
Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit në rajonin Hormozgan, pranë Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se Teherani do të reagojë ndaj çdo akti që e konsideron agresion.
Sipas deklaratës së ministrisë, gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar “ngacmime të përsëritura detare kundër anijeve tregtare iraniane”, për të cilat fajësohet ushtria amerikane.
“Shtetet e Bashkuara kryen një shkelje të rëndë të armëpushimit në rajonin Hormozgan në 48 orët e fundit... Irani e mban regjimin amerikan përgjegjës për të gjitha pasojat që vijnë nga këto veprime agresive dhe të pajustifikuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane.
Autoritetet iraniane theksuan se vendi “nuk do të lërë asnjë akt agresioni pa përgjigje” dhe se mbrojtja e territorit dhe qytetarëve iranianë mbetet prioritet.
SHBA: Sulmet ishin “veprime vetëmbrojtëse”
Nga ana tjetër, ushtria amerikane deklaroi se kishte kryer sulme ndaj objektivave në jug të Iranit, përfshirë anije që dyshohej se po vendosnin mina detare dhe vende të lëshimit të raketave.
Sipas Uashingtonit, operacionet kishin karakter mbrojtës dhe synonin sigurinë në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
IRGC pretendon rrëzimin e një droni amerikan
Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se forcat iraniane kanë rrëzuar një dron amerikan MQ-9 Reaper dhe kanë hapur zjarr ndaj një avioni luftarak F-35 dhe një tjetër droni që, sipas tyre, kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane.
IRGC nuk dha detaje mbi kohën e saktë të incidenteve, por paralajmëroi se çdo shkelje e armëpushimit do të marrë “përgjigje reciproke”.
“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike paralajmëron kundër çdo shkeljeje të armëpushimit nga ushtria agresive amerikane dhe e konsideron të drejtën e saj për përgjigje reciproke si legjitime dhe të sigurt”, thuhet në deklaratën e publikuar nga mediat shtetërore iraniane.
Situata mbetet e tensionuar
Forcat amerikane dhe ato iraniane kanë pasur përplasje edhe më herët gjatë periudhës së armëpushimit, ndërsa mbetet e paqartë se si incidentet e fundit do të ndikojnë në stabilitetin e marrëveshjes dhe sigurinë në rajon.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më strategjike për transportin global të naftës, ndaj çdo përshkallëzim mes Uashingtonit dhe Teheranit rrit shqetësimet për destabilizim më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje