TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Janar 2026, 08:26

Jeton në SHBA, por emri i tij kërkohet në atdhe; kush është Shahu Pahlavi që mund të udhëheqë një Iran të ri?

Shkruar nga Pamfleti

Djali i shahut të fundit ka kaluar nga mbështetja e mosbindjes civile në thirrjen për marrjen e drejtpërdrejtë të qendrave të qyteteve, duke u akuzuar për “terrorizëm” nga Irani.

Jeton në SHBA, por emri i tij kërkohet në atdhe; kush
Reza Pahlavi

Në rrugët dhe sheshet e Teheranit, ndër thirrjet e shumta të protestuesve, shpesh dëgjohet një emër që tingëllon nga e kaluara: Reza Pahlavi.

Një pjesë e protestuesve, që prej dy javësh marshojnë në 31 provincat e Iranit, e shohin të birin e fundit të Shahut të dëbuar si shpresë kundër Republikës Islamike.

Vetë Pahlavi, i cili jeton në SHBA, tenton të mobilizojë masat si një lider nga larg, për një lëvizje që nuk ka udhëheqës të qartë, pasi shumica janë në burg.

I lindur në Teheran në 1960, si djali i parë pas dy martesave të babait Mohammad Reza Pahlavi, Reza u përgatit që nga fëmijëria të ngjitej në fron. Studimet i përfundoi në Iran dhe më pas jetoi si princ në pallatet mbretërore, derisa në moshën 17-vjeçare shkoi në Teksas për t’u bërë pilot avionësh luftarakë.

Revolucioni i vitit 1979 e detyroi familjen të largohej, ndërsa ai ndoqi nga larg fundin e monarkisë dhe vdekjen e babait në Kajro. Në SHBA studion shkenca politike, martohet me Yasmine, një avokate iraniano-amerikane me të cilën ka tre vajza: Noor, Iman dhe Farah. 

Jeta e tij është shoqëruar edhe me tragjedi familjare: dy vëllezër dhe motra e tij e vogël ndërrojnë jetë.

Jeton në SHBA, por emri i tij kërkohet në atdhe; kush
Djali i shahut të fundit të Iranit, Princit të Kurorës në mërgim Reza Pahlavi, majtas, me Ministrin Izraelit Gila Gamliel në Muzeun e Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem, 17 prill 2023

Sot, në moshën 65-vjeçare, ai është i vetmi trashëgimtar mashkull i dinastisë. Reza ka tentuar të luajë rol politik në disa periudha: në vitin 1980 me një “kurorëzim simbolik” në Kajro, dhe më 2013-ën duke themeluar Këshillin Kombëtar për Zgjedhje të Lira, pa sukses të qëndrueshëm. Emri i tij ka spikatur herë pas here në protestat e 2017-ës, 2019-ës dhe 2022-it, duke u bërë më i dukshëm gjatë lëvizjes |Gratë, Jeta, Liria”.  

Pas luftës 12-ditore me Izraelin, ku humbën shumë gjeneralë iranianë, Pahlavi deklaroi nga Parisi se është gati të udhëheqë një qeveri tranzicioni, jo për të rikthyer të kaluarën, por për të garantuar një të ardhme demokratike.

Emri i tij ndan opinionin publik: për mbështetësit e monarkisë simbolizon modernizim dhe lidhje me Perëndimin, për të tjerët, kujton censurën dhe represionin e kohës së babait.

Reza refuzon dhunën dhe promovon referendum e tranzicion paqësor. Ai ka marrë përkrahje nga Izraeli dhe nuk synon fronin, por zgjedhje të lira, sundim ligjor dhe të drejta për gratë. Megjithatë, kritikuar si i lidhur me fuqitë e huaja dhe i papërgatitur për sfidat e brendshme, mbështetësit e shohin si udhëheqësin e vetëm aktual. Në familjen e tij ka edhe një moment të bujshëm: vajza Iman u martua me Bradley Sherman, një biznesmen hebre amerikan. Martesa solli spekulime, por në fakt pasqyron marrëdhëniet e ngrohta të Pahlavit me Izraelin. Ai ka vizituar vendin, është takuar me zyrtarë dhe ka shprehur “miqësi dhe përkujdesje për lidhjet historike” mes dy vendeve. 

Në Iran, reagimet ndaj emrit të tij mbeten të përziera.

Disa shohin në të mundësinë e një kthimi të modernizmit, të tjerët nuk pranojnë të drejtojë një ish-princ që lidhet me një qeverisje autokratike. Kur filloi lufta e qershorit, ai nuk e dënoi sulmin izraelit, duke habitur shumë iranianë që kërkojnë ndryshim pa dhunë.

Pak vite më parë kishte deklaruar se do të kthehej në Iran “part-time”, gjë që rrit skepticizmin mbi angazhimin e tij.

Megjithatë, represioni i qeverisë ka ndryshuar perceptimin mbi të, dhe për shumë iranianë ai shihet tani si alternativa më e mundshme, edhe pse nuk ka mbështetje të gjerë apo organizim të fortë.

Masakra në Iran

Numri i të vdekurve në Iran është rritur, sipas grupit të të drejtave të njeriut me seli në SHBA, i cili ka ndjekur numrin e viktimave mes protestave të përhapura kundër regjimit në vend.

Të paktën 544 persona janë vrarë gjatë demonstratave gjatë 15 ditëve të fundit, përfshirë tetë fëmijë, sipas një përditësimi nga Agjencia e Re e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), shërbimi i lajmeve i organizatës Aktivistë të të Drejtave të Njeriut në Iran.

Agjencia raportoi gjithashtu se më shumë se 10,681 individë janë transferuar gjithashtu në burgje pas arrestimit.

Irani ka qenë jashtë linje për më shumë se 84 orë pasi autoritetet mbyllën aksesin në internet dhe linjat telefonike.

Ndërprerja në të gjithë vendin e aksesit në internet dhe linjave telefonike nga autoritetet e ka bërë të vështirë të kuptohet shkalla e plotë e asaj që po ndodh në terren, përfshirë numrin e plotë të viktimave nga protestat masive antiqeveritare.

Ndërkohë Garda Revolucionare e Iranit ka dënuar mbështetjen e SHBA-së për protestat, duke e quajtur atë ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në punët e brendshme të Iranit.

“Kryengritjet dhe mizoritë e fundit të kryera nga protestuesit dhe terroristët e armatosur në të gjithë vendin, të cilat kanë çuar në martirizimin e qindra njerëzve dhe mbrojtësve të sigurisë së Iranit tonë të dashur, janë në fakt një zgjatim i luftës 12-ditore të imponuar nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi kriminal sionist, dhe një akt barbar hakmarrjeje për disfatën historike në atë fushëbetejë të madhe”, tha Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), në një deklaratë.

kush është shahu pahlavi

Lini një Përgjigje