TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Janar 2026, 13:45

Zhdukja misterioze e oligarkut rus në Qipro: Aksident, rrëmbim apo prapaskenë e rrezikshme?

Shkruar nga Pamfleti

Zhdukja misterioze e oligarkut rus në Qipro: Aksident, rrëmbim apo

Autoritetet qipriote po hetojnë zhdukjen e Vladislav Baumgartner, 56 vjeç, ish-drejtor ekzekutiv i gjigantit rus të plehrave kimike “Uralkali”, i cili rezulton i zhdukur që prej së mërkurës, 7 janar, nga banesa e tij në zonën Pissouri, në Qipro.

Baumgartner është një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të biznesit dhe politikës, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit 2013, kur ai u arrestua në aeroportin e Minskut, në Bjellorusi, dhe u mbajt në paraburgim në kulmin e një konflikti të ashpër mes Rusisë dhe qeverisë bjelloruse. Arrestimi i tij lidhej me përplasjen mes kompanisë ruse “Uralkali” dhe ndërmarrjes shtetërore bjelloruse “Belaruskali”, pas vendimit të Uralkalit për t’u tërhequr nga karteli i përbashkët i potasit.

Në atë kohë, Baumgartner u akuzua për shpërdorim detyre dhe u ekstradua në Moskë në nëntor të vitit 2013, ku u vendos në arrest shtëpie dhe më pas u shkarkua nga drejtimi i Uralkalit. Akuzat ndaj tij u rrëzuan përfundimisht në vitin 2015, por çështja u konsiderua gjerësisht si një “peng politik” në kontekstin e marrëdhënieve mes Vladimir Putinit dhe Aleksandr Lukashenkos.

Operacion kërkim-shpëtimi në zonë të rrezikshme

Operacioni për gjetjen e Baumgartner është përqendruar në një zonë bregdetare të thyer dhe të pjerrët pranë Pissouri-t, ku telefoni i tij celular ka transmetuar sinjalin e fundit. Në kërkime janë angazhuar forcat e policisë, Mbrojtja Civile dhe grupe vullnetare.

Përpjekjet e ekipeve të shpëtimit janë vështirësuar ndjeshëm nga stuhitë e forta që kanë goditur ishullin ditët e fundit. Megjithëse një helikopter policie dhe dronë u përdorën të dielën, operacioni u pezullua përkohësisht për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe ka rifilluar sot, sipas raportimeve të medias greke “Protothema”.

Policia e përshkruan Baumgartner si një burrë rreth 1.90 metra i gjatë, me trup të hollë dhe flokë gri. Kur u pa për herë të fundit, ai ishte i veshur me bluzë të zezë dhe pantallona të zeza. Autoritetet kanë bërë thirrje që kushdo që ka informacion të kontaktojë Departamentin e Policisë së Limasolit.

Lidhjet e Belaruskalit me Qipron

Sipas një raportimi të “Politico”, në mars të vitit 2022, Komisioni Evropian ndaloi importin e potasit bjellorus në Bashkimin Evropian, për shkak të mbështetjes së Bjellorusisë ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Pas këtij vendimi, “Belaruskali” zhvendosi eksportet e saj, me vlerë rreth 2 miliardë euro në vit, nga porti lituanez i Klaipėdës drejt portit të Shën Petersburgut në Rusi.

Një hulumtim i Qendrës Bjelloruse të Kërkimeve (BIC) zbuloi se rregulloret e reja çuan në kontrata të mëdha mes “Belaruskali”-t dhe një kompanie me seli në Qipro. Konkretisht, në vitin 2023, kompania bjelloruse punësoi “Dimicandum Invest Holding”, e regjistruar në Qipro, për të transportuar potasin nga vagonët hekurudhorë në anije në portin rus.

Dokumentet e siguruara nga BIC tregojnë se “Belaruskali” pranoi të paguante 68 milionë dollarë për transportin e 3.4 milionë tonëve potasë, ose rreth 20 dollarë për ton, ndërkohë që tarifa reale e portit për këto shërbime ishte rreth 11 dollarë për ton.

Dyshime për lidhje me “luftën në hije” Kerimov–Kadyrov

Një tjetër dimension i rëndë i kësaj zhdukjeje vjen nga platforma kërkimore “Fact in Face”, e cila sugjeron se rasti i Baumgartner mund të mos jetë i izoluar. Sipas këtij burimi, zhdukja e tij mund të lidhet me konfliktin e ashpër dhe të dhunshëm për pushtet mes kampeve të oligarkut rus Suleiman Kerimov dhe udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov.

Baumgartner përshkruhet si një bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i hershëm i Kerimovit. Sipas “Fact in Face”, ai u zhduk më 7 janar pasi doli nga banesa e tij në Limasol për një takim pune, duke pasur me vete vetëm telefonin e punës, i cili ka qenë aktiv deri më 8 janar. Ekzistojnë gjithashtu indicie se telefoni është përdorur nga një palë e tretë përpara se të çaktivizohej.

Për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë në ndërtesën e zyrës së tij, familjarët janë detyruar të mbledhin pamje nga kamerat private të banesave përreth, të cilat u janë dorëzuar autoriteteve qipriote. Gjurmët e fundit të telefonit janë lokalizuar pikërisht në zonën e Pissouri-t, ku vijojnë kërkimet.

“Fact in Face” i hedh poshtë si të parakohshme skenarët e vetëvrasjes, duke theksuar se familjarët e përshkruajnë Baumgartner si një njeri aktiv, optimist dhe me plane të qarta profesionale për vitin 2026, pa asnjë shenjë të sjelljeve vetëshkatërruese.

Sipas këtij burimi, ndonëse konflikti mes Kerimovit dhe Kadyrovit thuhet se është “ngrirë” pas ndërhyrjes informale të Kremlinit, përplasjet anësore nuk janë shuar. Përkundrazi, individë të afërt me njërin kamp, si Baumgartner, mund të mbeten objektiva të cenueshëm në këtë luftë të errët për pushtet.

Hetimet për zhdukjen e Vladislav Baumgartner vijojnë, ndërsa autoritetet qipriote nuk përjashtojnë asnjë pistë.

Zhdukja misterioze e oligarkut rus në Qipro: Aksident, rrëmbim apo

urakali oligarku rus zhdukja qipro

Lini një Përgjigje