
Si po e mbron dibranin Rakip Suli, dibrani Altin Dumani; i bllokoi hetimin 26 milionë Euro korrupsion...
Një nga drejtuesit e pushtetit lokal, i nën hetim nga SPAK, është Kryetari i Bashkisë Kamzë, Rakip Suli. Ai u kallëzua në muajin shkurt dhe shtator 2023 për korrupsion në tenderë, falsifikim dokumentesh, vjedhje fondesh dhe pasurish në bashkëpunim, me mbështetje edhe në raportin e KLSH-së.
Korrupsioni nuk është thjesht shkelje morale, por një marrëdhënie pazarash ku përfitojnë të dyja palët: pushtetari që jep tenderët dhe përfituesit që marrin kontratat me gara fiktive, favorizime financiare dhe paracaktim fituesi, shpesh kundrejt ryshfetit.
Për këto veprime, në shkurt 2023, Rakip Suli u kallëzua me prova dhe u vu nën hetim nga SPAK. Më 11 shtator 2023, një grup banorësh të Kamzës depozitoi kallëzim tjetër penal me prova të reja për korrupsion dhe mashtrim në investime publike, si shkolla, rrugë, ujësjellës, kopshte dhe banesa të rindërtuara pas tërmetit.
Megjithatë, dy hetimet, të bashkuara në një dosje për shkak të objektit të ngjashëm të akuzave, nuk janë zhvilluar sipas Kodit të Procedurës Penale. Afati i hetimit paraprak dhe procedimit penal ka kaluar mbi 20 muaj, dhe çështja nuk ka shkuar në gjykatë.
Palët kallëzuese kanë kërkuar sqarime nga SPAK, por nuk kanë marrë asnjë informacion mbi ecurinë e hetimit. Brendësia e institucionit tregon se kryebashkiakun po e mbron Altin Dumani në marrëveshje me katër prokurorë të SPAK-ut.
Dosja e Rakip Sulit përmban prova korrupsioni dhe vjedhjeje në vlerën e 26 milionë eurove: 20 milionë euro abuzime në tenderë dhe ankande, ndërsa 6 milionë euro janë të lidhura me qiratë dhe pjesën 3% të sipërfaqeve ndërtimore për strehim social, që nuk iu morën kompanive të ndërtimit.
Kryebashkiaku Suli është thirrur në SPAK më 3 maj dhe më 6 dhe 8 nëntor 2023, por çështja mbetet pezull dhe ai vazhdon abuzimet me pasuritë publike. Prej më shumë se dy vitesh nuk ka vendim penal për të, dhe SPAK nuk ka dhënë asnjë informacion për ecurinë e dosjes, megjithëse mediat dhe qytetarët e kanë pyetur për këtë në faqen zyrtare të institucionit.
Aq sekret mbahet procesi hetimor për Rakip Sulin, sa nuk dihet kush është prokurori i çështjes, edhe pse ligji e kërkon publikimin e të dhënave për akuzën dhe nenet mbi të cilat bazohet. Nuk pritet që dosja të çojë në gjykatë përpara 15 dhjetorit 2025, kur i përfundon mandati Altin Dumanit si drejtues i SPAK./Pamfleti
Kemi edhe shume pakenqesi te tjera qe nuk kemi ku drejtohemi.