
Dhe përvojat e kaluara si Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, na kanë mësuar vazhdimisht se në një konflikt global, janë të dobëtit ata që sërish vuajnë shumë më tepër se të tjerët.
Ne i vlerësojmë plotësisht gjunjët tanë, vetëm kur ata ndalojnë së funksionuari. E njëjta gjë është e vërtetë për rendin global:përfitimet e tij të mëparshme, bëhen të dukshme vetëm kur ai shembet. Dhe kur kjo gjë ndodh, ata që vuajnë më shumë janë zakonisht më të dobëtit.
Ky ligj i historisë, duhet të jetë në mendjet e udhëheqësve botërorë në prag të samitit të paqes në Ukrainë, që do ta mbahet në Zvicër më 15 qershor. Nëse paqja nuk mund të rivendoset dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla do të vazhdojë të shpërbëhet, rezultatet katastrofike do të ndihen në nivel global.
Sa herë që rregullat ndërkombëtare bëhen të pakuptimta, vendet kërkojnë natyrshëm siguri tek armatimet dhe aleancat ushtarake. Duke pasur parasysh ngjarjet në Ukrainë, a mundet dikush ta fajësojë Poloninë për gati 2-fishimin e buxhetit të ushtrisë, Finlandën për anëtarësimin në NATO apo Arabinë Saudite për një traktat mbrojtjeje me SHBA-në?
Mjerisht, rritja e buxheteve ushtarake, ndodh në kurriz të anëtarëve më të dobët të shoqërisë, pasi paratë devijohen nga shkollat dhe klinikat për tanket dhe raketat. Po ashtu, aleancat ushtarake priren të zgjerojnë pabarazinë. Shtetet e dobëta të mbetura jashtë mburojës së tyre mbrojtëse, bëhen një pre më e lehtë.
Ndërsa blloqet e militarizuara përhapen në mbarë botën, rrugët tregtare bëhen më të pasigurta, tregtia bie dhe janë sërish të varfrit ata që paguajnë koston më të lartë. Dhe ndërsa rriten tensionet midis blloqeve të militarizuara, shtohen edhe shanset që një shkëndijë e vogël në një cep të largët të botës, të përshkallëzohet në një luftë të re botërore.
Meqë aleancat mbështeten tek besueshmëria, edhe një sfidë e vogël në një vend të parëndësishëm, mund të bëhet shkas për shpërthimin e Luftës të Tretë Botërore. Njerëzimi i ka provuar më herët të gjitha këto. Më shumë se 2000 vjet më parë Sun Tzu, Kautilya dhe Thucydides, treguan se si në një botë plot paligjshmëri, kërkimi për siguri i bën më pak të sigurt që të gjithë.
Dhe përvojat e kaluara si Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, na kanë mësuar vazhdimisht se në një konflikt global, janë të dobëtit ata që sërish vuajnë shumë më tepër se të tjerët. Për shembull, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga nivelet më të larta të viktimave ishte në Inditë Lindore Holandeze ose Indonezia e sotme.
Kur në vitin 1939 shpërtheu lufta në Evropën Lindore, ajo dukej një botë shumë e largët për fermerët e orizit në ishullin Java. Por ngjarjet në Poloni, ndezën një reaksion zinxhir që vrau rreth 3.5-4 milionë indonezianë, kryesisht nga uria apo puna e detyruar prej pushtuesve japonezë.
Kjo shifër përbënte 5 për qind të popullsisë indoneziane, më e lartë se e vendeve të mëdha ndërluftuese, përfshirë Shtetet e Bashkuara (0.3 për qind), Britaninë (0.9 për qind) dhe Japoninë (3.9 për qind). Sot situata është potencialisht më serioze se në 1939-ën.
Dhe kjo jo vetëm sepse një luftë bërthamore do të rrezikonte jetën e qindra miliona njerëzve edhe në vendet neutrale. Por njerëzimi gjithashtu përballet me kërcënimet shtesë dhe ekzistenciale të ndryshimeve klimatike apo të nje Inteligjence Artificiale të dalë jashtë kontrollit.
Ndërsa po rriten buxhetet ushtarake, paratë që mund të kishin ndihmuar në zgjidhjen e ngrohjes globale, po nxisin një garë të re globale të armatimeve. Dhe ndërsa intensifikohet konkurrenca ushtarake, zhduket edhe vullneti i mirë i nevojshëm për marrëveshjet mbi ndryshimet klimatike.
Ndërkohë rritja e tensioneve, e shkatërron mundësinë e arritjes së marrëveshjeve për kufizimin e një gare armatimesh bazuar tek Inteligjenca Artificiale. Sidomos lufta me dronë po përparon shumë shpejt, dhe bota mund të shohë tufa dronësh plotësisht autonome që luftojnë njëri-tjetrin në qiellin e Ukrainës, duke vrarë mijëra njerëz në tokë.
Nëse paqja nuk do të arrihet shpejt në Ukrainë, që të gjithë ka të ngjarë të vuajnë, edhe nëse jetojnë mijëra kilometra larg Kievit, dhe mendojnë se lufta s’ka të bëjë me ta. Sigurisht, të bësh paqe nuk është kurrë e lehtë. Thuhet se kombet marshojnë në luftë nga një derë e madhe hambari, por më pas e vetmja dalje është përmes një vrime miu.
Përballë pretendimeve dhe interesave kontradiktore, është e vështirë të fajësosh dhe të gjesh një kompromis të arsyeshëm. Megjithatë, ndërsa luftërat vazhdojnë, ajo ruso-ukrainase është jashtëzakonisht e thjeshtë për t’u zgjidhur. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, pavarësia dhe kufijtë e Ukrainës u njohën botërisht.
Vendi u ndje aq i sigurt, saqë pranoi të hiqte dorë nga arsenali bërthamor që kishte trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, pa kërkuar që Rusia apo fuqitë e tjera të bënin të njëjtën gjë. Në këmbim të këtij akti, në vitin 1994 Rusia (por edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania) nënshkruan Memorandumin e Budapestit, duke premtuar se do të “përmbahej nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike” të Ukrainës.
Ishte një nga aktet më të mëdha të çarmatimit të njëanshëm në histori. Njëzet vjet më vonë, në vitin 2014, nisi lufta ruso-ukrainase kur forcat ruse pushtuan Krimenë dhe nxitën lëvizjet separatiste në Ukrainën Lindore. Luftimet u pakësuan dhe armiqësitë vazhduan në nivele modeste për 8 vitet në vijim, derisa në shkurt 2022 Rusia nisi të sulm të madh që synonte pushtimin e të gjithë Ukrainës.
Rusia ka dhënë arsyetime të ndryshme për veprimet e saj, por kryesisht thotë se po parandalonte një sulm perëndimor ndaj Rusisë. Megjithatë, as në vitin 2014 dhe as në vitin 2022, nuk kishte ndonjë kërcënim të menjëhershëm të një pushtimi të tillë të armatosur. Diskutimet e mjegullta për “imperializmin perëndimor” apo “kulturor”, mund të jenë mjaft të mira për të nxitur debate në ‘Kullat e Fildishta’. Por ato nuk mund të legjitimojnë masakrimin e banorëve të Bucha-s apo rrafshimin e Mariupolit.
Për pjesën më të madhe të historisë, termi “imperializëm” i referohej rasteve kur një shtet i fuqishëm si Roma, Britania apo Rusia cariste, pushtuan territore të huaja dhe i kthyen ato në provinca. Ky lloj imperializmi, u bë gradualisht tabu pas vitit 1945.
Ndërsa pati vërtet luftëra të tjera në fund të shekullit XX-të dhe fillimin e shekullit XXI-të - me konflikte të tmerrshme që po vazhdojnë në Palestinë dhe Izrael, dhe në Sudan, Mianmar dhe gjetkë - deri më tani s’ka pasur raste kur një vend i njohur ndërkombëtarisht të jetë fshirë nga harta për shkak të aneksimit nga një pushtues i fuqishëm.
Kur Iraku u përpoq t’ia bënte këtë Kuvajtit në vitet 1990-91, një koalicion ndërkombëtar rivendosi pavarësinë dhe integritetin e tij territorial. Dhe kur SHBA-ja pushtoi Irakun në vitin 2003, nuk u fol asnjëherë për aneksimin e vendit apo ndonjë pjese të tij.
Ndërkohë Rusia ka aneksuar tashmë jo vetëm Krimenë, por edhe të gjitha territoret që ushtritë e saj mbajnë aktualisht të pushtuara në Ukrainë. Presidenti Vladimir Putin, po ndjek parimin perandorak se çdo territor i pushtuar nga ushtria ruse aneksohet nga shteti rus.
Putin as që është munduar të fshehë qëllimet e tij perandorake. Ai ka deklaruar vazhdimisht, të paktën që nga viti 2005, se rënia e perandorisë sovjetike ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit” dhe ka premtuar ta rindërtojë këtë perandori. Po ashtu, ka theksuar se kombi ukrainas nuk ekziston realisht, dhe se Rusia ka të drejtë historike për të gjithë territorin e Ukrainës.
Nëse ai lejohet të fitojë në Ukrainë, ky lloj imperializmi do të kthehet të dominojë të gjithë botën. E çfarë do ta pengojë më pas për shembull Venezuelën të pushtojë Guajanën, apo Iranin që të pushtojë Emiratet e Bashkuara Arabe? Çfarë do ta pengojë vetë Rusinë të pushtojë Estoninë apo Kazakistanin?
Asnjë kufi dhe asnjë shtet nuk mund të gjente siguri në asgjë, përveç armatimeve dhe aleancave. Nëse thyhet tabuja mbi pushtimet perandorake, atëherë edhe shtetet, pavarësia dhe kufijtë e të cilëve e fituan njohjen ndërkombëtare shumë kohë më parë, do të përballen me një rrezik në rritje të pushtimit, madje edhe të shndërrimit në provinca perandorake.
Natyrisht, si çdo vend, Rusia ka shqetësime legjitime të sigurisë, dhe çdo marrëveshje paqeje duhet t’i marrë parasysh ato. Gjatë shekullit të kaluar, Rusia ka pësuar pushtime të përsëritura që i kushtuan jetën miliona qytetarëve të saj. Rusët meritojnë të ndihen të sigurt dhe të respektuar.
Por asnjë shqetësim i sigurisë nga Moska, s’mund të justifikojë shkatërrimin e kombit ukrainas. Duke pasur parasysh ngjarjet e dekadës së fundit, Ukrainës i duhen qartazi garanci kundër agresionit të ardhshëm rus, madje më të fuqishme se sa Memorandumi i Budapestit ose Marrëveshjet e Minskut të viteve 2014-2015.
Samiti i ardhshëm mbi paqen në Ukrainë, mund të ofrojë mundësinë për të hedhur 2 hapa veçanërisht të rëndësishëm. Së pari, vendet evropiane, disa prej të cilave mund të jenë objektivat e radhës të imperializmit rus, duhet të angazhohen fuqishëm për të mbështetur Ukrainën, pavarësisht se sa zgjat lufta.
Hapi i dytë i rëndësishëm, është një udhëheqje më e madhe nga vendet jo-evropiane. Fuqitë në rritje si Brazili, India, Indonezia dhe Kenia, kritikojnë shpesh fuqitë perëndimore për krimet e dikurshme imperialiste dhe për paaftësinë dhe favorizimin aktual. Vërtet ka shumë për të kritikuar.
Por është më mirë të zësh skenën qendrore dhe të udhëheqësh, sesa të qëndrosh mënjanë dhe të luash lojën e spektatorit. Fuqitë joperëndimore duhet të veprojnë për të mbrojtur rendin ndërkombëtar, jo për të detyruar Perëndimin të bjerë, por për përfitimin e tyre.
Sigurimi i paqes në Ukrainë, do t’i poziciononte liderët si udhërrëfyes globalë, të cilëve mund t’u besohet zgjidhja e konflikteve të tjera, për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për ta drejtuar njerëzimin në shekullin e trazuar XXI.
Shënim: Yuval Noah Harari është historian, filozof dhe autor i librit bestseller “Sapiens”. Harari është pedagog në departamentin e historisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: “The Economist”
Lini një Përgjigje