Spanja ka evakuuar të gjithë stafin e saj diplomatik nga ambasada në Teheran, ndërsa Irani vazhdon të përballet me sulme ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares, i cili në një mesazh në rrjetet sociale njoftoi se operacioni është përfunduar me sukses.
“Sapo kemi përfunduar me sukses evakuimin e ambasadës spanjolle në Iran”, shkroi Albares.
Sipas tij, ambasadori dhe personeli i fundit esencial që kishte mbetur në Teheran kanë kaluar kufirin drejt Azerbajxhanit, duke përfunduar procesin e largimit të stafit diplomatik nga vendi.
Ministri shtoi se ambasadat e tjera spanjolle në rajon dhe qendra e krizës në Madrid vazhdojnë të funksionojnë 24 orë në ditë, duke ofruar asistencë për qytetarët përmes linjave emergjente.
Ndërkohë, kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez ka kritikuar sulmet e fundit ndaj Iranit, duke theksuar se qëndrimi i qeverisë spanjolle është i qartë: “jo luftës”.
Evakuimi i ambasadës vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa përplasjet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit në rajon.
Lini një Përgjigje