Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se marrëdhënia e tij me liderin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duket pozitive, edhe pse ky i fundit nuk është shfaqur në publik që prej nisjes së konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Gjatë një interviste për Neë York Post, Trump u pyet për gjendjen shëndetësore të ajatollahut dhe la të kuptohet se informacionet që ka marrë nuk janë inkurajuese.
“Nuk po dëgjoj se është në gjendje shumë të mirë", tha ai.
Presidenti amerikan iu referua më pas raportimeve që kanë qarkulluar lidhur me gjendjen e Khameneit.
“Nëse u besoni historive, ai, e dini, i mungojnë shumë pjesë të ndryshme,” tha presidenti.
Mediat kanë raportuar më herët se Mojtaba Khamenei është plagosur rëndë gjatë valës së parë të sulmeve amerikane kundër Iranit, në të cilat humbi jetën edhe babai i tij, Ali Khamenei.
I pyetur se kush po drejton aktualisht vendimmarrjen në Iran, Trump tha se beson se Khamenei vazhdon të luajë rol në proces dhe gëzon mbështetje të konsiderueshme brenda vendit.
“Epo, ata thonë se ai po jep miratimin, sepse kështu ka qenë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Babai i tij dhe pastaj ai; besoj se është një trashëgimi pushteti. Por duket se po shkojmë mjaft mirë me njëri-tjetrin”, tha presidenti.
Trump u shpreh gjithashtu i hapur për një takim të mundshëm me liderin iranian, nëse zhvillimet e ardhshme do ta lejojnë një gjë të tillë.
“Do të doja ta takoja. Me shumë gjasa do të takohemi në një moment, varësisht se si do të zhvillohen gjërat,” tha Trump.
Lini një Përgjigje