Kriza në Iran nuk është mbyllur, ndërsa SHBA grumbullon forca në rajon. Një zgjidhje diplomatike, me largimin e Khameneit dhe hapjen ndaj Perëndimit por ruajtjen në tërësi të regjimit, shihet si rruga më e mundshme...
Protestat nuk janë më të forta si më parë, por kriza nuk është mbyllur. Regjimi iranian mbetet i brishtë dhe pakënaqësia mund të shpërthejë sërish. Rony Hamaui, profesor i shkencave bankare në Universitetin Katolik të Milanos dhe ekspert i ekonomisë e financës islame, mendon se Ajatollahët kanë ende një shans për të mbijetuar.
Por ata duhet të hyjnë menjëherë në bisedime me amerikanët, ndoshta edhe me ndërmjetësimin e Putinit. Aktualisht Trump po i zhvendos aeroplanmbajtëset drejt Lindjes së Mesme, për të siguruar forcën e nevojshme në rastin e një ndërhyrjeje ushtarake.
Megjithatë, mund të pranojë edhe një zgjidhje diplomatike sipas modelit Maduro: Khamenei në mërgim dhe një figurë tjetër që e zëvendëson, e gatshme të dëgjojë Uashingtonin.
Zhvendosja e aeroplanmbajtëses “Lincoln” nga Paqësori në Lindjen e Mesme, do të thotë se sulmi ndaj Iranit është i pashmangshëm?
Jo domosdoshmërisht. Protestat janë zbehur, por nuk kanë përfunduar. Kujtojmë se në vitin 1979 trazirat që e rrëzuan Shahun zgjatën një vit. Revoltat e mëdha nuk mbyllen brenda pak ditësh. Regjimi është dobësuar, por nuk është i pafuqishëm. Ai mund të tentojë të bëjë disa reforma, siç edhe ndodhi pas revoltës së grave kundër mbajtjes së shamisë në kokë, kur lejoi disa liberalizime.
Si mund ta rimarrë kontrollin regjimi teokratik?
Ai synon të mbijetojë. Interneti është ende i bllokuar dhe pritet të mbetet i tillë deri në fund të marsit, por autoritetet mund të tentojnë një kthesë politike. Për ta bërë këtë, duhet të ndryshojnë raportet me SHBA-në. Reformat e brendshme janë të ngadalta; ndryshimi i kursit ndaj Perëndimit është më i shpejtë, siç ndodhi në Siri dhe Venezuelë.
Çfarë kërkon konkretisht Perëndimi?
Regjimi duhet të heqë dorë nga programi bërthamor, nga retorika për shkatërrimin e Izraelit dhe të lirojë të burgosur politikë brenda vendit. Nëse i plotëson këto kushte, SHBA-ja mund të mos ndërhyjë dhe regjimi mund të mbetet në këmbë. Nëse jo, rritet ndjeshëm rreziku i një sulmi.
Trump po pret pikërisht këtë?
Po. Ai nuk dëshiron të rrezikojë. Trump vepron vetëm kur është i sigurt për fitore. Prandaj po grumbullon forca në rajon. SHBA-ja duhet të godasë objektivat e duhur, sepse Irani është një vend i madh me mbi 90 milionë banorë dhe me shumë burime, përfshirë ato ushtarake.
Pse Izraeli e ka këshilluar Trumpin që të mos ndërhyjë?
Sepse i frikësohet një sulmi të madh raketor iranian. Netanjahu ka paralajmëruar se
pa një plan të qartë, situata mund të dalë jashtë kontrollit. Edhe vendet arabe e kundërshtojnë një sulm të tillë, pasi varen nga turizmi, tregjet dhe stabiliteti rajonal.
Nga çfarë varet një ndërhyrje e mundshme amerikane?
Nga reagimi i qeverisë iraniane dhe i popullit, si dhe nga aftësia e SHBA-së për të ndërtuar një plan të besueshëm. Shefi i Mossad-it, David Barnea, ka vizituar Uashingtonin enkas për këtë arsye.
Po ashtu, Trump nuk dëshiron të prishë marrëdhëniet me vende si Arabia Saudite, Turqia apo Pakistani, të cilët kanë nënshkruar një marrëveshje ushtarake të përbashkët - një lloj “NATO myslimane”, që kombinon fuqinë bërthamore të Pakistanit, teknologjinë e Turqisë dhe kapitalin e Arabisë Saudite.
Çfarë roli mund të luajë Rusia?
Putin ka marrëdhënie të ngushta me Iranin dhe është vetëofruar si ndërmjetës. Madje flitet se Khamenei ka transferuar pasuritë e tij në Moskë, duke përgatitur një mërgim të mundshëm.
Cilat janë alternativat për të ardhmen e Iranit?
Një opsion është modeli venezuelan: largimi i Khameneit dhe zëvendësimi me një figurë më të moderuar, si presidenti Pezeshkian. Në tavolinë po përmendet edhe djali i Shahut, por Trump preferon një zgjidhje më institucionale. Khamenei, që është 86 vjeç, mund të tërhiqet në një mërgim të qetë në Rusi.
A është e mundur një zgjidhje e brendshme nga opozita iraniane?
Rreziku është i madh. Pa një plan të qartë, vendi mund të përfundojë në kaos si Siria apo Libia. Për këtë arsye, shumë analistë mendojnë se është më e sigurt të reformosh një regjim autoritar sesa ta shembësh pa një alternativë të qëndrueshme./ Përshtati "Pamfleti", nga “Il Sussidiario”
Receta kolonialistesh!