Nëse do na lexonit në kohë, viktimat do ishin më pak. Sot është vonë!
Pamfleti nuk i shkruan paralajmërimet kot. Ne e kemi thënë 50 ditë më parë se në Tiranë po funksionon një bazë mashtrimi ndërkombëtar me kripto, nën emrin XUEX, që po rrjepte qytetarë shqiptarë dhe të huaj.
E kemi bërë publike me fakte, me dokumente, me investigim. Ndërkohë, Policia e Shtetit, e drejtuar nga zoti Ilir Proda, bëri sikur nuk e dëgjoi. Heshti! Dhe sot, pas dy muajsh, me një vonesë kriminale, na thotë se paska nisur hetimet për skemën TXEX, dhe se duhet të bëjmë kujdes.
Nuk ka asgjë për të festuar. Ky nuk është sukses i policisë, është turpi i saj. Sepse kur paralajmërimi del në media dhe kalojnë 50 ditë pa veprim, atëherë nuk kemi të bëjmë me hetim, por me një reagim ceremonial. Ndërkohë qytetarët futen në grackë, humbasin kursimet, e krimi digjital thellohet. Policia zgjohet vetëm për të dalë me një njoftim dhe për të thënë se “po heton”. Po çfarë vlere ka një hetim i nisur pasi viktimat janë masivizuar?
Në vend që të jenë një hap përpara, institucionet tona janë gjithmonë dhjetë hapa prapa. Dhe jo nga padija. Nga indiferenca, nga paaftësia, nga lidhjet që pengojnë çdo reagim në kohë. Pamfleti bëri punën e vet: paralajmëroi. Policia nuk bëri detyrën e saj: nuk i mbrojti qytetarët.
Prandaj themi, Zoti Proda, na lexo ndonjëherë. Sepse nëse do të kishit lexuar në kohë atë që paralajmëruam, sot nuk do të flisnim për kaq shumë viktima, por për parandalim. Dhe ky është dallimi midis medias që denoncon dhe shtetit që bën sehir./Pamfleti
Lini një Përgjigje