TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Dhjetor 2025, 19:05

Trump sulmon televizionet, kërkon mbylljen e emisioneve satirike

Shkruar nga Pamfleti
Trump sulmon televizionet, kërkon mbylljen e emisioneve satirike
Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndërmarrë një tjetër sulm verbal ndaj emisioneve satirike të mbrëmjes në televizionet amerikane, të njohura si “late shows”, të cilat prej vitesh janë objekt kritikash të vazhdueshme nga ana e tij. Në një gjuhë veçanërisht agresive, banori i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi sërish me heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive që, sipas tij, mbajnë një qëndrim armiqësor ndaj tij dhe lëvizjes konservatore MAGA.

Në shënjestër të drejtpërdrejtë të presidentit ishte emisioni i humoristit Stephen Colbert në rrjetin CBS. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump kërkoi që televizioni ta “vërë për gjumë, TANI”, duke e cilësuar Colbert-in si “një katastrofë të mjerë”. Shprehja e përdorur nga presidenti, në anglisht, nënkupton jo vetëm largimin nga ekrani, por përdoret edhe për të përshkruar eutanazinë e kafshëve, çka i ka dhënë deklaratës një ngarkesë edhe më të rëndë simbolike.

CBS ka bërë të ditur prej muajsh se emisioni “The Late Show with Stephen Colbert” do të përfundojë në muajin maj, por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e presidentit ka rikthyer debatin mbi presionin politik ndaj mediave. Në një tjetër postim, Trump shkroi se nëse programet informative dhe emisionet e mbrëmjes janë “pothuajse 100% negative” ndaj tij, ndaj MAGA-s dhe Partisë Republikane, atëherë – sipas tij – licencat e vlefshme të transmetimit duhet t’u hiqen. “Unë them PO”, shtoi 79-vjeçari, duke përsëritur një kërcënim që e ka artikuluar edhe më parë.

Tensionet mes Shtëpisë së Bardhë dhe CBS-it janë përkeqësuar edhe për shkak të një marrëveshjeje financiare të fundit. Kompania Paramount, pronare e CBS-it, i pagoi Trump-it 16 milionë dollarë për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me montazhin e një interviste të dhënë nga Kamala Harris, kundërshtarja e tij demokrate në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Situata u tensionua edhe më shumë fundjavën e kaluar, kur drejtoresha e re e lajmeve në CBS, Barry Weiss, ndaloi transmetimin e një reportazhi mbi pasojat e ashpra të dëbimeve të emigrantëve drejt El Salvadorit nga administrata Trump. Gazetarja dhe narratorja e materialit reagoi publikisht, duke folur për “censurë” dhe për një “vendim politik”.

Presioni nuk është kufizuar vetëm te CBS. Rrjeti tjetër amerikan ABC pezulloi përkohësisht prodhimin e emisionit satirik të Jimmy Kimmel, “Jimmy Kimmel Live!”, përpara se ta rikthente disa ditë më vonë pas reagimeve të forta publike, duke zgjatur kontratën e Kimmel-it edhe për një vit, deri në mesin e vitit 2027.

trump mediat emisione satirike

Lini një Përgjigje