Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi se Uashingtoni pret me optimizëm bisedimet e ardhshme me Iranin, por paralajmëroi se nuk do të tolerojë mungesë serioziteti nga pala iraniane.
Duke folur për mediat përpara nisjes drejt Pakistanit, ku pritet të zhvillohen negociatat, Vance tha se delegacioni amerikan ka marrë udhëzime të qarta nga presidenti Donald Trump. Në këtë delegacion bëjnë pjesë edhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Presim që negociatat të jenë pozitive,” u shpreh Vance. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen në dialog nëse Irani vepron me mirëbesim.
Sipas tij, administrata amerikane mbetet e hapur për marrëveshje, por paralajmëroi se çdo përpjekje për të mashtruar apo zvarritur procesin do të përballet me një qasje më të ashpër nga ekipi negociator amerikan.
Deklaratat e Vance vijnë në një moment të ndjeshëm diplomatik, ndërsa përpjekjet për uljen e tensioneve mes dy vendeve mbeten të brishta.
Lini një Përgjigje