
Presidenti Donald Trump, ka thirrur sot një takim të gjerë në Uashington për situatën në Rripin e Gazës, duke sinjalizuar një përpjekje të re për të ndikuar në rrjedhën e konfliktit që ka gjymtuar rajonin dhe imazhin ndërkombëtar të SHBA.
Ambasadori amerikan Steve Witkoff konfirmoi për Fox News se takimi do të drejtohet nga vetë Presidenti dhe se do të prezantohet “një plan i gjithanshëm për ditën pas luftës në Gaza”. Megjithatë, Witkoff nuk dha detaje mbi përmbajtjen konkrete të këtij plani.
Takimi vjen në një moment kritik: Gaza është në prag të një katastrofe humanitare totale, me imazhe të fëmijëve të uritur dhe infrastrukturës së shkatërruar që po trondisin opinionin publik global. Sipas burimeve ndërkombëtare, që nga prilli situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa ndihmat janë pothuajse të bllokuara.
Trump, i cili gjatë fushatës së 2024 premtoi t’i jepte fund shpejt luftës në Gaza, hyri në detyrë me një armëpushim dy mujor, i cili u ndërpre më 18 mars pas një serie sulmesh izraelite që lanë rreth 400 palestinezë të vrarë.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takohet sot në Uashington me Ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Saar, një sinjal se koordinimi SHBA-Izrael për vijimin e operacioneve është ende aktiv.
Por pyetja që shtrohet është: A po përpiqet Trump të restaurojë imazhin e SHBA si ndërmjetës paqeje, apo po përgatit një plan politik për të zhvendosur vëmendjen nga kritikat për mungesën e veprimit gjatë muajve të parë të mandatit të tij?
Lini një Përgjigje