TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Mars 2026, 21:19

“Populli serb është gati...”/ Pas Vuçiç, edhe Dodik në alarm nga aleanca ushtarake Tiranë–Prishtinë–Zagreb

Shkruar nga Pamfleti
“Populli serb është gati...”/ Pas Vuçiç,
Vuçiç-Dodik

Aleanca ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ka shkaktuar reagime të forta në Serbi dhe në Republikën Srpska...

Pas presidentit Aleksandër Vuçiç, edhe Milorad Dodik reagoi i alarmuar, duke paralajmëruar se serbët “dinë të dallojnë rrezikun dhe janë gati të mbrojnë interesat e tyre”. Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë duket se ka shkaktuar shqetësim të madh në Beograd dhe në Banja Lukë.

Pas reagimit të ashpër të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, së fundmi ka reaguar i alarmuar edhe lideri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një kërcënim për Serbinë dhe serbët në rajon.

Dodik deklaroi se aleanca ushtarake mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit dëmton stabilitetin në Bosnje dhe Hercegovinë, duke pretenduar se bashkëpunimi është i drejtuar kundër Serbisë dhe Republikës Srpska.

Çdo manifestim i një koncepti të tillë dhe mbështetja e boshnjakëve dhe kroatëve ndaj një ideje të tillë e shkatërron Bosnjën dhe Hercegovinën copë-copë”, shkroi ai në rrjetin social X.

Reagimi i Dodik vjen vetëm pak ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç shprehu shqetësim për stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ai deklaroi se kjo aleancë nuk është krijuar rastësisht dhe sipas tij është formuar kundër Serbisë.

Nuk e krijuan këtë aleancë kundër Austrisë apo Hungarisë, por kundër Serbisë”, tha Vuçiç, duke paralajmëruar se Beogradi do të forcojë ushtrinë e tij dhe po shqyrton edhe blerjen e avionëve dhe helikopterëve modernë nga Kina.

Ndërsa ne ofruam ekonomi, lidhje dhe stabilitet, të tjerët padyshim zgjodhën grupimin dhe shoqatën ushtarake kundër njëri-tjetrit. Mesazhe të tilla nuk kontribuojnë në besimin në rajon. Megjithatë, populli serb di si t'i dallojë qëllimet dhe rrezikun dhe është gjithmonë i gatshëm të mbrojë interesat e veta”, tha ai.

Marrëveshja e mbrojtjes

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars 2025 në Tiranë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me synimin për të rritur koordinimin ushtarak dhe për të forcuar sigurinë rajonale.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë parashikuar edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake, që do të zhvillohen në Tiranë dhe Zagreb, si pjesë e një memorandumi mirëkuptimi mes tre vendeve.

Ndërsa Tirana, Prishtina dhe Zagrebi e kanë paraqitur këtë bashkëpunim si një hap për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, reagimet e forta nga Beogradi dhe Banja Luka tregojnë se marrëveshja ka krijuar nervozizëm në qarqet politike serbe.

Për analistët, fakti që kjo marrëveshje po shkakton reagime të tilla në Serbi dhe në Republikën Srpska tregon peshën strategjike që po merr bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në arkitekturën e sigurisë në rajon. /Pamfleti

dodik vucic lufte

Lini një Përgjigje