Presidenti serb diskutoi me Li Qiang për marrëdhëniet dypalëshe, investimet dhe çështjet rajonale
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua sot në Pekin me kryeministrin kinez Li Qiang, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kinë.
Sipas Vuçiçit, në takim u diskutua për “forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, investimet e reja, projektet infrastrukturore, si edhe çështjet kryesore gjeopolitike dhe rajonale”.
Pas takimit në Pallatin e Madh të Popullit, Vuçiç shkroi në Instagram se miqësia dhe partneriteti me Kinën kanë “rëndësi të jashtëzakonshme” për Serbinë. Ai falënderoi Kinën për kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit përmes investimeve, infrastrukturës dhe teknologjive të reja.
Vuçiç tha se bashkëpunimi me Kinën ka ndihmuar në ringjalljen e fabrikave, minierave, rrugëve dhe hekurudhave, duke sjellë, sipas tij, më shumë siguri për qytetarët. Ai e cilësoi vizitën si historike dhe tha se bisedimet kanë rëndësi të madhe për Serbinë, qytetarët dhe interesat kombëtare.
Presidenti serb shprehu mirënjohje edhe për presidentin kinez Xi Jinping, duke vlerësuar angazhimin e tij personal dhe mbështetjen për Serbinë. Vuçiç tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur nivelin më të lartë historik.
Ai theksoi se Serbia mbështet politikën e “një Kine” dhe e sheh nismën “Një brez, një rrugë” si kontribut për lidhjen mes shteteve, zhvillimin më të balancuar dhe ruajtjen e stabilitetit global.
Në takim morën pjesë edhe disa ministra serbë, mes tyre ministri i Financave Siniša Mali, ministri i Mbrojtjes Bratislav Gašić, ministrja e Tregtisë Jagoda Lazarević dhe ministrja e Ekonomisë Adrijana Mesarović, raportoi Radio Televizioni i Serbisë, RTS.
Më pas, Vuçiç vendosi një kurorë me lule te Monumenti i Heronjve të Popullit në sheshin Tiananmen në Pekin.
Presidenti serb u takua gjithashtu me Wang Huning, kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. Vuçiç tha se në takim u shkëmbyen qëndrime për bashkëpunimin Serbi-Kinë dhe për nisma që, sipas tij, kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik të Serbisë.
Më vonë gjatë ditës, Vuçiç pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping.
Gjatë vizitës në Kinë pritet nënshkrimi i dy deklaratave me presidentin kinez, si edhe i të paktën 33 marrëveshjeve të tjera. Sipas njoftimeve, priten rreth një miliard euro investime.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje