Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë të ditur homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se synon të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Ankara gjatë muajit korrik. Lajmi bëhet i ditur nga burime të njohura me bisedimet, të cituara nga Middle East Eye.
Në prill, Trump kishte deklaruar se po shqyrtonte seriozisht mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO, duke shprehur pakënaqësi ndaj funksionimit të aleancës.
Megjithatë, gjatë një bisede telefonike me Erdoganin më 20 maj, presidenti amerikan duket se ka mbajtur një qëndrim tjetër, duke sinjalizuar gatishmërinë për të vizituar Ankaranë dhe për të marrë pjesë në samit, sipas raportimit.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi gjatë fundjavës se Erdogan ka zhvilluar disa biseda me Trump gjatë muajit të fundit dhe se në asnjërën prej tyre presidenti amerikan nuk ka lënë të kuptohet se do të mungojë në takimin e NATO-s.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se Erdogan dëshiron të zhvillojë një takim me Trump në Los Anxhelos, në kuadër të ndeshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë për Kupën e Botës, e planifikuar për 25 qershor. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për një vizitë të tillë.
Që nga fillimi i vitit, Trump ka dhënë sinjale të ndryshme lidhur me praninë ushtarake amerikane në Evropë. Vetëm pak javë pasi urdhëroi tërheqjen e 5.000 ushtarëve amerikanë nga kontinenti evropian, ai deklaroi se synon të dërgojë një numër të ngjashëm trupash në Poloni.
Lini një Përgjigje