TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Qershor 2023, 09:30

Wagner i shpalli luftë, reagon Putin: Kjo është thikë pas shpine, do mbrojmë popullin rus nga çdo kërcënim!

Shkruar nga Pamfleti

Wagner i shpalli luftë, reagon Putin: Kjo është thikë pas

Kryengritjen e nisur nga kreu i grupit të Wagner, Putin e quan si një thikë pas shpine për popullin rus.

Presidenti rus Vladimir Putin ka dalë në një konferencë për mediat, pas kaosit të krijuar gjatë orëve të fundit në Rusi.

Putin u ka bërë thirrje rusëve që të jenë të vëmendshëm. Presidenti rus tha se disa rusë janë “mashtruar në një aventurë kriminale” pa përmendur në mënyrë specifike luftëtarët rebelë të grupit Wagner.

"Rusia po bën betejën më të vështirë për të ardhmen e saj, e gjithë makineria e Perëndimit është kundër nesh. Rusia do të mbrojë veten, kjo është tradhti, një goditje me thikë”, deklaroi Putin.

Presidenti rus paralajmëron gjithashtu një dënim të pashmangshëm për ata që përçajnë shoqërinë ruse.

"Ata që kanë organizuar një rebelim të armatosur do të mbajnë përgjegjësi. Atyre që janë përfshirë në të, ju bëj thirrje që të ndalojnë veprimet e tyre kriminale. Të gjithë ata që shkuan në rrugën e tradhtisë do të ndëshkohen dhe do të mbajnë përgjegjësi. Forcave të armatosura u janë dhënë urdhrat e nevojshëm.

Ajo që ne po përballemi tani është tradhti. Interesat personale kanë çuar në tradhtinë e vendit tonë dhe kauzës që forcat tona të armatosura po luftojnë”, tha më tej presidenti rus.

Putin u shpreh se nuk do të lejojë një përçarje si në 1917.

“Kjo është një betejë në të cilën vendoset fati i popullit tonë dhe kërkon bashkimin e të gjitha forcave, të gjitha konfliktet e brendshme shfrytëzohen nga armiqtë tanë të jashtëm për të na dobësuar, prandaj të gjitha përpjekjet janë shumë serioze”, tha ai.

Presidenti kujtoi gjithashtu goditjen që iu dha Rusisë në vitin 1917, kur vendi po zhvillonte Luftën e Parë Botërore.

"Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë më, ne do të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë nga çdo kërcënim”, theksoi Putin.

Kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ka deklaruar sot se forcat e tij kanë marrë nën kontroll qytetin Rostov-on-Don. Mediat e huaja shkruajnë se automjete ushtarake të blinduara janë parë në rrugë e qytetit i cili është mbi 1,100 km në jug të Moskës. Banorëve të rajonit më të gjerë të Rostovit në kufi me Ukrainën u është thënë të qëndrojnë brenda, sepse forcat e sigurisë po veprojnë në zonë.

Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë. Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Gjatë natës Federata Ruse sulmoi kryeqytetin ukrainas dhe për shkak të një rakete që u godit në ajër, dy persona humbën jetën dhe tetë u plagosën.

Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Wagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.

wagner putin lufte

Lini një Përgjigje