Nuk njeh rregulla, nuk njeh moral, nuk njeh frikë e nuk njeh rival, dhe ka vajtur në pikën që nëse kërcënohet pushteti i tij, është vetëm fuqia e tij që do ta fundosë...
Edi Rama, është pasuruar aq shumë, sa e gjithë Bota e njeh si sundues absolut të skandaleve spektakolare, si superfuqi pa ushtri, si trurin e turpit tajfun pa trajtë, që kurrë s’dihet ku “shpërthen”.
Shkarkon shpërfillje revolucionare kundër Republikës që aksidentalisht e përfaqëson, atje ku paqja e Globit përkund prej kohësh edhe djajtë e Ballkanit që ende nuk pranojnë të jetojnë kohën që “para ligjit të gjithë janë të barabartë”
Nuk ka frikë asgjë dhe askënd, as kur lëshon në OKB obsesione paradoksale si “shitjen” e një pjese të territorit të Shqipërisë një sekti fetar, konkretisht bektashinjve.
Pasi pasuron familjen e vet, fuqizon patronazhistët e vet, i pa shqetësuar, vrapon drejt mandatit të katërt, katërcipërisht i korruptuar.
As cipa nuk i plasaritet Ciklopit Centaur.
Ky kalë me kokë njeriu, është bërë tërkuzë e dosjeve të FBI-së dhe tmerri i njerëzisë.
Ka lidhur duart e shqiptarëve dhe gojët e ndërkombëtarëve, saqë është krijuar bindja që edhe të marrë kallashin e të bëhet Haxhi Qamil, diplomatët nuk nxjerrin një llaf kundër tij.
Nuk njeh rregulla, nuk njeh moral, nuk njeh frikë dhe ka vajtur në pikën që nëse kërcënohet pushteti i tij, është vetëm fuqia e tij që do ta fundosë.
Ditët me Edi Ramën kryeministër, askush nuk ka besim se nuk do të jenë secila më e zezë se tjetra.
Ta sisim skandalin sipërfaqësisht.
Momentet që Shqipëria rrezikohet të ndahet në copëza, nuk po i del për zot, asnjë Zot i kësaj toke, sa thua, more, këta miq për çfarë farë sillen këtej, për fiq?!
Kjo nuk na bie e papritur, pasi shqiptarët, edhe pse përbëhen nga disa besime, kanë një Perëndi, shqiptarinë dhe dogmat historikisht pa doganë doktrinare.
Vëllazëri vello të bardhë, thuaj.
Kjo tokë dhe gjithë pasuritë shtresë e mbulesë të saj, janë vjedhur prej 34 vitesh nga 4 Klanet Mafioze që ne i shihnim e nuk i kapnim dot, por që një ambasador amerikan i regjistroi në defterët e drejtësisë.
Donald Lu që u rreshtua në krah të shqiptarëve, sa kohë askush nuk u lakon emrat 4 Klaneve Mafioze, ka ngelë vetëm në përrallat tona, si diplomati i shkurtër që nuk i kapte dot “fiqtë”.
Nuk kanë lënë “fryt” pa ngrënë e “degë” pa thyer katër ketra që kanë kërcyer degë më degë.
Berisha, Nano, Meta dhe Rama, kanë qenë dhe janë më të pasurit e më të fortët e fshatit, sa po të thuash një emër tjetër para tyre, edhe më budallai, të thotë, ej ti që shkruan, paske harruar të pish ilaçet sot!
Kjo katërshe, ka grisur edhe fletët e kujtesës historike dhe e kthen pllakën deri drejt konflikteve ndër fetare, sa Babloku nuk e ka fare problem edhe pse mund ta votojnë kundër, pasi sa të ketë opozitë Sali Berishën dhe Ilir Metën, votat nuk ka rëndësi ku hidhen, por si numërohen.
Heshtja prej varri e trupave diplomatikë, për ne flet më shumë se mediat që shtojnë milionat e dollarëve në garë kush i mbërthen më shpejt kopsat e hapura në pantallonat e Mafies.
Ballë për ballë, sado përpiqemi t’i qortojmë germat e shkrimit tonë për parakalime jo të sigurta, prapë formojnë fantazinë se po, diçka e mirë po vjen, Edi Ramën po e fundos fuqia e vet!
Mjafton të dënohen Berisha dhe Meta, Edi Ramës i shkarkohen “bateritë”./Pamfleti
Lini një Përgjigje