Putini shfaqet i vendosur në kursin që po ndjek, edhe pse pozicioni i tij nuk është i lakmueshëm. Brenda disa javësh, Kongresi Amerikan miratoi më në fund paketën e tij të madhe të ndihmës, dhe disa vende ranë dakord që Ukraina të përdorë armët e tyre për të goditur objektet ushtarake në Rusi.
Zyrtarë të lartë të administratës Biden, janë të shqetësuar se presidenti rus Vladimir Putin ka rezervuar më shumë surpriza për ta në lidhje me Ukrainën. Ato do të ndodhin në kohën e duhur për të trazuar atmosferën e samitit jubilar, që do të kremtojë 75-vjetorin e themelimit të NATO-s në Uashington në datat 9-11 korrik.
“Ai nuk dëshiron asgjë më shumë sesa të bjerë shi në paradën tonë”-më tha së fundmi një zyrtar i lartë amerikan. Disa zyrtarë të administratës të SHBA-së, po shqyrtojnë skenarë të mundshëm dhe kundërpërgjigje të mundshme, megjithëse mbajtja e fokusit plotësisht tek Ukraina është e vështirë, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, dhe shumë gjërave të tjera që janë në lojë.
Ekziston një gamë e gjerë mundësish mbi atë që mund të ndodhë. Për shembull, Putin mund të nisë një ofensivë ushtarake verore edhe më të fortë dhe më të gjerë në Ukrainë sesa ajo që po zhvillohet aktualisht. Ai mund t’i tregojë botës armë të reja, ndoshta edhe një armë që vepron nga hapësira.
Njëkohësisht, mund të çojë përpara një propozim paqeje më të vendosur (por ende të pasinqertë) apo një përpjekje për armëpushim, të krijuar enkas për të tërhequr vëmendjen e opinionit global, edhe pse anëtarët e NATO-s po i japin Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake.
Duke pasur parasysh sjelljen e dikurshme të Putin rreth ngjarjeve të mëdha globale, një surprizë verore do të dukej jo dhe aq befasuese. Pushtimi rus i Gjeorgjisë në vitin 2008, ishte menduar të përkonte me Lojërat Olimpike Verore të Pekinit; pushtimi i Ukrainës në vitin 2014, ndodhi gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, Rusi.
Ndërkohë pushtimi i dytë i Ukrainës në shkurt 2022, pasoi një takim midis Putinit dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping përpara Olimpiadës Dimërore të Pekinit atë vit. Përtej dashurisë së Putinit për vëmendjen e botës në momente të tilla, ka edhe arsye të tjera për t’u shqetësuar se kjo mund të jetë një verë me rreziqe maksimale për Ukrainën, dhe rrjedhimisht edhe për Aleancën e NATO-s, vetëm disa ditë përpara konventave politike të Partisë Republikane dhe asaj Demokratike në Shtetet e Bashkuara.
Putini shfaqet i vendosur në kursin që po ndjek, edhe pse pozicioni i tij nuk është i lakmueshëm. Brenda disa javësh, Kongresi Amerikan miratoi më në fund paketën e tij të madhe të ndihmës, dhe disa vende ranë dakord që Ukraina të përdorë armët e tyre për të goditur objektet ushtarake në Rusi.
Ndërkohë, Franca po ecën me shpejtësi në një iniciativë për të dërguar në Ukrainë ushtarë në rolin e trajnuesve të forcave ukrainase. Por s’ka asnjë provë, se ndonjë nga këto lëvizje e ka bindur Putinin të rishqyrtojë planet e tij agresive për Ukrainën. Përkundrazi, ai duket se ka vendosur ta përshkallëzojë ofensivën e tij këtë verë, përpara se në Ukrainë të mbërrijnë më shumë materiale luftarake amerikane.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës do të mbetet e pambrojtur edhe për shumë nga javët e ardhshme.
Rreth Kharkiv-it nuk ka pasur asnjë ngadalësim të ofensivës ruse - edhe pse prej javësh s’ka pasur gati asnjë lëvizje përpara - dhe sulmet e pamëshirshme të Putinit ndaj burimeve të energjisë dhe infrastrukturës së Ukrainës vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha.
Kremlini ka ende rezerva të konsiderueshme që mund të dërgohen në ofensivën e Kharkiv, për të zgjeruar fushatën e deritanishme të pasuksesshme në Donbas, dhe për të pushtuar Chasiv Yar, ose për të nisur ofensivë të re në veri drejt Sumy. Përveç këtyre rezervave, ka disa faktorë të tjerë që e inkurajojnë Putinin.
Kievi vazhdon të përballet me mungesën e burimeve njerëzore, kryesisht për shkak të një kulture që beson se të rinjtë nuk duhet të rekrutohen përpara se të mbushin të 20-at. Zelenskyy dhe parlamenti u ulën në 25 moshën e rekrutimit, por ky vendim nuk e zgjidh problemin e trupave të vijës së parë, që janë të lodhura dhe gjymtuara nga humbjet.
Po ashtu Putin, është i ngushëlluar nga rizgjedhja e tij në detyrë në mars, si dhe nga takimi i tij 2-ditor me Xi në Pekin muajin e kaluar. Njëkohësisht, ai e sheh krizën në Gaza dhe fushatën zgjedhore në SHBA, si shpërqendrime për udhëheqjen amerikane. Për këtë arsye, një zyrtar i lartë amerikan më tha se Putin ndihet besimplotë.
Në moshën 71-vjeçare, ai e ka çimentuar pushtetin e tij, me rezultatet zyrtare që tregojnë se mori 87 për qind të votave, një rezultat që po e përdor për të justifikuar më tej luftën e tij kundër Ukrainës. Mandati i tij i ri 6-vjeçar, nëse do e çojë deri në fund, do ta bënte një lider me jetëgjatë edhe se Stalini. Nënteksti:Botës do t’i duhet të përballet me një Rusi të guximshme edhe për të ardhmen e parashikueshme.
Edhe takimi i Putinit me Xi në maj, nënvizoi vendosmërinë e liderit kinez për të dyfishuar mbështetjen e tij ndaj homologut të tij rus. Lëvizjet e fundit të presidentit amerikan Joe Biden për të lehtësuar kufizimet në përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina për goditjen e objektivave brenda Rusisë, do të kishin ngritur më shumë shqetësime atje, po të mos ishte për natyrën e kufizuar të tyre.
Sepse kufizimet hiqen vetëm për zonat në Rusi, nga të cilat goditet Kharkiv. Gjatë fjalimit të tij në përkujtimin e 80-vjetorit D-Day javën e kaluar, Biden bëri një lidhje të drejtpërdrejtë midis luftës kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore dhe luftës në Ukrainë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të largohen” nga konflikti.
“Sepse nëse e bëjmë këtë, Ukraina do të nënshtrohet. Por nuk do të përfundojë me kaq. Do të kërcënohen fqinjët e Ukrainës dhe e gjithë Evropa”-theksoi ai. Megjithatë, përvoja e Rusisë është se retorika e Biden është më e ashpër se gatishmëria e tij për të ofruar armë amerikane në një mënyrë që do të rriste shanset e Ukrainës jo vetëm për mbijetesë, por edhe për fitore. Po ashtu Putin mund të inkurajohet nga ngurrimi i vazhdueshëm i Biden për të mbështetur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, diçka që u pa sërish në një intervistë të fundit me presidentin amerikan për revistën TIME. Të njëjtët zyrtarë të administratës Biden, që shqetësohen për një surprizë verore të rusëve, shpresojnë që forcat ukrainase të mbajnë linjat e tyre mbrojtëse këtë vit, dhe më pas të nisin një ofensivë të re ushtarake në vitin 2025 me furnizime të reja municionesh dhe ushtarësh.
Atëherë Ukraina mund të rifitojë mjaftueshëm territor për të përmirësuar pozicionin e saj negociues. Mënyra më e mirë për të reaguar - madje akoma më mirë, për të parandaluar - çdo surprizë të mundshme verore të Putinit, do të ishte përmes një surprize të vetë NATO-s në samitin e tij, që të tregojë një nivel uniteti dhe qëllimshmërie të tillë, sa që do ta detyronte Putinin të rimendonte ambiciet e tij për Ukrainën.
Një surprizë e tillë, mund të jetë një rrugë e përcaktuar qartë e Ukrainës drejt anëtarësimit në Aleancë, duke ia bërë të qartë Putinit se ai nuk mund ta bllokojë atë përmes luftës. Një lëvizje tjetër, do të ishte heqja e të gjitha kufizimeve për përdorimin e armëve të SHBA-së dhe aleatëve nga Ukraina./ Përshtati "Pamfleti" Nga Frederick Kempe “Atlantic Council”
Lini një Përgjigje