TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Qershor 2026, 13:14

Ballkani Perëndimor më pranë heqjes së roamingut me BE-në

Shkruar nga Pamfleti
Ballkani Perëndimor më pranë heqjes së roamingut me
Foto Ilustrim

Shqipëria dhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë afruar më shumë drejt heqjes së tarifave të roamingut me Bashkimin Europian. Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së kanë dhënë miratimin për nisjen e negociatave me vendet e rajonit.

Sipas burimeve jozyrtare nga Këshilli i BE-së, vendimi i hap rrugë bisedimeve me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për shërbimet e roamingut në rrjetet publike të telefonisë celulare.

Këshilli i BE-së pritet ta miratojë zyrtarisht vendimin më 4 qershor. Pas këtij hapi, negociatat mund të nisin veçmas me secilin vend të Ballkanit Perëndimor.

Presidenca qipriote e Bashkimit Europian e ka cilësuar zgjerimin e zonës pa roaming si një sinjal të qartë të angazhimit të BE-së ndaj rajonit dhe mbështetjes për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Vendimi lidhet me hapjen e negociatave për marrëveshje sektoriale mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të rajonit, me fokus roamingun në rrjetet publike të komunikimeve mobile.

Komisioni Europian propozoi në shkurt që skema “Roam Like at Home” të shtrihet edhe në Ballkanin Perëndimor. Institucionet europiane synojnë që negociatat të përmbyllen deri në fund të vitit.

Nëse procesi ecën sipas parashikimeve, qytetarët shqiptarë do të mund ta përdorin telefonin në vendet e BE-së me të njëjtat tarifa si në Shqipëri, pa pagesa shtesë për telefonata, mesazhe apo internet celular.

Skema “Roam Like at Home” zbatohet në Bashkimin Europian që nga viti 2017 dhe vlerësohet si një nga nismat më të prekshme të BE-së për qytetarët.

Në skenarin më të mirë, tarifat e roamingut mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian mund të hiqen që vitin e ardhshëm.

ballkani perëndimor më pranë heqjes së roamingut me be-në

Lini një Përgjigje