TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Shtator 2024, 10:36

Altin Dumanit i vjedhin krehrin!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Altin Dumanit i vjedhin krehrin!
Altin Dumani /

Amerika ja ka këputur “bishtin” Edi Ramës. Pra, nuk është e mundur sot, që ky t’i bëjë dredha drejtësisë, as të përdridhet pasarelave të politikës e depove të diplomacisë si kafsha më e bukur e pyllit të korrupsionit...

Perioda e lulëzimit të mafies është në perëndim të shkëlqimit, edhe pse kjo vjeshtë po largohet me flokët e pa krehura, duke shpërndarë shëmti mbi borën e dimrit, lulet e pranverës apo diellin e verës.

Vertikalisht, pra pingul, është ngulur zemërimi popullor, ku më i gjati, ish ministri Ilir Beqja, ka humbur “virgjërinë” që ja mori i dyti i fshatit për nga gjatësia.

Ky i dyti, në fakt është i pari, që duhej zënë nga koka e përplasur pas derës së drejtësisë.

Prandaj i janë ngritur leshrat e durimit përpjetë Bablokut e sulmon sa s’mundet më shumë SPAK-un, që besohej se do të pastronte “flokët” e flotës antiamerikane të ankoruar prej 34 vitesh këtu në ballkon të Ballkanit, për t’ju thënë shqiptarëve se po, e krehëm mirë kupolën e korrupsionit dhe mbyllëm me kapak “puset e naftës”, pra shërbimet publike që kanë bërë sheikë të pa brekët e para pak viteve.

Prandaj Babloku e akomodoi Saliun në ballkon, pas perdes politike, ku djajtë dinakë dredhin hashash e bëjnë hasha akuzat ambientale.  

Më thjeshtë, bëjnë betime se nuk është e vërtetë se 4 Klanet Mafioze janë një e të pa ndarë, se pasuritë i kanë me prapavijë politike, se me Amerikën kanë devijim në demonstrimin të devizës me vizime ndarëse drejt finales për një drejtësi të modelit kroat.

Vizat i paskemi lëvizur ne që shprishim djerrinat e ideve idilike dhe thurim përralla se Altin Dumanit dikush ja vodhi krehrin Amerikan qe do të pastronte parazitët e sistemit.

Këtë krehër, edhe pse Yuri Kim ja dorëzoi me ceremoni Altin Dumanit, e njohim edhe si ‘mejkapin’ më të hijshëm të Adriatik Llallës, kur ai zgjodhi shtatorin si shtatore arkitekture të mashtrimit artistik, mes katër stinëve.

Klimën që na rrethon, s’na pengojnë dot patronazhistët ta bëjmë klishe për diçiturën e karikaturës me kaq kontrast në ekranin me “miza” që komandon komandanti katallan e katil.

Edhe Perëndia nga një herë zemërohet. Lëshon breshër mbi të mbjedhat, pra sulmon shtatorin, prish bereqetin dhe shëmton vjeshtën.

Këtu të përqendrohemi pak, tek zemërimi i Zotave.

Mes shirave të vjeshtës, zor të gjesh cili curril ja qulli vulën SPAK-ut; ai i Bablokut, i Non-Gratës apo i Like Floririt.

Ajo që nuk shihet mund të merret me mend sipas librarisë suaj të trurit, se nuk  mëkatohet duke menduar, por ajo që shihet, është se vjeshta jonë u ngjyros me bojë zhgënjimi.

Altin Dumani sot nuk e ka në xhep të vet krehrin që i la amanet Yuri Kim. 

Por për kaq gjë, a mund ta djegim në flakë të Ferrit këtë djalë Dibre, që nuk është më mëkatar se gjithë prokurorët e gjykatësit e tjerë milionerë?!

Fundja, nuk është fundi pse lëkura jonë po dergjet në shtrat të durimit.

Lënda në lëndinën e lëngatës është e pastër, pasi sa më shumë vjedhin këta, resurset shumohen e shikimi nuk i shuhet Shqipërisë.

E kujt po i plasë se ne nuk shohim mjetet e Fatmir Xhafës, vëllait të trafikantit të drogës, që po ndreqin “flokët” në kokë e kohës 34 vjeçare, por zihemi për një krehër?!

A nuk thuhet në Bibël, “siç ka qenë do të jetë, sot e përgjithmonë”?

Pse jo pra, Shkëlzen Berisha dhe Olsi Rama, dy nga emblemat e parazitizmit, të mos thithin edhe qelbin e plagëve në trup të shoqërisë, megjithëse kanë dalë nga leshrat e shëtisin edhe në ballë e faqe të Shqipërisë, si morra të pangopur, ku mund të kapen edhe pa krehrin e Altin Dumanit?!

Në këtë stinë dembele, askush nuk i bashkon thonjtë e gishtave të mëdhenj për t’i shtypur. Këta, dhe të tjerët si këta, vijnë nga koha që fshatarët i vrisnin morrat me thonj, çka vërteton se ishin shtresa defiçitare në pasuri e pastërti.

Mes pisllëkut, kërkojmë një vend për të menduar se, ose Altin Dumanit i kanë vjedhur krehrin Amerikan, ose të gjithë e kanë kokën me morra e po pastrojnë në fshehtësi dosjet e njëri-tjetrit./Pamfleti 

altin dumani i vjedhin krehrin

Lini një Përgjigje