri.

Deri më sot SHBA ishte garanti kryesor i pavarësisë së SPAK, por amerikanët kanë larguar nga Struktura e Posaçme të gjithë ekspertët. Kjo ka bërë që të hedhin valle të korruptuarit në vendin tonë. Sali Berisha ka marrë hov se do ja hedhë paq me drejtësinë, teksa Rama po shfrytëzon rastin për të goditur dhe ushtruar presion ndaj Strukturës së Posaçme.

Por cili do të jetë tani fati i SPAK? “Pamfleti” ju drejtua me një e-mail Departamentit të Shtetit, me këtë përmbajtje: “Në Shqipëri prej vitit 2016 nisi një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe kohët e fundit ka filluar të japë rezultat, pasi shumë zyrtarë të nivelit të lartë janë hetuar apo arrestuar për korrupsion. Por duke qenë se ambasada e SHBA në Tiranë prej më shumë se një viti nuk ka një ambasador, politika ka shtuar presionet ndaj sistemit të drejtësisë. Do të donim një qendrim nga ana juaj, a do të vijojë SHBA nën udhëheqjen e presidentit Trump të mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri?”.

Një zëdhënës i DASH reagoi për “Pamfletin”,  duke mos mbajtur një qendrim për këtë çështje. Ai u shpreh se e kanë kaluar e-mailin tek ambasada e SHBA për një përgjigje, e cila vijon të mbajë të njëjtin qendrim, atë të datës 26 janar, ku i referohen deklaratës për shtyp të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce: “...Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t'u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit”.

Pra çfarë do të ndodhë me drejtësinë? Përgjigja duket se do të vijë në fund të muajit prill ose në fillim të majit. Trump i pezulloi fondet për 90 ditë. Sot ka kaluar 1 muaj nga vendimi dhe mbeten edhe dy të tjerë. Më 26 prill plotësohet afati i urdhrit ekzekutiv dhe në këtë periudhë do të vendoset nëse do të vijojë mbështetja ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ndërkohë qendrimi politik do të vijë pas caktimit të ambasadorit amerikan në vendin tonë. Momentalisht ambasada vijon të jetë pa ambasador dhe tani do të jetë Trump që do të firmosë emrin që do të sjellë në Tiranë. Me ardhjen e tij do të kuptojmë dhe politikën e Trump në Tiranë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje