Duke folur në Mynih, Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje gjithashtu për një datë të qartë që vendi i tij të lejohet të bashkohet me BE-në.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se vendi i tij ka nevojë për garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara për të paktën 20 vjet, përpara se të nënshkruajë një marrëveshje paqeje “me dinjitet”.
Në prag të bisedimeve të paralajmëruara për javën e ardhshme mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, Zelensky tha se shpreson që takimet trepalëshe të jenë “serioze dhe thelbësore”, por shtoi se shpesh duket sikur palët “flasin për gjëra krejtësisht të ndryshme”.
Ai kritikoi faktin se Uashingtoni rikthehet shpesh te çështja e koncesioneve, të cilat, sipas tij, diskutohen kryesisht në kontekstin e Ukrainës dhe jo të Rusisë. “Amerikanët flasin për tërheqje nga Donbasi si rrugë e shpejtë drejt paqes, por kjo nuk është e mundur. Atje jetojnë qytetarët tanë”, theksoi ai.
Zelensky bëri të ditur se SHBA-të deri tani kanë ofruar një garanci sigurie 15-vjeçare, por Kievi kërkon një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të paktën 20 vjet, ku të përcaktohet qartë mbështetja amerikane për një forcë europiane sigurie që do të vendosej në Ukrainë pas një armëpushimi.
Ai kërkoi gjithashtu një datë të qartë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian, duke përmendur se disa zyrtarë europianë kanë përmendur vitin 2027 si të mundshëm.
Në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shprehu gatishmëri për partneritet me Europën, por theksoi se bashkëpunimi do të varet nga kushte të qarta për klimën, migracionin dhe tarifat. Ai deklaroi se SHBA-të “preferojnë” të rindërtojnë rendin botëror së bashku me Europën, por janë të gatshme ta bëjnë këtë edhe të vetme nëse është e nevojshme.
Zelensky u shpreh i shqetësuar për mungesën e një roli të qartë të Europës në negociata, duke e cilësuar këtë “një gabim të madh”. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia mund të jetë duke fituar kohë, pasi ka ndryshuar drejtuesin e delegacionit negociator.
Në lidhje me presionin e presidentit amerikan Donald Trump për zgjedhje në Ukrainë deri më 15 maj, Zelensky sqaroi se zgjedhjet mund të mbahen vetëm dy muaj pas një armëpushimi, për të garantuar sigurinë e votuesve.
Presidenti ukrainas ngriti edhe çështjen e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, duke deklaruar se asnjë central energjetik në Ukrainë nuk ka mbetur pa u dëmtuar.
Në fund, ai akuzoi regjimin iranian për furnizimin e Rusisë me dronë Shahed, që sipas tij kanë shkaktuar dëme të mëdha. “Regjime si ai në Iran nuk duhet të kenë kohë. Kur u jepet kohë, ata vetëm sa shkaktojnë më shumë shkatërrim”, deklaroi Zelensky.
Lini një Përgjigje