TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Qershor 2024, 13:30

Gjashtë skenarë të frikshëm nëse Donald Trump fiton mandatin e dytë

Shkruar nga Pamfleti

Gjashtë skenarë të frikshëm nëse Donald Trump fiton

Ai do ta bëjë të qartë se synon të nisë një lëvizje të re ideologjike globale:Aleancën Globale të Popujve dhe Kombeve. Ideja është ajo e një kauzë e përbashkët për çështjet konservatore si emigracioni dhe shtimi i lindjeve.

Donald Trump mbetet kaotik dhe jo i qëndrueshëm kur flitet për politikën e jashtme. Por ekosistemi më i gjerë i politikës së jashtme republikane, që po formohet rreth administratës së tij është gjithnjë e më i qartë dhe i organizuar. Ai përbëhet nga 3 grupime kryesore.

Në të parin bëjnë pjesë frenuesit, ata që duan që politika e jashtme të fokusohet vetëm tek vetja. Në të dytin janë prioritarët, që duan fokusimin në Azi; dhe në të tretin primacistët që duan që SHBA-ja të vazhdojë të fokusohet në mbarë globin. Ne kemi përdorur idetë që vijnë nga të treja këto grupime, dhe vetë fushata e Trump, për të imagjinuar 6 skenarë të frikshëm për politikën e jashtme të SHBA-së dhe pasojat e tyre për Evropën:

1. Lufta në Ukrainë, pritet të mbyllet me një pakt ku Rusia përfiton shumë

Duket se Donald Trump e urren Ukrainën, po aq sa e admiron Vladimir Putinin. Ndaj që në ditën e parë të mandatit të dytë, ai mund të shpallë synimin për të arritur një marrëveshje që i jep fund luftës atje. Në fillim të marsit 2025, administrata Trump do të paraqesë një buxhet të ri në Kongres, që përfshin mbi 30 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.

Por Trump shpall synimin tij për të ulur në një tryezë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe atë rus Vladimir Putin. “Kjo ndihmë shkon tek Ukraina, vetëm nëse Zelensky më ndihmon t’i japim fund kësaj lufte. Por nëse Rusia e kundërshton këtë ide të bukur, mund të ketë shumë më tepër ndihmë për Ukrainën”- do të thotë ai.

Në një konferencë për mediat, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, do të  theksojë se Rusia ka qenë gjithmonë e gatshme për të negociuar, dhe mund të marrë në konsideratë takimin nëse ai plotëson interesat thelbësore të sigurisë së Rusisë. Kjo do të përfshinte të paktën njohjen nga Ukraina të “territoreve të reja kushtetuese” të Rusisë: Krimenë, Donetskun, Luhanskin, Khersonin dhe Zaporizhzhian.

Zelensky u ankohet evropianëve për presionin e Trump. Por në një telefonatë që paso midis Uashingtonit dhe Berlinit, këshilltari i ri i Trumpit për sigurinë kombëtare, Richard Grenell kërcënon me tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa nëse Gjermania kundërshton planin.

2. Kina:Kriza në Detin e Kinës Jugore

Vetëm disa ditë pas inaugurimit në janar 2025, presidenti përballet me krizën e parë të politikës së jashtme në Indo-Paqësor. Një anije e marinës kineze përplas një anije filipinase që po përpiqej të çante bllokadën kineze në Detin e Kinës Jugore. 85 marinarë filipinas mbyten teksa kinezët bënë pak përpjekje për t’i shpëtuar.

Kjo ngjarje e vendos administratën Trump nën presion për të respektuar detyrimet e saj sipas Traktatit të Mbrojtjes së ndërsjellë SHBA-Filipine, dhe për të mbështetur një aleat kyç. Por Trump nuk shfaqet i prirur të angazhohej ushtarakisht në rajonin pranë Kinës. Por nga ana tjetër, nuk do që të shfaqet si ngacmuar nga Kina.

Shfaqja e forcës është thelbësore për të. Edhe kabineti i tij ndahet në 2 pjesë, pro dhe kundër angazhimit ushtarak. Ndërsa rritet presioni nga Kongresi, Trump vendos se duhet të përballet me Pekinin dhe të tregojë forcë. Administrata i vendos forcat amerikane në gatishmëri të lartë dhe dërgon njësi shtesë të Flotës së Paqësorit të SHBA në Detin e Kinës Jugore për të kryer patrullime të përbashkëta me Australinë, Japoninë dhe Filipinet.

Ndërsa shtohet rreziku i përplasje ushtarake midis SHBA-së dhe Kinës, ndërpriten rrugët e transportit, investitorët mbërthehen nga paniku, dhe bursat pësojnë kolaps. Richard Grenell thërret në një takim homologët e tij në BE, Francë, Gjermani, Itali dhe Poloni.

Ai u kërkon të marrin një pozicion të qartë, të bashkohen me SHBA-në në dënimin e agresionit kinez dhe të bëjnë presion për një tërheqje të shpejtë të marinës së Kinës nga ujërat territoriale të Filipineve. Ndërkohë SHBA vendos një tarifë bazë universale prej 10 për qind për të gjitha importet (përfshirë ato nga BE), dhe një tarifë 60 për qind për importet kineze.

3. Politika strategjike industriale:Dominimi total i energjisë

Kabineti i tij nis të dërgojë mesazhe se dominimi total i energjisë, do të ringjallte sektorin industrial dhe prodhues të Amerikës, dhe do të rifitonte dominimin në industritë e të ardhmes. Sipas Trump, kjo politikë do ta ndihmonte klimën. “Klima ka nevojë për dominim total të energjisë. Sepse energjia amerikane është energji e pastër. Obsesioni i Biden pas ekonomisë së gjelbër e fuqizoi Kinën”- do të thotë ai.

Nëpërmjet urdhrave ekzekutivë në prill dhe maj 2025, Trump do të anulojë pezullimin e eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Po ashtu, do të urdhërojë rifillimin e dhënies së koncensioneve për shpimet në det. Po ashtu do vendosë subvencione direkte për të inkurajuar ripërtëritjen e industrive më të rëndësishme.

4. Siguria evropiane:Gjumi i NATO-s

Kur gazetarët e pyesin presidentin për angazhimin e SHBA ndaj aleatëve të saj në NATO, Trump përgjigjet:“NATO duhet të jetë mirënjohës që jam kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Kur isha president mandatin e parë, Rusia nuk pushtoi asnjë vend. Sepse unë i detyrova vendet e NATO-s të grumbullojnë 420 miliardë dollarë shtesë në vit, pikërisht për t’u mbrojtur nga Rusia”.

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt 2025, Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s do të raportojë se më shumë se 20 anëtarë të NATO-s kanë arritur objektivin e shpenzimeve 2 për qind të PBB-së. Por për administratën republikane, as kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.

Në pranverën e vitit të ardhshëm, Pentagoni do të kryejë një rishikim të pozicionit global. Në një konferencë shtypi, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Anthony Tata, do të prezantojë disa nga rekomandimet kryesore, ku parashikohet reduktim i mëtejshëm i forcave amerikane në Evropë, dhe dhënia përparësi e sfidës që paraqet Kina në Indo-Paqësor.

5. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut:Ta bëjmë sërish të madh Izraelin

Trump nuk ka qenë shumë i zëshëm për çështjen izraelito-palestineze që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023. Por në mandatin e tij të parë, ai shfaqi qartazi një mbështetje edhe të më madhe për Izraelin sesa Biden. Ndaj udhëtimi i parë i Trump jashtë vendit në shkurt 2025, do të jetë në Izrael.

Shtëpia e Bardhë do të bëjë thirrje për krijimin e një shteti palestinez të demilitarizuar me fuqi të kufizuara sovrane. Izraeli do të shërbente si ofruesi i vetëm i sigurisë për të dyja shtetet. Po ashtu Trump, do të kërkojë aneksimin nga Izraeli të vendbanimeve të Bregut Perëndimor dhe Luginës së Jordanit, për të realizuar 50 miliardë dollarë investime.

Kështu SHBA-ja do të mbështetë “modelin e Dubait” për palestinezët, pra transformimin e Bregun Perëndimor dhe Gazës në qendra rajonale financiare dhe tregtare. Pas Izraelit, ai do të shkojë në Arabinë Saudite, ku në këmbim të investimeve saudite në ekonominë palestineze dhe normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, Trump do të ofrojë energjinë bërthamore për përdorim civil, një bashkëpunim të zgjeruar në fushën e sigurisë, privilegje tregtare të favorshme, dhe investime të SHBA-së në energji dhe turizëm.

6. Ideologjia:Aleanca globale e popujve dhe kombeve

Në shkurt 2025, Trump do të mbajë fjalimin kryesor në Komitetin Konservator të Veprimit Politik në Uashington, ku do të jenë të ftuar liderë autoritarë si hungarezi Viktor Orban, sllovaku Robert Fico, serbi Aleksandar Vuçiç, holandezi Geert Ëilders etj.

Ai do ta bëjë të qartë se synon të nisë një lëvizje të re ideologjike globale:Aleancën Globale të Popujve dhe Kombeve. Ideja është ajo e një kauzë e përbashkët për çështjet konservatore si emigracioni dhe shtimi i lindjeve. Ndërkohë, këshilltari i sigurisë kombëtare Richard Grenell do ta takohet me Vuçiç në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë për të diskutuar detajet e një plani të mundshëm paqeje Serbi-Kosovë, që Grenell kishte menduar gjatë kohës që ishte jashtë detyrës.

Grenell thotë se Trump e do një marrëveshje historike paqeje midis Beogradit dhe Prishtinës, duke sugjeruar se problem është kryeministri kosovar Albin Kurti, një “obstruksionist marksist”. Kjo për shkak të refuzimit nga Kurti të “rishikimit të kufijve” në veri që do t'i transferonte Serbisë 4 komuna të dominuara nga serbët, parakushti kryesor i Vucic për paktin. Nëse arrihet kjo, qeveria serbe do të jepte leje për një investim të planifikuar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner për një hotel luksoz, 1500 njësi banimi dhe një muze në Beograd. /Përshati "Pamfleti" Marrë nga Celia Belin, Majda Ruge & Jeremy Shapiro “European Council on Foreign Relations”

 

Lini një Përgjigje