Reagimet në Europë nuk kanë vonuar pas deklaratave provokuese të Donald Trump për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj tetë vendeve evropiane, si mjet presioni për "marrëveshjen e blerjes" së Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë qasje një shkelje të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
“Integriteti territorial dhe sovraniteti janë shtylla të rendit ndërkombëtar. Janë thelbësore për Evropën dhe për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi”, shkroi ajo në një postim zyrtar.
Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës, duke theksuar nevojën për dialog diplomatik dhe jo presion ekonomik.
“Dialogu mbetet thelbësor dhe ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë mbi procesin e filluar javën e kaluar midis Mbretërisë së Danimarkës dhe SHBA-së”, shtoi ajo, duke paralajmëruar se tarifat e propozuara do të minonin marrëdhëniet transatlantike dhe mund të shkaktojnë një spiralë të rrezikshme në rënie.
Në të njëjtën linjë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, reagoi publikisht duke refuzuar kategorikisht idenë e ndërhyrjes amerikane në statusin e Grenlandës.
“Pozicioni ynë është shumë i qartë: Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe e ardhmja e saj është çështje ekskluzive e groenlandezëve dhe danezëve”, u shpreh Starmer.
Ai shtoi se siguria në rajonin e Arktikut është një çështje me rëndësi strategjike për gjithë NATO-n, dhe aleatët duhet të qëndrojnë të bashkuar për të përballuar sfidat, përfshirë rrezikun në rritje nga Rusia.
Lini një Përgjigje