TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Dhjetor 2025, 16:35

Misteri i rrëzimit të avionit të udhëheqësve ushtarakë libianë, ku po përqëndrohen hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Misteri i rrëzimit të avionit të udhëheqësve
Mbetje të avionit të rrëzuar në Turqi

Të tjera detaje po dalin në pah lidhur me tragjedinë ajrore që ndodhi mbrëmjen e së martës në Turqi, ku një avion në bordin e të cilit ndodheshin zyrtarët më të lartë të ushtrisë libiane, përfshi edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Mohamed Ali Al-Haddad, u rrëzua jashtë Ankarasë. Në bordin e avionit ndodheshin 8 persona, që të gjithë humbën jetën.

Kutia e zezë, nga e cila pritet të hidhet më shumë dritë mbi ngjarjen, do të analizohet në një vend neutral, njoftoi sot Qeveria turke.

“Analiza e regjistruesit të zërit në kabinën e pilotit dhe e kutisë së zezë të avionit, e cila do të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të rrëzimit, do të kryhet në një vend neutral”, njoftoi ministri i Transportit të Turqisë, Abdulkadir Uraloğlu në një postim në X.

Avioni i rrëyuar ishte një Falcon 50. Sipas autoriteteve turke, në bord ndodhej një delegacion ushtarak i rangut të lartë nga Libia.

Pas rrëzimit të avionit privat, ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se ishin gjetur si regjistruesi i zërit në kabinën e pilotit (CVR) ashtu edhe regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR), i njohur si "kutia e zezë", e Falcon 50.

Një grua greke thuhet se është midis tetë viktimave të rrëzimit të avionit. Sipas informacioneve të deritanishme, ajo ishte anëtare e ekuipazhit të avionit. Ajo është identifikuar si Maria Pappa.

Referuar të dhënave teknike, avioni me numër fluturimi 9H-DFS u ngrit nga Ankaraja në orën 20:17, me destinacion Tripolin. Rreth gjysmë ore pas ngritjes, piloti raportoi një defekt serioz elektrik dhe kërkoi një ulje të detyruar të menjëhershme. Menjëherë pas kërkesës, komunikimi me kullën e kontrollit u ndërpre, deri në momentin e impaktit me tokën.

Pas incidentit tragjik, autoritetet turke kanë mbyllur një zonë të gjerë, brenda një rrezeje prej afërsisht tre kilometrash, ku janë gjetur pjesë të shpërndara të avionit.

Të dhënat e mbledhura po shqyrtohen nga shërbimet kompetente të hetimit të aksidenteve ajrore, ndërsa Turqia deklaron vendosmërinë e saj për të vazhduar me një hetim të plotë të rrethanave të tragjedisë.

Udhëheqja ushtarake libiane ishte duke u kthyer në Tripoli, pasi përfundoi kontaktet zyrtare në Ankara, si pjesë e bisedimeve mbi çështjet e bashkëpunimit në mbrojtje.

 

turqi avioni libianë

Lini një Përgjigje