
SPAK synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore...
Prokuroria e Posaçme duket se është bërë pjesë e zgjedhjeve të 11 majit. Edhe pse jo në mënyrë direkte, veprimet e ditëve të fundit dëshmojnë qartë se gara nuk është vetëm mes PS dhe PD, por në mes ka hyrë SPAK dhe në varësi të organit të akuzës varen balancat politike.
Arrestimi i Ilir Metës dhe i Erion Veliajt para zgjedhjeve, ishte lëvizja e parë. Edhe nëse ka qenë pa qëllim, ndalimi i tyre padyshim që ka impakt te vota e 11 majit. Rama e ka nuhatur dhe prandaj është vënë në lëvizje duke u gdhirë dhe duke u ngrysur në Bashkinë e Tiranës, pasi ka frikë se i firojnë votat.
Nga krahu tjetër, me arrestimin e Metës, Partia e Lirisë ka falimentuar, pasi në sondazhe nuk ekziston.
Por ajo që ka trembur Ramën dhe Berishën është grupi që ka ngritur SPAK për zgjedhjet e 11 majit. Rama e cilësoi absurde që të monitorohen partitë, teksa edhe Berisha sot e sulmoi SPAK-un duke mos pasur besim te kjo strukturë se do ndalojë shitblerjen e votës.
Por nëse shoshim drafin e hartuar nga SPAK, ka një element shumë të rëndësishëm, i cili dhe ka nisur të zbatohet sot. SPAK bën me dije se do të vërë në monitorim të gjtrha grupet kriminale, për të mos lejuar ndëhyrjen në zgjedhje.
“Përfshirja e grupeve hetimore në terren për të monitoruar në kohë reale situatat për të cilat mund të ketë indicie për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025. Identifikimi jo vetëm i subjekteve të posaçme apo individëve të përfshirë në korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje, por dhe i grupeve të strukturuara kriminale të cilat dyshohen se ndikojnë në zgjedhje”, thuhet në dokument.

Po ashtu bëhet me dije se kjo strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore. Sipas informacioneve, pritet të ketë përgjime, monitorime në terren dhe kontrolle të shpeshta me nisjen e fushatës.
Të gjithë e dimë se të dyja grupet politike kanë pasur lidhje me bandat. PS kohët e fundit ka dalë hapur, teksa në përgjimet e famshme që u publikuan për dosjet 339 dhe 184 u dëshmua qartë se si krimi mblidhte vota për socialistët. SPAK zotohet të ndalojë këtë gjë dhe si duket kjo e ka shqetësuar Ramën.
Nuk e dimë sa do e arrijë prokuroria, por sot u dha sinjali i parë. Në pranga ra Safet Bajri, një prej emrave të njohur të krimit në Shkodër. Ai shpesh është akuzuar se ka ndërhyrë në fushatë. Madje ish-kryeministri Berisha e ka akuzuar shpesh se dilte me makinë të blinduar për të ushtruar presion në zgjedhje. Sot Bajri u arrestua dhe fakti që ky arrestim ndodhi në prag të zgjedhjeve shton edh një herë dyshimin se SPAK po bëhet pjesë e fushatës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje