Ata kanë ndërperë komunikimin, por me fuqinë dhe lirinë e veprimit që i ka dhënë Babloku, ministri Ervin Hoxha ka nisur të inskenojë “lojë të butë e të ngadaltë”, për shkarkimin drejtorit Ilir Proda, duke shfrytëzuar nenin 55 të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, me marifetin e denoncimve të llojit “Nesti Angoni”…
Ndërprerja e komunikimit mes Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, duket se qenka praktikë e ministrit, gjë të cilën e bëri dhe me ish-drejtorin Muhamet Rrumbullaku, kur e spostoi plotësisht nga detyra deri ditën kur u shkarkua me gjoja dorëheqje.
Në kuptimin me të qartë e shqetësues, për shkak të ftohjes dhe egove të Ervin Hoxhës e Ilir Prodës, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, kanë shkëputur marrëdhëniet, duke komunikuar vetëm me shkresa për çështje administrative.
Ministri Ervin Hoxha ka krijuar një ekip me specialistë e zyrtarë të besuar, që kontrollon drejtorinë e policisë, por dhe krye polici Ilir Proda, ka krijuar një ekip me të besuar të tij, dhe raporton te ministri vetëm me shkresa e postë elektronike.
Ligjërisht e politikisht, ministri i Brendshëm është më i fuqishëm se drejtori i policisë, por dhe më i besueshëm te Kryeministri, për motive personale mes tyre, që nga koha kur Ervin Hoxha drejtonte e Hetimin Tatimor, Interpol-Tiranën dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit.
Me këtë fuqi e liri veprimi që i ka dhënë Babloku, ministri Ervin Hoxha ka nisur të inskenojë një “lojë të butë e të ngadaltë”, për shkarkimin e drejtorit Ilir Proda, duke shfrytëzuar nenin 55 të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, me marifetin e denoncimeve të tipit “Nesti Angoni”.
Në nenin 55, pika 2, gërma “d” të ligjit, thuhet: - Ministri i Brendshëm mbikëqyr dhe shqyrton, ankesat që bëhen për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; gjë të cilën ministri Hoxha ka filluar ta bëjë prej muajit dhjetor 2024.
Sipas informacionit, ministri Ervin Hoxha, përveç zyrës së ankesave në ministri dhe zyrës në Agjencinë e Mikëqyrjes policore, ka krijuar dhe ekip me vartës të besuar, që po mbledhin ankesa e denoncime në rrugë zyrtare e jo zyrtare për drejtorin Ilir Proda.
Këto ankesa e denoncime që vijnë nga brenda e jashtë policisë, ka të drejtë t’i trajtojë vetëm ministri Ervin Hoxha duke ruajtur anonimatin e dërguesve, por ato pranohen edhe kur janë anonime, mjafton të kenë një indicie.
Për këto denoncime, mund të konkludojë vetëm ministri nëse janë apo jo të vërteta, dhe nëse çojnë në masa ndëshkuese të lehta apo ekstreme për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që përcaktojnë fatin e tij.
Paralelisht, ministri Ervin Hoxha, ka filluar t’i marrë të gjithë kompetencat funksionale drejtorit Ilir Proda, duke ndërhyrë në pavarësinë operacionale të Policisë së Shtetit; dhe përfshihet vetë në drejtim operacionesh me drejtuesit policorë të qarqeve, duke spostuar drejtorin e përgjithshëm.
Kjo ndërhyrje në kompetencat e krye policit Ilir Proda dhe spostimi i tij, ka krijuar një situatë kaosi e raportesh anti-ligjore mes ministrisë e drejtorisë së policisë, deri në atë çarje shërbimesh e institucionesh, sa 12 drejtorët e policisë të qarqeve kanë filluar t’i binden vetëm urdhërave të ministrit e të raportojnë direkt te ai për çëshje kryesore.
Sipas ligjit, ministri ka detyrë të ushtrojë kontroll administrativ mbi Policinë e Shtetit, të përcaktojë drejtimet strategjike, objektivat, arritjet dhe të merret me buxhetin e policisë.
Por faktikisht, ai po vepron sikur është edhe drejtor policie, duke lënë në hije drejtorin e emëruar, ndërsa drejtuesit e strukturave, shkojnë pas më të fortit dhe i binden vetëm atij./Pamfleti
Lini një Përgjigje