
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duket se ka kthyer në kryefjalë Asociacionin në veri të Kosovës. Ai ka pasur sot një takim me ambasadorin e SHBA në Serbi, Christopher Hill. Vuçiç ka shkruar në profilin e tij në Instagram më 3 mars se ka informuar ambasadorin Hill për rundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbajt më 27 shkurt në Bruksel.
Veç formimit të Asociacionit, presidenti serb tha se “duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”.
Ai tha gjithashtu se të premten ka biseduar edhe me ambasadorin britanik në Beograd, Shan McLeod, për hapat e mëtejshëm për të formuar sa më parë Asociacionin.
Në takimin e së hënës, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ranë dakord për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument, për të cilin një zyrtar i BE-së tha dje se duhet të nënshkruhet bashkë me aneksin ose planin e zbatimit.
Lini një Përgjigje