Jaguar, stilolapsa Montblanc, ora luksoze, iPad dhe madje edhe një set kripe e piperi prej 3 mijë eurosh. Kështu, sipas prokurorëve skocezë, ish-bashkëshorti i Nicola Sturgeon shpenzonte paratë e partisë nacionaliste skoceze.
Peter Murrell, ish-drejtuesi i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) dhe për vite një nga njerëzit më të fuqishëm të politikës në Skoci, pranoi në gjykatë se kishte përvetësuar mbi 400 mijë paund, nga fondet e partisë që ai vetë drejtonte.
Në listën e luksit përfshiheshin: një motorhome luksoz prej rreth 150 mijë eurosh; një makinë Jaguar; PlayStation dhe iPad; stilolapsa Montblanc; si dhe një set kripe dhe piperi me vlerë 3 mijë euro.
Mediat britanike raportojnë se lista e plotë e blerjeve arrin në 119 faqe.
Murrell, i cili së bashku me Nicola Sturgeon formonte për vite “çiftin mbretëror” të politikës skoceze, rrezikon tani një dënim të gjatë me burg.
Ndërsa Nicola Sturgeon, ish-kryeministrja që për vite ndërtoi imazhin e politikanes progresiste dhe të pakorruptueshme, këmbëngul se nuk dinte asgjë për atë që bënte bashkëshorti i saj, nga i cili tashmë është ndarë.
Sipas saj, të dy kishin llogari bankare të ndara.
Por opozita skoceze e konsideron pak të besueshme idenë që një burrë me rrogë pak mbi 100 mijë paund në vit mund të financonte vetë një stil jete kaq luksoz pa u vënë re nga askush në shtëpi.
Skandali shpërtheu në prill të tre viteve më parë, kur Murrell u arrestua në banesën që ndante me Sturgeon.
Motorhome-i luksoz, i parkuar para shtëpisë së nënës së tij, u sekuestrua nga policia dhe u kthye në simbolin e aferës që tronditi politikën skoceze.
Dy muaj më vonë u arrestua edhe vetë Nicola Sturgeon, megjithëse më pas ajo u lirua nga akuzat.
Dorëheqja e saj në shkurt 2023 zyrtarisht u lidh me dështimet politike, nga pavarësia e Skocisë deri te debatet për politikat gjinore.
Por në Britani vazhdon dyshimi se ajo mund të ketë kuptuar se hetimi po afrohej dhe vendosi të largohej përpara shpërthimit të skandalit.
Dhe pikërisht këtu historia bëhet thuajse ironike për publikun shqiptar.
Në Skoci, politika, media dhe opinioni publik tronditen për 400 mijë paund.
Ndërsa në Shqipëri, korrupsioni është bërë aq normal sa lajmi nuk është më kur zhduken milionat, por kur kapet dikush “i vogël”.
Në Tiranë, një pastruese u kthye në simbol kombëtar sepse iu gjetën 500 mijë euro në shtëpi. Një pastruese.
Ndërkohë, prej vitesh shqiptarët dëgjojnë për tendera me miliona, koncesione, afera, vila, inceneratorë, rrugë dhe pasuri marramendëse që lidhen me pushtetin, dhe pothuajse askush nuk tronditet më.
Në Skoci, një aparat kafeje dhe një Jaguar rrëzojnë karriera politike. Në Shqipëri, milionat janë bërë aq të zakonshme sa skandali zgjat vetëm disa ditë, pastaj vendi vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur. /Pamfleti
Jo jo, nuk behet fjale per nje aparat kafeje. Burri i ish kryeministres mistrece kishte vjedhur me se 400 mije paund e mes sendeve te vlera ishte dhe furgoni shtepi per pushime 120 mije e lista ishte shume e gjate. Mos e beni qimen tra e traun qime. Te ish blloku ndertesa e pare 5 kateshe e pare u "ndertua" nga vjehrri e Sali Berishes. E di gjithe Tirana e nuk e permend njeri. Mos harroni se kapitali e biznesi punon e pjell e pjell si pula perdite veze. Kur e pyeten Rockefeller per faturat ju tha, mos me pyesni per ndertesen e pare se per te tjerat i kam faturat cent me cent. Keta ish pabreksat maloke tane nuk dihet kur do ndalin se grabituri.