Shëndeti i Donald Trump rikthehet sërish në qendër të debatit politik dhe mediatik në SHBA, ndërsa presidenti amerikan pritet t’i nënshtrohet sot një tjetër kontrolli mjekësor në Walter Reed National Military Medical Center, spitali ushtarak më i rëndësishëm i vendit.
Shtëpia e Bardhë e përshkruan vizitën si një “kontroll mjekësor dhe dentar parandalues vjetor”, por mediat amerikane theksojnë se ky është kontrolli i katërt i bërë publik në pak më shumë se një vit, që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Në SHBA nuk ekziston një ligj që i detyron presidentët të publikojnë kartelat e tyre mjekësore, megjithatë administratat zakonisht japin informacione mbi gjendjen shëndetësore të presidentit. Problemi, sipas analistëve, është se raportet filtrohen nga Shtëpia e Bardhë dhe publikohen vetëm pasi miratohen nga vetë presidenti.
Trump mbush 80 vjeç muajin e ardhshëm dhe çështja e moshës është kthyer në një temë të ndjeshme në politikën amerikane, sidomos pas tërheqjes së Joe Biden nga gara presidenciale për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin dhe moshën e tij.
Kontrolli i sotëm vjen edhe në një moment delikat politik, ndërsa Trump kërkon të projektojë imazhin e një lideri energjik përpara zgjedhjeve të Midterm.
Megjithatë, dyshimet mbi gjendjen e tij fizike dhe mendore vazhdojnë.
Një sondazh i Washington Post, ABC News dhe Ipsos tregoi se më pak se gjysma e amerikanëve besojnë se Trump ka shëndetin fizik dhe kthjelltësinë mendore të nevojshme për të ushtruar në mënyrë efektive detyrën e presidentit.
Jeffrey Kuhlman, ish-mjek i Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencave të Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, deklaroi se shqetësimet për shëndetin e presidentit janë “ndoshta në nivelin më të lartë historik”.
Sipas tij, për një president në moshën e Trump, një kontroll i plotë duhet të përfshijë analiza të avancuara të zemrës, kontrolle për tumoret më të zakonshme dhe teste njohëse.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje mbi ekzaminimet që do të kryhen, por është shprehur e bindur për rezultatet.
“Presidenti Trump është presidenti më brilant dhe më i aksesueshëm në historinë amerikane dhe gëzon shëndet të shkëlqyer”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle.
Gjatë daljeve publike, Trump është parë shpesh me grim në duar për të mbuluar mavijosje, të cilat administrata i ka lidhur me shtrëngimet e shumta të duarve dhe përdorimin e aspirinës.
Në disa raste ai është shfaqur i përgjumur gjatë mbledhjeve zyrtare, ndërsa vetë presidenti ka mohuar se ka fjetur gjatë takimeve.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se i ka kaluar “shkëlqyeshëm” testet njohëse, por disa ekspertë kanë ngritur shqetësime për fjalimet e tij shpesh të çrregullta dhe retorikën agresive.
Muajin e kaluar, më shumë se 30 neurologë, psikiatër dhe ekspertë të tjerë publikuan një deklaratë ku vunë në dyshim aftësinë mendore të Trump për të ushtruar detyrën presidenciale.
Ekspertët pranuan se nuk e kishin vizituar personalisht presidentin, por thanë se bazoheshin në “shenja objektivisht të vëzhgueshme të problemeve serioze shëndetësore” dhe paralajmëruan për një “përkeqësim gjithnjë e më të rrezikshëm” të sjelljes së tij.
Lini një Përgjigje