
Pas çdo “bojkoti” dhe deklarate për mosnjohje, Berisha përfundon në Parlament, duke njohur de facto zgjedhjet dhe duke i dhënë oksigjen politik Ramës…
Sali Berisha e ka komanduar PD-në edhe gjatë 8 viteve kur kryetar formal ishte Lulzim Basha. Kryesia dhe Këshilli Kombëtar nuk zgjidheshin, nuk mblidheshin dhe nuk merrnin asnjë vendim pa urdhrin e tij. Faktet tregojnë se gjatë gjithë kësaj periudhe Berisha nuk e ka shkëputur lidhjen aktive me Edi Ramën. Përkundrazi, që prej ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008, që kaloi listat e mbyllura, ai i ka zgjeruar e thelluar pazaret me të, madje edhe pas zgjedhjeve të 11 majit.
Pas humbjes së katërt radhazi të PD-së, Berisha aktron sikur denoncon vjedhjen e votave. Por videot që ai vetë publikoi tregojnë se ishin komisionerët demokratë ata që mbushnin kutitë në favor të PS-së dhe kandidatëve të saj. Në të njëjtën linjë shkon edhe miratimi i Kodit Zgjedhor në bashkëpunim me Ramën: provë se Berisha është një pazarxhi i vjetër, që përdor PD-në për interesat e tij personale.
Deklaratat e tij të përsëritura se nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit bien ndesh me realitetin: nëse nuk i njeh, pse duhet të hyjë në seancën e parë parlamentare dhe të bëjë betimin? Në konferencën e fundit për shtyp, kur u pyet nëse Gazmend Bardhi do të jetë kryetar i grupit parlamentar, Berisha dha një miratim të nënkuptuar. Pra, hyrja e PD-së në parlament është fakt, e bashkë me të njohja e rezultatit që e bëri Ramën sërish kryeministër.
Deputetët e PD-së përsërisin refrenin e Berishës për mosnjohjen e zgjedhjeve, por në të njëjtën frymë thonë se “betejën do ta bëjnë brenda parlamentit”. Madje, janë nisur edhe kontaktet me Kryesinë e Kuvendit për postin e nënkryetarit, për drejtimin e grupit parlamentar dhe për caktimin e anëtarëve në komisionet parlamentare. Këto janë lëvizje të qarta njohjeje “de facto” të zgjedhjeve, ndërsa aktrimi i Berishës me britma në seanca e djegie karrigesh është vetëm fasadë për militantët.
Deputetët do të marrin paga e dieta të majme, ndërsa demokratët, si prej 16 vitesh, do të vazhdojnë të “hanë bar” nën komandën e një kryetari që nuk e lëshon kurrë frenën./Pamfleti
Lini një Përgjigje