
Pas një konference kontroverse ku u interpretua se propozonte deportimin e grave dhe fëmijëve migrantë, Nigel Farage është përpjekur të qartësojë pozicionin e tij.
Lideri i Reform UK deklaroi sot se nuk është kundër migrimit në vetvete, për sa kohë që bëhet fjalë për "një nivel të arsyeshëm" dhe për persona të aftë që kontribuojnë në ekonominë britanike.
“Nëse njerëzit vijnë në Britani me aftësi, integrohen dhe kontribuojnë, askush s’ka problem me ta, për sa kohë që numrat janë të përballueshëm”, tha Farage, duke lënë të hapur një derë për migracionin e kualifikuar, në kontrast me qëndrimet e mëparshme ekstremiste.
Megjithatë, ai vijon të mbajë një linjë të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm, duke sqaruar se deportimi nuk është i parashikuar për gratë dhe fëmijët “në këtë fazë”, por pa i përjashtuar në të ardhmen. “Nuk thashë që janë të përjashtuar përgjithmonë, por për pesë vitet e ardhshme nuk është pjesë e planit tonë”, deklaroi ai.
Deklaratat e Farage vijnë ndërkohë që partia e tij po përpiqet të pozicionohet si një alternativë e fortë ndaj konservatorëve, të cilët i akuzon për “dështim total” në menaxhimin e kufijve dhe të migracionit. Ai u zotua se Reform UK nuk do të bëhet “Tory Party 2.0” dhe nuk do të shërbejë si strehë për ish-politikanë që kërkojnë ringjallje karriere.
Ndërkohë, Reform UK po zgjerohet edhe në Skoci, ku Farage prezantoi deputetin e fundit të larguar nga Konservatorët, Graham Simpson. “Ne jemi shumë selektivë me kë pranojmë. Kush hyn, duhet të ngrejë mëngët dhe të punojë për projektin”, theksoi ai, duke shtuar se kanë pasur edhe kalime nga Laburistët e Liberal Demokratët.
Lini një Përgjigje