Për një lidere që dikur konsiderohej aleatja më e afërt e Trump në Evropë, situata paraqet një paradoks të qartë, për të ruajtur mbështetjen e votuesve italianë, Meloni mund të detyrohet të zhgënjejë Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po përballet me një sfidë gjithnjë e më të vështirë politike dhe ekonomike, që po e detyron të largohet gradualisht nga afërsia që kishte ndërtuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas një analize të publikuar nga POLITICO, Meloni, e cila gjatë vitit të parë të presidencës së dytë të Trump ishte pozicionuar si një urë lidhëse mes Evropës dhe lëvizjes politike MAGA, po përballet tani me pasojat ekonomike dhe politike të kësaj marrëdhënieje.
Gjatë vitit 2025, Trump e kishte vlerësuar publikisht Melonin si një udhëheqëse “shumë të respektuar” dhe “mikeshë”. Megjithatë, lufta në Iran dhe pasojat e saj ekonomike kanë ndryshuar ndjeshëm klimën politike në Itali. Shumë familje italiane fajësojnë politikat amerikane për rritjen e kostove të energjisë, ndërsa kërkesat e Uashingtonit për rritje të shpenzimeve ushtarake po hasin kundërshtim në rritje.
Në muajt e fundit, Meloni ka nisur të mbajë qëndrime më kritike ndaj Trump. Ajo ka shprehur publikisht mospajtime me presidentin amerikan dhe ka kufizuar përdorimin e një baze ajrore italiane nga avionët amerikanë. Ky ndryshim reflekton edhe opinionin publik në Itali. Një sondazh i Ipsos në muajin maj tregoi se 77 për qind e italianëve kanë një opinion negativ për Trump.
Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet mbrojtja. Aktualisht Italia shpenzon rreth 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, ndërsa Trump po kërkon që vendet anëtare të NATO-s ta rrisin këtë nivel në 5 për qind deri në vitin 2035. Meloni e ka mbështetur objektivin, por ekonomia italiane po përballet me vështirësi dhe opozita argumenton se vendi ka prioritete më urgjente sesa rritja e buxhetit ushtarak.
Antonio Misiani, senator i Partisë Demokratike dhe ish-zëvendësministër i Financave, e cilësoi objektivin e NATO-s si të paarritshëm për Italinë. Sipas tij, pretendimi se Meloni mund të shërbente si urë mes Evropës dhe Trump nuk ka funksionuar.
Edhe brenda koalicionit qeverisës ka zëra kritikë. Senatori Claudio Borghi nga partia Liga deklaroi se është e vështirë t’u shpjegohet qytetarëve pse duhet të financohen tanket ndërsa familjet përballen me fatura të larta energjie.
Meloni, nga ana e saj, argumenton se Italia nuk mund të heqë dorë nga angazhimet e saj të sigurisë. Në një fjalim para federatës kryesore të biznesit në Itali, ajo tha se një vend që nuk është në gjendje të mbrojë veten humbet autonominë dhe aftësinë për të mbrojtur interesat kombëtare. Sipas saj, shpenzimet për mbrojtjen janë “çmimi i lirisë”.
Ndërkohë, sfidat ekonomike po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Programi prej afro 200 miliardë eurosh për rimëkëmbjen pas pandemisë po shkon drejt përfundimit, produktiviteti mbetet i dobët dhe financat publike po monitorohen më nga afër nga Bashkimi Evropian. Kjo situatë po dobëson pozicionin politik të Melonit, ndërsa opozita po sheh mundësi reale për të sfiduar qeverinë në zgjedhjet e vitit 2027.
Qeveria italiane kishte planifikuar të përdorte 15 miliardë euro kredi nga programi evropian SAFE për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2030. Megjithatë, niveli i lartë i deficitit buxhetor po e vështirëson marrjen e këtyre fondeve. Burime politike cituar nga POLITICO thonë se Roma po shqyrton mundësinë e kërkimit të vetëm rreth 5 miliardë eurove nga fondi i planifikuar fillimisht.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të detyrojë rishikimin e dhjetëra projekteve të industrisë së mbrojtjes që janë planifikuar në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Mbrojtjes.
Ish-ambasadori italian në NATO, Stefano Stefanini, vlerëson se niveli i lartë i borxhit dhe deficitit nuk i lë Melonit shumë hapësirë për të përshpejtuar shpenzimet ushtarake. Ai beson se Italia mund të përballet me kritika nga Uashingtoni, por jo domosdoshmërisht me një përplasje të plotë me Shtëpinë e Bardhë.
Sipas analistit Beniamino Irdi nga German Marshall Fund, debati në Itali nuk zhvillohet mes armatosjes dhe çarmatimit, por mes ruajtjes së besueshmërisë strategjike dhe qëndrueshmërisë politike të brendshme. Ai shton se administrata Trump e vlerëson besnikërinë e aleatëve kryesisht përmes shifrave dhe jo argumenteve politike.
Megjithatë, disa analistë mendojnë se një përplasje me Trump mund të mos jetë domosdoshmërisht e dëmshme për Melonin. Duke qenë se presidenti amerikan mbetet jopopullor në Itali, kritikat e mundshme nga Uashingtoni mund ta forcojnë pozicionin e saj përpara elektoratit italian.
Për një lidere që dikur konsiderohej aleatja më e afërt e Trump në Evropë, situata paraqet një paradoks të qartë, për të ruajtur mbështetjen e votuesve italianë, Meloni mund të detyrohet të zhgënjejë Shtëpinë e Bardhë.
Lini një Përgjigje