TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Maj 2026, 20:10

U kap me 'pluhur të bardhë' në makinë, ndalimi i peshkopit rus përplas Pragën me Moskën

Shkruar nga Pamfleti
U kap me 'pluhur të bardhë' në makinë, ndalimi i
Peshkopi Hilarion me Putinin

Një peshkop rus, një substancë narkotike në bagazhin e makinës dhe akuza për “provokim politik”. Rasti i arrestimit të peshkopit ortodoks Hilarion në Çeki është kthyer në një tjetër përplasje diplomatike mes Pragës dhe Moskës.

Policia çeke liroi pa akuza peshkopin ortodoks rus Hilarion, i njohur me emrin civil Grigory Alfeyev, pasi ai ishte ndaluar nën dyshimet për posedim droge.

60-vjeçari u ndalua të dielën në Karlovy Vary, qyteti termal në perëndim të Çekisë që prej vitesh është një nga destinacionet e preferuara të turistëve rusë dhe ku jeton një diasporë e konsiderueshme ruse.

Sipas policisë çeke, oficerët ndaluan automjetin e tij pas një telefonate anonime që paralajmëronte për transport të substancave narkotike dhe psikotrope. Gjatë kontrollit, në bagazhin e makinës u gjetën disa enë me një substancë të bardhë.

Pas lirimit, Hilarion deklaroi në Telegram se analizat laboratorike konfirmuan se bëhej fjalë për një substancë të ndaluar, por insistoi se ai ishte viktimë e një kurthi.

“Vetë fakti që u gjet një substancë e ndaluar nuk i përgjigjet pyetjes kryesore: si përfunduan këto sende në makinë?”, shkroi ai.

Moska reagoi menjëherë dhe e cilësoi arrestimin si “provokim të qëllimshëm dhe të orkestruar”.

Kisha Ortodokse Ruse e përshkroi ngjarjen si një “kurth klasik”, ndërsa Ministria e Jashtme ruse thirri në Moskë të ngarkuarin me punë të Çekisë, Jan Ondřejka, për të protestuar zyrtarisht ndaj ndalimit të peshkopit.

Hilarion nuk është një figurë e zakonshme e kishës ruse.

Për vite me radhë ai drejtoi departamentin për marrëdhëniet e jashtme të Kishës Ortodokse Ruse, duke u konsideruar praktikisht “ministri i jashtëm” i kishës.

Ai shihej gjithashtu si një nga njerëzit më të afërt të Patriarkut Kirill, kreut të fuqishëm të Kishës Ortodokse Ruse dhe aleat i ngushtë i Vladimir Putinit.

Por pozitat e tij nisën të dobësoheshin vitet e fundit.

Ndryshe nga shumë klerikë të lartë rusë që mbështetën publikisht pushtimin rus të Ukrainës, Hilarion nuk u shpreh hapur as në favor dhe as kundër luftës. Pak kohë pas nisjes së pushtimit në shkurt 2022, ai u degradua dhe u dërgua jashtë Rusisë.

Në dhjetor 2024, Sinodi i Kishës Ortodokse Ruse e largoi nga drejtimi i dioqezës Budapest-Hungari, pasi një ndihmës i ri e akuzoi për ngacmim seksual — akuza që Hilarion i ka mohuar.

Ai u përball gjithashtu me kritika për stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë pushime me jahte dhe ski, si edhe raportime për një pronë pranë Budapestit.

Vetë Hilarion ka deklaruar se pasuria dhe stili i jetës së tij financoheshin nga honoraret e librave dhe filmave që ka realizuar.

Pas largimit nga Hungaria, ai u transferua në Kishën e Shën Pjetrit dhe Palit në Karlovy Vary, ku shërbente deri në arrestimin e fundit që tashmë po merr edhe përmasa diplomatike.

putin peshkopi

Lini një Përgjigje