TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Janar 2026, 20:00

A e krijuan vrasësit botën moderne?

Shkruar nga Pamfleti
A e krijuan vrasësit botën moderne?
Foto ilustruese, Jovana Mugosa

"Shpërthimi" i kapitalizmit, një pikë kyçe e historisë njerëzore, ndodhi si pasojë e përdorimit global të dhunës për fitim financiar.

Ashtu si shumë pronarë plantacionesh në Xhamajkën e shekullit XVIII, Thomas Thistlewood u pasurua duke detyruar të tjerët të punonin për të nën kërcënimin e armës.

Por ndryshe nga shumica e skllavopronarëve, ai mbajti një ditar të detajuar të mizorive që ushtronte vetë. Në një prozë të ftohtë e faktike, ai përshkruan se si rrihte skllevërit, u fërkonte plagët me spec djegës, përdhunonte më shumë se 100 gra dhe ndëshkonte një të arratisur duke e lidhur, e lyer me shurup dhe e lënë nudo gjithë ditën nën mizat.

Historiani Clifton Crais, nga Universiteti Emory, e përdor historinë e tmerrshme të Thistlewood për të mbështetur një tezë tronditëse: sipas tij, dhuna e institucionalizuar nuk është thjesht një njollë në historinë e botës moderne, por vetë themeli i saj. Në librin e tij të fundit “Epoka e Vrasjes” (The Killing Age), ai pretendon se pa dhunën e globalizuar, Revolucioni Industrial nuk do të kishte ndodhur kurrë.

Kjo tezë ndërtohet mbi dy ide të përhapura në qarqet e majta universitare: së pari, që Perëndimi mban përgjegjësinë për shumicën e të këqijave globale. Sipas Crais: “vrasja ka qenë kontributi më i thellë i Perëndimit në historinë botërore.” Së dyti, që kapitalizmi është vetë burimi i dhunës – një pikëpamje e shprehur qartazi edhe nga platforma politike e Socialistëve Demokratë të Amerikës.

Por a qëndron kjo tezë?

Është gjithmonë tundues të interpretohet e shkuara në funksion të të tashmes. Shembujt janë të shumtë: Shekspiri e portretizoi Mbretin Richard III si përbindësh për të kënaqur dinastinë Tudor. Imperialistët britanikë lartësonin Perandorinë Romake si justifikim për “misionin civilizues” të tyre.

Në SHBA, teksa afrohet 250-vjetori i pavarësisë, historia po përdoret si terren politik: administrata amerikane, me flamurin MAGA, promovon një narrativë glorifikuese të historisë kombëtare, ndërsa Projekti 1619 i New York Times kërkon të ri-shkruajë themelimin e Amerikës nga pikëpamja e skllavërisë dhe racizmit strukturor.

Por Crais shkon edhe më larg: në mbi 700 faqe të mbushura me dhunë dhe gjak, ai argumenton se "shpërthimi" i kapitalizmit, një pikë kyçe e historisë njerëzore, ndodhi si pasojë e përdorimit global të dhunës për fitim financiar.

Argumenti i tij është si më poshtë: në fund të shekullit XVIII, teknologjia e armëve u përmirësua ndjeshëm në Perëndim. Kompani private si Kompania Britanike e Indisë Lindore i përdorën këto armë për të pushtuar dhe plaçkitur toka të huaja. Armë të tjera iu shitën sundimtarëve lokalë, të cilët i përdorën për të shtypur fqinjët. Kjo garë armësh nxit rritjen e tregtisë globale: për të blerë armë, njerëzit shisnin çfarë kishin, dyllë, kamfor, fole zogjsh nga Borneo, fildish nga Afrika dhe njerëz nga pothuajse çdo kontinent.

Me një mori statistikash, Crais tregon se tregtia e armëve ishte një biznes gjigant. Gjatë shekullit XIX, Britania importonte aq shumë nitrat kaliumi nga India, saqë mjaftonte për 1 deri në 3 miliardë të shtëna pushkësh në vit, më shumë sesa ishte popullsia e botës në atë kohë. Fitimet nga armët, plaçkitjet dhe skllavëria, sipas tij, financuan industrinë e re, fabrikat me qymyr dhe hekurudhat. Me fjalë të tjera: “shkatërrimi ndërtoi botën moderne”. Dhe, sipas Crais, kjo trashëgimi vazhdon sot me kërcënimin ekzistencial të ndryshimeve klimatike.

Por ky argument ka boshllëqe të mëdha logjike.

Nuk është aspak e qartë që bota u bë më e dhunshme pas vitit 1800. Mizoritë e Thistlewood ishin të tmerrshme, por nuk ishin më të rënda se ato të kohëve më të hershme, romakët praktikonin kryqëzimin, mongolët ecnin mbi lumenj gjaku në Euroazi, ndërsa kryqtarët plaçkitën Kostandinopojën. Historiani Steven Pinker dhe të tjerë argumentojnë se dhuna ka rënë ndjeshëm në shekuj: në Gjermani, Itali dhe Spanjën e shekullit XIV, normat e vrasjeve ishin 70, 200 dhe 50 herë më të larta sesa sot.

Për 18 shekuj me radhë pas Krishtit, të ardhurat globale për frymë pothuajse nuk ndryshuan. Por pas vitit 1820, ndodh një shpërthim ekonomik: të ardhurat u rritën 14 herë. Është e pabesueshme që kjo ndodhi vetëm për shkak të dhunës. Ajo që ndryshoi ishte shpikja dhe përhapja e ideve. Inovacione të një dekade si: tezgjahu mekanik, avullori, makina për shirjen e drithit dhe syzet bifokale, ndryshuan botën.

A ndihmuan paratë nga skllavëria dhe kolonializmi në këtë proces? Ndoshta. Por jo aq sa mendohet. Sipas një studimi nga Kristian Niemietz, tregtia e skllevërve nuk kishte më shumë peshë në ekonominë britanike sesa blegtoria, dhe askush nuk thotë që “bagëtitë financuan Revolucionin Industrial”.

Libri “Epoka e Vrasjes” është i mbështetur në kërkime të thella dhe përmban pasazhe interesante mbi dhunën në zona pak të studiuara si Darfuri apo Zelanda e Re. Ka dhe reflektime interesante për ndikimet mjedisore të gjuetarëve të balenave dhe elefantëve në shekullin XIX. Por autori shpesh e tepron dhe e zmadhojnë argumentin, duke përmendur shpesh “në mënyrë të pafundme” kur mjafton të thuhet “shumë”.

Në fund, teza kryesore nuk qëndron. Bota moderne është ndërtuar mbi gjak, por është ndërtuar edhe nga mendjet novatore. Vrasësit kanë lënë plagë, por shkencëtarët dhe shpikësit ndërtuan strukturën. Historia është më e ndërlikuar sesa një narrativë me armë dhe dollarë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”

dhuna vrasesit

1 Komente

  1. T
    Tony

    Gjyshja ime dikur thoshte, ku ishe hicgjekundi. Planetet krijohen nga dhuna e zhduken nga dhuna.

    Lini një Përgjigje