
Ministri i Ekonomisë fshehu procedimin penal për digën e Liqenit, jetesën në Spanjë dhe aktivitetet në emigracion, ndërsa sot përballet me akuza për pastrim parash dhe konflikt interesi…
Më 22 korrik 2022, ministri Blendi Gonxhe u paraqit në SPAK për hetimin ndaj tij lidhur me marrjen e 150 milionë lekëve nga Landfilli i Tiranës dhe miliona lekëve të tjera nga qeveria përmes dhënies me qira të makinave nga kompania e tij “Albarent”, në konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas dokumentit që publikon “Pamfleti”, në bazë të Ligjit Nr. 138, datë 17 dhjetor 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, SPAK ka detyrimin të nisë hetimin kryesisht ndaj Blendi Gonxhes edhe për mashtrim në formularin e dekriminalizimit.
Ministri ka deklaruar se në vitet 1996-1997 ka qenë me studime në Ann Harbour, Michigan, SHBA, por nuk ka specifikuar llojin e studimeve dhe as adresën e banimit. Në vitet 2005-2006 ka deklaruar se ishte emigrant në Itali dhe në vitet 2006-2008 emigrant në Selanik të Greqisë, pa dhënë detajet e adresave të banimit, të cilat janë të detyrueshme me ligj.

Mashtrimi qëndron në faktin se Gonxhe ka fshehur periudhën 2003-2005, kur ka jetuar në Barcelonë të Spanjës, pas arratisjes nga Shqipëria. Në nëntor 2002 ndaj tij ishte nisur procedim penal për hapjen e qëllimshme të digës së Liqenit të Tiranës, që përmbyti 180 banesa, 150 biznese, 90 bodrume dhe qindra automjete.
Në CV si ministër, Gonxhe është përpjekur të mashtrojë duke pretenduar se gjatë vitit 2003 punonte si këshilltar i fondacioneve “Rothschild” dhe “Packard” në Shqipëri, ndërkohë që ai kishte ikur në Barcelonë nga frika e ndjekjes penale.
Pyetja që lind është përse i trembet deklarimit të kësaj periudhe dhe çfarë aktivitetesh ka kryer në Spanjë, si edhe nëse ka dosje të hapura në policinë spanjolle.
Në maj 2005 ai u rikthye në Shqipëri, pasi Fatos Nano dhe Ilir Meta i kishin garantuar mbylljen e dosjes në Prokurorinë e Tiranës. Përfshihet menjëherë në fushatën elektorale të PS-së dhe më 8 maj 2005 dha një intervistë për suplementin “Bulevardi VIP” të Gazetës Shqiptare me titull “Rama nuk fiton dot pa Metën e Nanon”.

Pas humbjes së zgjedhjeve, Gonxhe u largua sërish nga frika e ndëshkimit nga Sali Berisha. Nga viti 2005 deri më 2006 jetoi në Itali dhe më pas deri në vitin 2008 në Greqi, duke deklaruar vetëm statusin e emigrantit, pa shpjeguar se me çfarë punësh është marrë. Në vitin 2008 rikthehet në Shqipëri pasi kishte bërë paqe me Sali Berishën dhe kishte marrë garanci për paprekshmëri.
Filloi të investonte në ndërtim dhe karburante, ndërsa në shtator 2009 krijoi kompaninë “Albarent Sh.p.k”, me aktivitet në transport udhëtarësh dhe mallrash, agjenci turistike, dhënie makinash me qira dhe shërbime taksie.
Këto të dhëna të pasakta dhe të manipuluara përbëjnë indicie të mjaftueshme për SPAK që të nisë hetimin për aktivitetet e Blendi Gonxhes në Spanjë, Itali dhe Greqi, përmes letër-porosive dhe verifikimit të burimeve të pasurisë që ai ka investuar pas kthimit në Shqipëri./Pamfleti
Lini një Përgjigje