
Ursula von der Leyen do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Europian të enjten, thanë gjashtë zyrtarë për Politico.
Sfida e fundit ndaj presidentes së Komisionit Evropian, në atë që po rezulton të jetë një vit i parë i vështirë në mandatin e saj të dytë në pushtet, do ta detyrojë gjermanen të paraqitet në një debat rreth lidershipit të saj midis ligjvënësve në Strasburg të hënën, i ndjekur nga votimi tre ditë më vonë.
Është hera e parë në më shumë se një dekadë që kreu i Komisionit përballet me një veprim të tillë.
Në këtë fazë, votimi është kryesisht simbolik, ndërsa shumica e grupeve politike kanë sinjalizuar tashmë se do të votojnë kundër mocionit të mosbesimit. Por kjo nënvizon zemërimin në rritje ndaj saj në Bruksel pas një sërë lëvizjesh dhe skandalesh të diskutueshme.
Nëse mocioni i mosbesimit do të miratohej, kjo do të çonte në dorëheqjen e të gjithë Komisionit dhe do të shkaktonte procesin kompleks të emërimit të 27 komisionerëve të rinj evropianë.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ua njoftoi orarin krerëve të grupeve politike të mërkurën në mbrëmje.
Debati është planifikuar për të hënën, gjatë të cilit do të paraqitet von der Leyen. Pas kësaj do të vijë një diskutim në të cilin krerët e grupeve politike do të shprehin pikëpamjet e tyre.
Ligjvënësi rumun i krahut të djathtë, Gheorghe Piperea, paraqiti mocionin e mosbesimit pasi mblodhi mjaftueshëm nënshkrime javën e kaluar për të shprehur zemërimin për mesazhet e saj sekrete nga viti 2021 me Albert Bourla, drejtorin ekzekutiv të gjigantit farmaceutik Pfizer. Ato lidheshin me diskutimet mbi sjelljen e vaksinave në Evropë në kulmin e pandemisë së koronavirusit.
Ndërsa disa anëtarë të Partisë Popullore Evropiane të von der Leyen dhe ECR-së së krahut të djathtë kanë tërhequr mbështetjen e tyre për mocionin pas presionit nga radhët e tyre, ai përsëri mblodhi 72 nënshkrimet e nevojshme.
Pavarësisht trazirave të fundit politike, me socialistët dhe liberalët që akuzojnë von der Leyen se është bashkuar me të djathtën ekstreme për të zbutur reformat e gjelbra, shumica qendrore e BE-së, e cila mbështeti presidencën e saj, ka pak oreks për ta mbështetur këtë veprim.
Lini një Përgjigje