Bazuar në kufijtë e Perandorisë Cariste në prag të Luftës së Parë Botërore, objektivat e mundshme të agresionit të ardhshëm rus mund të përfshijnë Finlandën, Poloninë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Bjellorusinë, Moldavinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe vendet e Azisë Qendrore. Qasja më maksimaliste do të përfshinte të gjithë Evropën Lindore, pra ish-satelitët komunistë të Moskës...
Ndërsa zyrtarët amerikanë po diskutojnë mbi perspektivat e një paqeje me kompromis, presidenti rus Vladimir Putin ka sinjalizuar sërish se oreksi i tij ekspansionist është larg të qenit i ngopur. Në një fjalim para zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes në dhjetor 2024, Putin deklaroi se qëllimet maksimaliste të pushtimit do të përmbushen “pa kushte”, duke e paraqitur luftën si një kryqëzatë për të përmbysur tërheqjen e Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Nëse pala kundërshtare refuzon diskutimet thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake”- deklaroi ai. Kjo retorikë nuk është e re. Putin ka përdorur vazhdimisht leksione historie për të justifikuar agresionin, duke e krahasuar veten me Carin Pjetri i Madh. Megjithatë, në një kohë ankthi në Evropë, është jetike të shqyrtojmë se çfarë nënkupton ai me “toka historikisht ruse”.
Përtej Donbasit: “Novorossiya” dhe fati i Kievit
Interpretimi më i thjeshtë sugjeron se Putin i referohet rajonit të Donbasit. Megjithatë, sinjalet e Kremlinit janë kontradiktore. Putin foli së fundmi për “çlirimin e pashmangshëm të Donbasit dhe Novorossiya-s”. Ky i fundit, një term i epokës cariste (“Rusia e Re”), përfshinte dikur pjesën më të madhe të Ukrainës Jugore dhe Lindore.
Nacionalistët rusë parashikojnë një territor që shtrihet përtej provincave të pushtuara, duke përfshirë qytete si Odesa dhe Harkivi, dhe gjithë vijën bregdetare të Detit të Zi. Pastaj është çështja e Kievit. Sipas mitologjisë ruse, ky qytet është “nëna e qyteteve ruse” dhe vendlindja e Ortodoksisë.
Është e vështirë të imagjinohet që Putin të pranojë një paqe ku Kievi mbetet kryeqyteti i një Ukraine të pavarur dhe “armiqësore”. Në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, Putin deklaroi: “Unë i konsideroj rusët dhe ukrainasit si një popull të vetëm. Në këtë kuptim, e gjithë Ukraina është e jona”. Por pyetja vërtet alarmante është: A shtrihet kjo agjendë përtej Ukrainës?
Trashëgimia e BRSS si “Rusi historike”
Vizioni i Putinit nuk kufizohet në kufijtë aktualë. “Çfarë është Bashkimi Sovjetik? Është Rusia historike”- deklaroi ai në vitin 2022. Për të, shpërbërja e BRSS-së ishte “humbja e asaj që ishte ndërtuar gjatë 1.000 viteve”. Kur një diktator ankohet për perandori të humbura mijëvjeçare, rrezikohet siguria ndërkombëtare.
Fiksimi i Putinit me Ukrainën buron nga perceptimi i saj si simboli i padrejtësisë së rënies së Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, as sakrifikimi i Ukrainës nuk do ta qetësonte atë. Argumentet e tij historike mund të vlejnë për çdo vend që ishte dikur nën sundimin rus. Siç u shpreh ai: “Kudo që shkel një ushtar rus, ajo tokë është e jona!”.
Bazuar në kufijtë e Perandorisë Cariste në shtrirjen e saj më të madhe në prag të Luftës së Parë Botërore, objektivat e mundshme të agresionit të ardhshëm rus mund të përfshijnë Finlandën, Poloninë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Bjellorusinë, Moldavinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe kombet e Azisë Qendrore.
Por as kjo listë nuk është shteruese. Një qasje vërtet maksimaliste do të kërkonte gjithashtu përfshirjen e shumë shteteve ish-satelite sovjetike që përbënin Bllokun Lindor gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Rezistenca e Ukrainës dhe dobësitë e Perëndimit
Mosbesuesit e vënë në pikëpyetje aftësinë ushtarake të Rusisë, duke parë sjelljen e saj në frontin ukrainas. Por ky është një mashtrim i rrezikshëm. Mungesa e përparimit rus nuk është dobësi e tyre, por dëshmi e sakrificës heroike të Ukrainës. Nëse Ukraina bie, Evropa do të përballet me një sfidë për të cilën është e papërgatitur.
Ushtria ukrainase është sot forca më me përvojë në kontinent. Nëse Putin e mposht, ai do të integrojë këtë forcë dhe industrinë e saj inovative në makinerinë e tij të luftës. Një Evropë pjesërisht e çarmatosur do të gjendej përballë një Putini që kontrollon dy ushtritë më të mëdha të kontinentit.
Ndërkohë, luftën e nxit edhe logjika e brendshme e regjimit rus. Shoqëria ruse është shumë e militarizuar. Qindra mijëra ushtarë marrin paga të larta dhe janë dehumanizuar nga lufta. Mbajtja e tyre “të zënë” larg kufijve rusë është një përparësi sigurie për Kremlinin.
Gjeopolitika dhe Neni 5 i NATO-s
Klima aktuale gjeopolitike i ofron Putinit një mundësi unike. Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ka krijuar pasiguri mbi angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s. Nëse Rusia sulmon shtetet baltike, a do të aktivizohej Neni 5? Me qëndrimin e paqartë të administratës së re amerikane, kjo nuk mund të merret më si e mirëqenë.
Nga ana tjetër, Evropa nuk është ende në gjendje të mbrohet e vetme. Riarmatimi do të zgjasë me vite, ndërsa vullneti politik mbetet i përçarë. Dështimi për të përdorur asetet e ngrira ruse për Ukrainën tregon frikën e evropianëve nga përshkallëzimi, një sinjal dobësie që vetëm sa e trimëron Putinin. Rusia e ka përshkallëzuar tashmë luftën hibride ndaj Evropës, përmes sabotimeve në infrastrukturën kritike evropiane dhe sulmeve me dronë.
Një imperialist oportunist
Putini nuk punon me një orar fiks. Ai është një imperialist oportunist, oreksi i të cilit rritet pas çdo lëshimi që arrin të marrë. Ai beson se është në një mision mesianik për ta rikthyer Rusinë si superfuqi dominuese. Zhdukja e shtetit të Ukrainës është vetëm hapi i parë.
Ideja se një fitore e Rusisë në Ukrainë do të sillte paqe është iluzion. Paqja e diskutuar aktualisht do të linte 80 për qind të Ukrainës të lirë për t’u integruar me Perëndimin, pikërisht atë që Putin synon të shkatërrojë. Çdo marrëveshje që mbron pavarësinë e Ukrainës do të shihej në Moskë si një disfatë historike.
Prandaj, Putin do të vazhdojë luftën derisa Ukraina të bëhet trampolinë për fazën tjetër të zgjerimit të kufijve. Putini e ka kaluar tashmë pikën e moskthimit. Ai nuk do të devijojë për shkak të sanksioneve apo lëshimeve të vogla. Paqja është e mundur vetëm nëse presioni mbi të rritet deri në pikën sa ai të ketë frikë nga humbja në fushëbetejë dhe nga kolapsi i brendshëm i regjimit të tij./Përshtati "Pamfleti", nga “Atlantic Council”
Lini një Përgjigje