
Nëse nuk jemi të kujdesshëm, të gjithë rrezikohemi të na përdorin si pikë mbështetje në një lojë të inteligjencës ruse.
Ne vazhdojmë jetën tonë, teksa metodat e luftës hibride, kanë në shënjestër vetë strukturën e shoqërisë, duke i bërë njerëzit paranojakë dhe armiqësorë ndaj njëri-tjetrit, duke e dobësuar shoqërinë përpara një sulmi të mundshëm ushtarak të armikut.
Nga sulmet kibernetike tek ato terroriste
Lufta hibride merr shumë forma:sulme kibernetike, zjarrvënie, luftë psikologjike, sulme terroriste, përdorim i emigrantëve si një armë apo i fermerëve kundër Ukrainës. Lista e taktikave të luftës hibride ruse është e gjatë dhe fatkeqësisht po zgjerohet çdo ditë. Diçka që duket e padëmshme sot, mund të rezultojë nesër të jetë pjesë e një operacioni rus të luftës hibride.
Është lufta në mendjet tona perëndimore, ajo që synon të na bëjë paranojakë, armiqësorë dhe jo të gatshëm për të mbrojtur vendet tona ndaj sulmeve ruse. Ajo ka për qëllim të na bëjë dyshues ndaj njëri-tjetrit dhe të na lodhë me luftën në Ukrainë, e cila do të çojë tek negociatat me Vladimir Putinin.
Lufta hibride mund të na prekë të gjithëve
Ne jemi të gjithë objektiva të luftës hibride. Ndaj duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje asaj që po ndodh rreth nesh, sesa përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë. Duhet të kontrollojnë historinë e atyre me të cilët duam të bëjmë biznes apo hyjmë në një marrëdhënie. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, të gjithë rrezikohemi të na përdorin si pikë mbështetje në një lojë të inteligjencës ruse. Kini parasysh se të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh paranojak. Njerëz në vështirësi ekonomike, po rekrutohen nga shërbimet ruse të sigurisë për të marrë pjesë në operacionet e vëzhgimit.
Dhe nuk ka një mjedis më të favorshëm për rekrutimin e spiunëve dhe operativëve të mundshëm sesa tregu i punës parti-time apo nga distanca, së bashku me një fluks të vazhdueshëm refugjatësh nga vendet e shkatërruara nga lufta, të dëshpëruar për të fituar para për të mbijetuar.
Këta njerëz nuk do të vënë në dyshim identitetin e vërtete të një rekrutuesi të mundshëm. Ata kanë nevojë vetëm për para, pavarësisht nga burimi i tyre. Dhe të tillë po rekrutohen nga shërbimet ruse të sigurisë për të marrë pjesë në operacionet e vëzhgimit, si fotografimi i infrastrukturës më të rëndësishme, linjave hekurudhore dhe aeroporteve që janë kyçe për ndihmën ndaj Ukrainës.
Me shumë gjasa, disa e dinë se po marrin pjesë në një operacion të shërbimit sekret rus - një polak që flet me një theks të rëndë rus, nuk është ai që thotë se është - por të ngrënit është më i rëndësishëm se sa konceptet sublime të patriotizmit apo nderit. Në fakt, ka nga ata që mund të tërhiqen në rrjetin e lojërave të inteligjencës ruse, pa qenë të vetëdijshëm për këtë.
Një ofertë pune shumë e mirë për të qenë e vërtetë
Ne të gjithë kemi dërguar CV në një moment të jetës sonë, duke ofruar vullnetarisht shumë informacione rreth vetes. Një operativ i inteligjencës ruse, mund të përshtatë lehtësisht
një punë ëndrrash për ne. Mjafton vetëm një telefonatë dhe një ftesë për një intervistë pune. Përpara se të nisni ta kuptoni, ju jeni duke punuar për një kompani që është një bazë për një operacion të inteligjencës ruse.
Edhe kur të kapeni, nuk do të jeni në gjendje të zbuloni informacione të dobishme, sepse keni qenë thjesht një pjesë e ingranazhit. Operativët rusë, ka të ngjarë të përdorin njerëz të ndërmjetëm, ndaj ju as që do ta dini se kush ishte në të vërtetë në krye të tij. Kështu ju përfundoni në burg, cilësoheni tradhtar i atdheut, ndërsa rusët vazhdojnë me operacionet e tyre të inteligjencës, duke vënë në shënjestër një tjetër individ që peshkohet lehtë. Jeta ju është shkatërruar.
VIP-at janë gjithmonë në rrezik
Nuk është ndonjë sekret që njerëzit me qasje në media dhe zyrtarët e qeverisë, janë më të rrezikuar për t’u afruar dhe rekrutuar. Ndërsa VIP-at janë tepër të kujdesshëm se cilin lejojnë në rrethin e tyre shoqëror, ka mënyra të thjeshta sesi një operativ rus i inteligjencës mund të ketë qasje tek një gazetar, politikan apo gjyqtar i shquar, pa e bërë atë të duket i dyshimtë. Ndoshta ka një ndërmjetës të besuar, që e prezanton VIP-in me operativin e inteligjencës ruse? Ndërmjetësi ka të ngjarë të mos e dijë se ai ose ajo është tërhequr në lojën e rusëve. Në një kohë kur Ukraina po përballet me një moment kritik në luftën e saj për mbijetesë, ne nuk mund t’i lejojmë propagandistët rusë që të thonë fjalën e fundit.
Memec, delirant apo thjesht një kukull e paguar?
Rasti në fjalë, i takon një gjykatësi polak i kthyer në tradhtar, Tomasz Szmydt. Kohët e fundit ai është arratisur në Bjellorusi. Ish-gjyqtari kishte qasje tek dokumentet sekrete të NATO-s. Motivimet e tij duhet gjurmuar nga shërbimet sekrete polake. Por ka të ngjarë që ai ose nuk është shumë i zgjuar dhe e beson propagandën ruse dhe bjelloruse, ose deluziv dhe ka një vizion të romantizuar për Rusinë ose lindjen në përgjithësi. Ose është një person i paguar si një kukull e regjimit rus ose bjellorus. Mund të jetë përfshirë edhe një grua për t’i bërë shantazh.
Metoda ruse tek ajo që ngjan si çmenduri
Ne duhet ta kuptojmë se ajo që po bën Rusia mund të duket kaotike. Por strategjia e saj e luftës hibride, funksionon në disa nivele në dukje pa lidhje midis tyre si propaganda, celulat terroriste dhe madje edhe diplomatët në OKB, që shpërndajnë të njëjtat marrëzi si propaganduesit rusë. Është një front i bashkuar kundër Perëndimit.
Fakti që ne ndonjëherë inkurajohemi të mos e marrim Rusinë seriozisht si armike, është për mua, një shembull tjetër i luftës hibride ruse, i kryer nga ata që mendojnë mirë dhe mbështesin Ukrainën, por që padashur janë ngatërruar në rrjetën ruse. Edhe një strateg ushtarak fillestar e di se nënvlerësimi i armikut, mund të çojë në pasoja katastrofike dhe humbje të luftës.
Politikanë thellësisht të hutuar
Për t’iu kundërvënë në mënyrë efektive kërcënimit hibrid rus, ne nuk duhet të jemi paranojakë dhe të shohim kudo spiunë rusë. Sepse atëherë luajmë drejt sipas interesave të Rusisë. Zyrtarët e qeverive perëndimore që i tregojnë Rusisë linjat e kuqe perëndimore janë shumë të çoroditur.
Nuk e kuptoj pse zyrtarët e qeverisë perëndimore janë kaq transparentë me Rusinë kur emri i lojës duhet të jetë strategji, vjedhje dhe befasi. Rusët janë dinakë dhe nënvlerësimi i tyre u shërben vetëm interesave ruse. Nëse duam të fitojmë, duhet të fillojmë të bëhemi të paparashikueshëm për Moskën./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje