Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Presidenti Donald Trump favorizon zgjidhjet diplomatike në përballjen me Iranin, ndërsa konfirmoi ekzistencën e kontakteve të vazhdueshme mes palëve.
Në një intervistë për Al Jazeera me gazetarin Hashem Ahelbarra, Rubio tha se mes SHBA-së dhe aktorëve brenda Iranit po zhvillohen komunikime, kryesisht përmes ndërmjetësve. Ai shtoi se një zgjidhje diplomatike kishte qenë e mundur edhe më herët.
"Presidenti Trump gjithmonë preferon diplomacinë dhe gjithmonë preferon të arrijë një rezultat, dhe ne mund ta kishim bërë këtë më parë", tha Rubio.
Rubio akuzoi autoritetet iraniane se kanë përdorur burimet e vendit për të mbështetur grupe si Hezbollah, Hamas dhe milicitë shiite në Irak, duke rritur tensionet në rajon. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin çdo zhvillim që do të sillte një udhëheqje me një qasje tjetër ndaj së ardhmes së Iranit. Duke folur për sigurinë rajonale, Rubio theksoi se Irani nuk duhet të lejohet të zotërojë armë bërthamore dhe duhet të ndalojë aktivitetet që, sipas tij, përfshijnë sponsorizimin e terrorizmit dhe prodhimin e armëve që kërcënojnë vendet fqinje.
Ai shtoi se raketat me rreze të shkurtër veprimi të Iranit përbëjnë rrezik për vendet e Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin. Rubio kërkoi që Irani të ndërmarrë hapa konkretë për të braktisur programin bërthamor, si dhe të ndalojë prodhimin e dronëve dhe raketave, duke theksuar se rreziku nga një Iran i armatosur bërthamor mbetet i papranueshëm për SHBA-në.
"Regjimi iranian nuk mund të sigurojë kurrë armë bërthamore dhe duhet të ndalojë sponsorizimin e terrorizmit dhe prodhimin e armëve që kërcënojnë fqinjët e tij. Raketat me rreze të shkurtër veprimi të lëshuara nga iranianët kanë vetëm një qëllim: të sulmojnë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin. Regjimi iranian dëshiron të zotërojë armë bërthamore për të kërcënuar dhe shantazhuar botën, por ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë të ndodhë. Rreziku që ai paraqet është shumë i madh. Irani tani duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt braktisjes së programit të tij bërthamor dhe çdo ambicie për të zotëruar armë bërthamore", shtoi më tej Rubio.
Lini një Përgjigje