
Në “WALL-E”, një film i publikuar në vitin 2008, njerëzit jetojnë në një botë imagjinare luksoze, plotësisht të automatizuar. Robotët me Inteligjencë Artificiale, të cilët marrin forma të larmishme, janë përgjegjës për të gjithë punën produktive.
Si pasojë, njerëzit dembelosen dhe shëndoshen, duke qëndruar gjithë ditën të ulur nëpër kolltukë, me telekomandë në dorë. Libri “Kultura” nga shkrimtari skocez Iain M. Banks, shkon edhe më larg, duke përfytyruar një botë ku Inteligjenca Artificiale është bërë aq e fuqishme, sa që ka kaluar në nivelet superinteligjente, me aftësi që shkojnë përtej çdo gjëje që mund të parashikohet tani.
Ky është një ndër librat e parapëlqyer të Jeff Bezos dhe Elon Musk, drejtuesit e kompanive Amazon dhe Tesla.
Në botën e përfytyruar nga Banks, mungesa është diçka që i përket së shkuarës dhe “mendja” e Inteligjencës Artificiale, drejton pjesën më të madhe të prodhimit. Kështu, njerëzit e kalojnë kohën duke u marrë me art, duke eksploruar kulturat dhe duke kërkuar kënaqësitë e rëndomta hedoniste.
Ecja e shpejtë e teknologjisë
Histori të tilla mund të duken të largëta. Por përparimi i shpejtë në Inteligjencën Artificiale gjeneruese, ajo ku mbështeten chatbot-et e sotme popullore si Openai dhe ChatGPT, ka bërë që shumë veta t’i marrin më seriozisht skenarë të tillë imagjinarë.
Më 22 maj, themeluesit e firmës Openai, publikuan online se “është e imagjinueshme që brenda dhjetë viteve të ardhshme, sistemet e Inteligjencës Artificiale do të tejkalojnë nivelin e aftësive të ekspertëve në shumicën e fushave dhe do të kryejnë po aq veprimtari produktive sa një nga korporatat më të mëdha të sotme”.
Parashikuesit e platformës Metaculus, verën e kaluar, menduan se vetëm në vitin 2040, do të arrihej të krijohej një Inteligjencë Artificiale e aftë për të mashtruar njerëzit se është një njeri pas një bisede dyorëshe, që ka aftësi robotike për të montuar një makinë dhe që mund të kalojë prova të ndryshme njohëse.
Pas një viti përparimesh mbresëlënëse në Inteligjencën Artificiale, parashikuesit e Metaculus, tani mendojnë se kjo gjë do të ndodhë në fillim të viteve 2030. Nuk mungojnë as paratë për kërkime. Pesë kompani të reja “njëbrirëshe” (firma startup me vlerë 1 miliard dollarë ose më shumë), janë krijuar këtë vit në fushën e Inteligjencës Artificiale gjeneruese.
Rruga drejt një Inteligjence Artificiale të përgjithshme, e cila është më e mirë se njerëzimi në çdo fushë, mund të jetë më e gjatë se sa pritej. Megjithatë, mundësia e Inteligjencës Artificiale ultra të fuqishme, ngre pyetjen se çfarë do t’u mbetet njerëzve kur ajo të shpiket më në fund.
A do të bëheshin ata dembelë pa vlerë, që qëndrojnë gjithë ditën ulur në kolltuk, siç e portretizon filmi “Wall-E”? Për të marrë një përgjigje, duhet bërë një eksperiment me hamendje, i udhëhequr nga parimet e ekonomisë.
Fuqia e Inteligjencës Artificiale
Në mënyrë të pashmangshme, një eksperiment i tillë përfshin disa hamendësime mjaft të guximshme. Si fillim, duhet të hamendësojmë se Inteligjenca Artificiale do të jetë dashamirëse, e kontrollueshme dhe e dallueshme nga njerëzit.
Gjithashtu duhet të bëjmë hamendësimin se kultura njerëzore nuk do të ndryshohet rrënjësisht nga përparimi teknologjik, deri në atë pikë sa njerëzit të fillojnë ta duan apo ta adhurojnë atë.
Do ta përfytyrojmë Inteligjencën Artificiale thjesht si një mjet: një bot virtual, jashtëzakonisht i zgjuar dhe i lirë. Hamendësojmë gjithashtu se në të ardhmen, do të zhduken të gjitha kufizimet që pengojnë përdorimin e gjerë të Inteligjencës Artificiale, siç janë për shembull, kufijtë e energjisë. Asnjë nga këto nuk është e garantuar, por na ndihmojnë për të mundësuar eksperimentin në fjalë.
Në vitin 2019, tre ekonomistë, Philippe Aghion, Ben Jones dhe Chad Jones, modeluan ndikimin e Inteligjencës Artificiale. Ata zbuluan se rritja e jashtëzakonshme ekonomike ishte e besueshme nëse Inteligjenca Artificiale mund të përdorej për të automatizuar të gjithë prodhimin, duke përfshirë vetë procesin e kërkimit, dhe kështu duke u vetëpërmirësuar.
Një numër thuajse i pakufizuar Inteligjencash Artificiale, mund të punojnë së bashku për të zgjidhur çdo problem të caktuar, duke hapur mundësi të mëdha shkencore.
Megjithatë, modelimi i ekonomistëve kishte një paralajmërim të rëndësishëm. Nëse Inteligjenca Artificiale do të automatizonte shumicën, por jo të gjithë prodhimin, ose shumicën, por jo të gjithë procesin e kërkimit, atëherë rritja ekonomike nuk do të ndodhte.
Studimi thotë: “Rritja ekonomike mund të kufizohet, jo nga ajo që bëjmë mirë, por nga ajo që është thelbësore dhe e vështirë për t’u përmirësuar”.
Një ide e paraqitur nga ekonomisti i ndjerë William Baumol, jep një shpjegim për këtë. Në një punim të botuar në vitin 1965, ai dhe kolegu William Bowen shqyrtuan pagat në artet interpretuese. Ata vunë në dukje se “produkti për orë pune i një violinisti që luan një pjesë të Schubert-it në një sallë standarde koncertesh, është relativisht i fiksuar”.
Edhe pse përparimi teknologjik i bëri industritë e tjera më produktive, artet skenike mbetën të paprekura.
Për shkak se njerëzit ishin ende të gatshëm të shpenzonin për artet, edhe ndërsa çmimet rriteshin, kërkesa ishte “joelastike”; artet zinin më shumë pjesë të PBB-së dhe për këtë arsye rëndonin rritjen e përgjithshme.
Shembulli i Baumol-it nxjerr në pah një parim më të gjerë. Nëse fushat që Inteligjenca Artificiale është në gjendje t’i automatizojë plotësisht, janë vetëm zëvendësues të papërsosur për ato që nuk mundet t’i automatizojë, është e vështirë të lëvizë kërkesa për industri jo të automatizuara dhe kështu sektorët joproduktivë do të rriten si pjesë e PBB-së, duke ulur rritjen e përgjithshme ekonomike.
Zotërinjtë Aghion, Jones dhe Jones, vërejnë se kjo është në fakt ajo që ka ndodhur gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar. Teknologjia ka automatizuar zona të bujqësisë dhe prodhimit, duke ulur çmimin relativ të produkteve të tyre.
Si rezultat, njerëzit kanë shpenzuar një pjesë më të madhe të të ardhurave në industri si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe argëtimi, të cilat nuk kanë sjellë të njëjtat përfitime në produktivitet.
A do të ketë rëndësi shembulli i Baumol-it në një botë ku Inteligjenca Artificiale është më e aftë edhe se njerëzit më të talentuar? Nëse Inteligjenca Artificiale nuk mishëron njeriun (ndoshta sepse përparimi në robotikë mbetet mbrapa atij në informatikë), atëherë përgjigjja është po.
Pjesa më e madhe e ekonomisë, duke përfshirë ndërtimin dhe prodhimin, është padyshim fizike.
Ka forma të panumërta punësimi, duke përfshirë shumë në kujdesin shëndetësor, që kërkojnë një ndërthurje të mendjes dhe aftësisë për të përshkuar botën fizike.
Këto punë do të bëheshin më të rëndësishme në një skenar ku Inteligjenca Artificiale do të mbizotëronte punën njohëse. Njerëzit do të punonin në botën fizike, ndoshta duke u udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale në formën e “drejtuesve ekzekutivë” ose “profesorëve”.
Po nëse Inteligjenca Artificiale ultra e fuqishme zhvillon edhe robotë super-humanoidë? Atëherë, nevojat materiale me siguri do të plotësoheshin nga duart e makinerive. Më pas mund të pritet që njerëzimi të heqë dorë nga puna e rëndë, ashtu siç ndodh në filmin “Wall-E”.
Në të vërtetë, në vitin 1930, ekonomisti John Maynard Keynes, shkroi një ese me titull “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”, ku spekulonte se pas një shekulli, njerëzit do të punonin për më pak se 15 orë në javë.
Rritja e prodhuar nga teknologjia do të zgjidhte “problemin ekonomik”, parashikonte ai, dhe do t’i lejonte njerëzit të drejtonin vëmendjen në veprimtari që janë në thelb të këndshme.
Pa dyshim, java e punës 15-orëshe e Keynes-it nuk ka ardhur, por nivelet më të larta të pasurisë, që mund të rrisin kohën e lirë, kanë shkurtuar orët e punës aq sa e parashikonte ai. Numri mesatar i orëve të punës në javë në vendet e pasura, ka rënë nga rreth 60 në fund të shekullit XX, në nën 40 sot.
Megjithatë, ka disa dëshira që ndoshta mund t’i plotësojnë vetëm njerëzit, edhe në një botë me inteligjencë artificiale shumë të zhvilluar.
Ia vlen gjithashtu të theksohet se ajo çka sjell kënaqësi, mund të përfshijë edhe punën. Merrni parasysh tri fusha ku njerëzit mund të luajnë ende një rol: puna që përzihet me lojën, loja e vetme dhe puna ku njerëzit ende ruajnë një lloj përparësie.
Argëtim dhe lojëra
Fillojmë me kufirin e paqartë midis punës dhe lojës. Megjithëse orët e punës kanë rënë gjatë shekullit të kaluar, pjesa më e madhe e rënies ka ndodhur para viteve 1980. Njerëzit e pasur po punojnë gjithnjë e më shumë se njerëzit më të varfër.
Eseja e Keynes-it jep një shpjegim për këtë dukuri të çuditshme. Ai i ndau dëshirat njerëzore në dy pjesë: “Nevojat të cilat janë absolute, në kuptimin që ne i ndiejmë ato, sido që të jetë situata e njerëzve të tjerë dhe nevojat që janë relative, në kuptimin që ne i ndiejmë ato, vetëm nëse kënaqësia e tyre na ngre më lart, pra na bën të ndihemi superiorë ndaj shokëve tanë”.
Keynes-i ndoshta e nënvlerësoi kategorinë e dytë të dëshirave njerëzore. Një cinik mund të thotë se disiplina të tëra akademike bien në këtë kategori: ato që ekzistojnë pa asnjë vlerë të dukshme për botën, e megjithatë, kanë akademikë që konkurrojnë furishëm për status.
Ekonomistët do të thoshin se, për shumë njerëz, puna është bërë një “e mirë konsumi”, duke ofruar shumë më tepër dobi se sa të ardhurat që sjell.
Lojërat janë një tjetër shpjegim se pse njerëzit mund të mos ndalojnë së punuari fare. Me miliona njerëz janë të punësuar në fushën e argëtimit dhe sportit, duke konkurruar për ndikim në veprimtari që disa i konsiderojnë si të parëndësishme.
Ndoshta kur Inteligjenca Artificiale të kapërcejë njerëzit, interesi për të parë lojëra të tilla do të zbehet. Por sportet ku njerëzit tashmë janë të dorës së dytë, tregojnë të kundërtën.
Që kur kompjuteri DeepBlue i krijuar nga kompania IBM, mundi mjeshtrin e madh të shahut Garry Kasparov në vitin 1997, interesi për lojën vetëm sa është rritur. Lojëra të tjera që janë “zgjidhur” nga Inteligjenca Artificiale, duke përfshirë Go, një lojë e lashtë kineze që luhet në tavolinë dhe videolojëra konkurruese, janë bërë më popullore mes njerëzve.
Në të gjithë botën, numri i lojtarëve të videolojërave është dyfishuar në dekadën e fundit, duke arritur në 3.2 miliardë vitin e kaluar. Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë lojtarë të tillë i fitojnë të ardhurat, duke luajtur lojëra online.
Inteligjenca Artificiale mund ta rrisë këtë interes. Siç spekuloi Banks, njerëzit mund të specializohen në “gjërat që kanë vërtet rëndësi në jetë, si sporti, lojërat, romanca, studimi i gjuhëve të vdekura, shoqëritë barbare, problemet e pamundura dhe ngjitja e maleve të larta pa ndihmën e një rripi sigurimi”. Njerëzit e tjerë mesa duket do të ishin të interesuar t’i ndiqnin ata.
Duket e pamundur ideja se njerëzit mund të heqin dorë nga politika dhe ta lënë atë në dorë të robotëve. Sapo Inteligjenca Artificiale të tejkalojë njerëzit, duket se veprimtaria e njerëzve do të tërheqë edhe më tepër vëmendje.
Disa detyra politike mund edhe të delegohen: për shembull, njerëzit mund t’i vendosin preferencat e tyre në një model të Inteligjencës Artificiale që më pas jep propozime se si mund t’i baraspeshojnë ato.
Megjithatë, siç kanë argumentuar një sërë filozofësh politikë, duke përfshirë John Locke në shekullin XVII dhe John Rawls në shekullin XX, pjesëmarrja në procedurat politike, u jep legjitimitet rezultateve në sytë e bashkëqytetarëve. Do të kishte gjithashtu edhe veprime më cinike. Njerëzve u pëlqen të kenë ndikim mbi njëri-tjetrin.
Kjo do të ishte e vërtetë edhe në një botë ku nevojat dhe dëshirat themelore të të gjithëve, plotësohen nga makinat kompjuterike. Në të vërtetë, pjesa 1% më e pasur e amerikanëve, janë të angazhuar politikisht dy deri në tri herë më shumë se sa norma e publikut të gjerë, qoftë nëpërmjet votimit apo ndjekjes së politikës.
Së fundmi, marrim parasysh fushat ku njerëzit kanë përparësi në ofrimin e një malli ose shërbimi; e quajmë këtë një “premium njerëzor”. Ky premium do të ruante kërkesën për punë edhe në një epokë kur Inteligjenca Artificiale do të ishte shumë e përparuar.
Një fushë e tillë është për shembull, bërja publike e informacionit privat. Për sa kohë që njerëzit janë më të gatshëm t’i ndajnë sekretet e tyre me njerëz të tjerë se sa me kompjuterët, atyre do t’u besohet gjithmonë një rol më i madh në zbulimin e këtij informacioni ndaj botës në një mënyrë të përzgjedhur, dhe që mund të gëlltitet më pas nga kompjuterët.
Gazetarët investigativë me siguri që do të vazhdojnë ta ruajnë vendin e punës.
“Premiumi njerëzor” mund të shfaqet edhe gjetiu. Njerëzit vlerësojnë historinë, mitet dhe mirëkuptimin. Në fusha si kujdesi dhe terapia, njerëzit e vlerësojnë kohën që të tjerët kalojnë me ta, për shkak se kanë nevojë për ndërveprim njerëzor.
Diamantet artificiale, të cilët kanë të njëjtën strukturë molekulare si ato që nxirren nga toka, tregtohen me një ulje të madhe, rreth 70%. Në të ardhmen, artikujt me etiketën “prodhuar nga një njeri” mund të jenë shumë të lakmuar.
Problemet e njerëzve
Nëse ky “premium njerëzor” është mjaft i madh, ai mund të rëndojë edhe në rritjen ekonomike. Ndajini sektorët e ekonomisë në ata me premium të madh njerëzor dhe ata pa premium.
Nëse njerëzit nuk i zëvendësojnë mallrat dhe shërbimet e prodhuara nga makineritë, me ato të bëra nga njerëzit e tjerë, efekti që shpjegoi Baumol-i, vetëm sa do të thellohej. Rritja ekonomike mund të shkojë edhe në zero.
Në të vërtetë, nëse Inteligjenca Artificiale jashtëzakonisht e fuqishme nuk do të arrijë të nxisë rritjen ekonomike, kjo do të tregonte se ekonomia tashmë kishte lëvizur përtej anës materiale, drejt lojës, politikës dhe fushave ku ajo çka njerëzit vlerësojnë më shumë nga të gjitha, është ndërveprimi me të tjerët.
Ndoshta një ditë, Inteligjenca Artificiale do të prodhojë mallra dhe shërbime krejtësisht të reja që do të tejkalojnë dëshirën e njerëzve për të ndërvepruar me njerëzit e tjerë. Mënyra se si do të zhvillohej një garë e tillë, do të zbulonte diçka të thellë: sa “kafshë shoqërore” është njeriu?/ Monitor
Lini një Përgjigje