Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje me Iranin është ende e mundur, pavarësisht tensioneve të fundit dhe sulmeve të kryera nga SHBA ndaj objektivave iraniane në jug të vendit.
Komentet e Rubios vijnë pasi Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se forcat amerikane goditën një vend lëshimi raketash dhe anije iraniane që, sipas Uashingtonit, po përpiqeshin të vendosnin mina detare.
Sipas autoriteteve amerikane, operacioni u krye në kuadër të “vetëmbrojtjes”.
“Një marrëveshje me Iranin është ende e mundur”, deklaroi Marco Rubio.
Fokusi i tensioneve mbetet Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike për transportin global të naftës. Rubio theksoi se kjo rrugë detare “do të hapet, në një mënyrë ose në një tjetër”.
Ndërkohë, nga Teherani kanë ardhur paralajmërime të forta për reagim ndaj çdo sulmi të mëtejshëm amerikan.
“Përgjigja jonë do të shtrihet përtej rajonit”, deklaroi zëdhënësi i Forcave të Armatosura iraniane, Shakarchi.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet në rajon.
Lini një Përgjigje