Prokurori special, Jack Smith ka mbajtur një konferencë për shtyp pas zbardhjes së aktakuzës ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe një prej ndihmësve të tij.
Ai ju bëri thirrje amerikanëve të lexojnë aktakuzën kundër ish-presidentit Trump, teksa shtoi se ka ligje që mbrojnë informacionin e mbrojtjes kombëtare që janë kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe se ato duhet të zbatohen.
“I ftoj të gjithë ta lexojnë plotësisht për të kuptuar shtrirjen dhe peshën e krimeve të akuzuara. Ne kemi një grup ligjesh në këtë vend dhe ato zbatohen për të gjithë. Kjo është ajo që përcakton rezultatin e një hetimi. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Angazhimi i kombit tonë për sundimin e ligjit përbën një shembull për botën. Ne kemi një grup ligjesh në këtë vend dhe ato zbatohen për të gjithë", tha Smith, duke shtuar se zyra e tij i zbatoi ato ligje dhe mblodhi fakte gjatë rrjedhës së hetimit.
Smith gjithashtu lavdëroi prokurorët në zyrën e tij dhe tha se të pandehurit në këtë rast prezumohen të pafajshëm derisa të provohet fajësia dhe shtoi se zyra e tij do të kërkojë një gjyq të shpejtë.
"Ata e kanë hetuar këtë çështje sipas standardeve më të larta etike dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë ndërsa çështja do të vazhdojë. Është shumë e rëndësishme për mua të theksoj se të pandehurit në këtë rast duhet të prezumohen të pafajshëm derisa të provohet fajësia përtej një dyshimi të arsyeshëm në gjykatë. Për këtë qëllim, zyra ime do të kërkojë një gjykim të shpejtë për këtë çështje, në përputhje me interesat e publikut dhe të drejtat e të akuzuarve”, tha ai.
Ish-presidenti, Donald Trump akuzohet se u ka treguar dokumente të klasifikuara në dy raste njerëzve të pa-autorizuar dhe për mbajtjen pa leje të dokumenteve sekrete. Ai përballet me gjithsej 37 akuza, duke përfshirë 31 akuza për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Gjithsej nëse dënohet, ai rrezikon deri në 20 vite burg.
Lini një Përgjigje