Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet normalisht në të gjitha misionet e planifikuara jashtë vendit.
Në konferencën e dytë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi i votimit tashmë është aktiv në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”, tha Elezi.
Sipas të dhënave të prezantuara nga KQZ-ja, deri në orën 13:00 kanë votuar 10,804 qytetarë nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar në 26 përfaqësi diplomatike.
Kjo përfaqëson një pjesëmarrje prej 38.97 për qind të elektoratit të regjistruar për votim jashtë vendit.
KQZ pritet të publikojë të dhëna të reja mbi ecurinë e procesit gjatë orëve në vijim.
Lini një Përgjigje