Në një deklaratë të gjatë të publikuar në platformën Truth Social, Trump akuzon vendet për “mosmirënjohje” ndaj mbështetjes amerikane ndër vite
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur vendosjen e tarifave të reja doganore prej 10% ndaj tetë vendeve evropiane, duke nisur nga 1 shkurti 2026, me paralajmërimin se tarifa do të rritet në 25% më 1 qershor 2026, nëse nuk arrihet ajo që ai e quajti “marrëveshje e plotë për blerjen e Grenlandës”.
Vendet që preken nga vendimi janë: Danimarka, Norvegjia, Suedia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, të gjitha aleate historike të SHBA-së dhe anëtare të NATO-s. Sipas Trump, tarifat do të aplikohen ndaj të gjitha produkteve të eksportuara nga këto vende drejt tregut amerikan.
Në një deklaratë të gjatë të publikuar në platformën Truth Social, Trump akuzon këto vende për “mosmirënjohje” ndaj mbështetjes amerikane ndër vite dhe për “lojë të rrezikshme në territorin strategjik të Grenlandës”. Ai shprehet se vetëm Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e tij, janë të afta të mbrojnë këtë territor ‘të shenjtë’ nga ndërhyrjet e Kinës dhe Rusisë, duke përmendur me ironi faktin se Danimarka ka në terren “dy sajë me qen për mbrojtje”.
Presidenti amerikan këmbëngul se siguria kombëtare e SHBA dhe paqja globale varen nga përfshirja e Grenlandës në sistemin mbrojtës amerikan, që përfshin të ashtuquajturin ‘Kupolë të Artë’, një rrjet kompleks mbrojtjeje që ai thotë se nuk mund të funksionojë plotësisht pa këtë territor.
“Është koha që Danimarka dhe të tjerët të përgjigjen. Kemi paguar për ta për dekada, i kemi mbrojtur në çdo konflikt global, dhe tani, kur bota është në rrezik, ata rrinë pasivë”, shkruan Trump. Ai nënvizon se tarifa do të qëndrojë në fuqi derisa të arrihet marrëveshja për aneksimin e plotë të Grenlandës nga SHBA, një synim që sipas tij ka qenë objektiv amerikan prej më shumë se 150 vitesh.
Kjo nuk është hera e parë që Trump përmend blerjen e Grenlandës, por është hera e parë që ai e lidh publikisht këtë çështje me masa ekonomike ndëshkuese, duke shpalosur një qasje të hapur për aneksim të një territori strategjik përmes presionit tarifor.
Postimi i plotë i Trump
Për vite me radhë, ne kemi subvencionuar Danimarkën, të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe shtete të tjera, pa u vendosur atyre tarifa apo forma të tjera kompensimi. Tani, pas shekujsh, ka ardhur koha që Danimarka të japë diçka mbrapsht, sepse në rrezik është paqja globale!
Kina dhe Rusia duan Grenlandën dhe Danimarka nuk mund të bëjë asgjë për ta ndaluar këtë. Aktualisht, ata kanë vetëm dy sajë me qen për mbrojtje, një prej të cilave është shtuar vetëm kohët e fundit. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e PRESIDENTIT DONALD TRUMP, mund të luajnë këtë lojë dhe mund ta bëjnë me shumë sukses!
Askush nuk do të prekë këtë copë të shenjtë toke, veçanërisht kur është në lojë siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara dhe e gjithë botës. Për më tepër, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Hollanda dhe Finlanda kanë vizituar Grenlandën, për qëllime të panjohura. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit tonë. Këto vende, duke luajtur këtë lojë të rrezikshme, kanë krijuar një nivel rreziku që nuk është i qëndrueshëm dhe as i përballueshëm.
Për këtë arsye, është thelbësore për të mbrojtur paqen dhe sigurinë globale, që të merren masa të forta në mënyrë që kjo situatë potencialisht e rrezikshme të marrë fund shpejt dhe pa mëdyshje.
Duke filluar më 1 shkurt 2026, të gjitha vendet e përmendura më sipër (Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Hollanda dhe Finlanda) do të përballen me një tarifë doganore prej 10% për të gjitha mallrat që eksportohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 1 qershor 2026, kjo tarifë do të rritet në 25%.
Këto tarifa do të qëndrojnë në fuqi dhe do të paguhen derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe tërësore të Grenlandës. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të realizojnë këtë marrëveshje prej më shumë se 150 vitesh. Shumë presidentë kanë tentuar dhe me arsye të mira, por Danimarka gjithmonë ka refuzuar.
Tani, për shkak të Kupolës së Artë dhe sistemeve moderne të armëve, si ato ofensive ashtu edhe ato mbrojtëse, nevoja për të marrë këtë territor është më urgjente se kurrë. Qindra miliarda dollarë po shpenzohen për programet e sigurisë që lidhen me ‘Kupolën’, përfshirë edhe mbrojtjen e mundshme të Kanadasë, dhe ky sistem shumë inteligjent, por jashtëzakonisht kompleks, mund të funksionojë në maksimumin e tij vetëm nëse kjo tokë përfshihet në të për shkak të pozicionit, këndeve dhe kufijve gjeografikë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hapura për negociata me Danimarkën dhe/ose me ndonjërën nga këto vende që kanë krijuar një rrezik kaq të madh, pavarësisht gjithçkaje që kemi bërë për ta ndër vite, përfshirë mbrojtjen maksimale për dekada të tëra.
Ç'është kjo punë, e dua unë? Unë jam i forte dhe ta marrë me force, por per tu dukur i moderuar po ta bleje dy aspra! Jemi demokraci.