Presidenti francez vë në vështirësi SHBA, e cila nuk pranon që armët e saj të përdoren për të goditur në territorin rus...
Presidenti francez Emmanuel Macron miratoi përdorimin e raketave “Scalp’ nga ushtria ukrainase kundër objektivave ushtarake në Rusi.
Kjo solli një reagim të ashpër të presidenti rus Vladimir Putin, i cili paralajmëroi Perëndimin se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarrin duke lejuar Ukrainën të përdorë armët dhe të sulmojë territorin rus. Sipas Putin, ky veprim do të ketë pasoja dhe do të nxisë një luftë globale.
Ndërkohë, SHBA-ja heziton të ndërmarrë këtë hap. Një skenar i përdorur jo pak herë, që prej fillimit të pushtimit rus ndaj Ukrainës 27 muaj më parë.
Por këtë herë, drita jeshile që Macron i dha Ukrainës, ka si qëllim fuqizimin e ushtrisë ukrainase për të goditur territorin rus me armë nga vendet perëndimore.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz këtë javë, presidenti francez Emmanuel Macron theu një tabu: Ai i dha miratimin Ukrainës të përdorë raketat franceze Scalp kundër Rusisë, me kusht që ato të vihen nën funksion kundër objektivave ushtarakë që kërcënojnë Ukrainën. Macron kishte përgatitur njoftimin, pasi mbante në dorë një hartë për të ilustruar mendimin e tij.
Deri më tani, vetëm Anglia ka pranuar të ndërmarrë këtë hap, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara refuzojnë të japin miratimin e përdorimit të raketave të veta. Ndërsa sa i përket Gjermanisë, Scholz ka rënë dakord me Macron, por refuzon të furnizojë raketat Taurus të prodhimit gjerman që mund të kryejnë këtë mision.
Preferenca e Putin për luftë hibride
Si në çdo fazë të kësaj lufte, janë përdorur armë të huaja, qoftë edhe me këshilltarë në terren, pa u përmendur lufta hibride. Ky përshkallëzim mund të sjellë pasoja të rënda, pasi Putin ka paralajmëruar NATO-n se shumë shpejt do të ketë luftë.
A është Rusia është nën shënjestrën e armëve franceze?
"Ky përshkallëzim i përhershëm mund të ketë pasoja serioze", tha Putin të martën gjatë një vizite në Uzbekistan.
Megjithatë, ai kurrë nuk ka marrë rrezikun për t'u hakmarrë drejtpërdrejt kundër një vendi të NATO-s, duke preferuar luftërat hibride që nuk janë gjithmonë të dukshme.
Deri më tani, kërcënimi i tij nuk e ka penguar Perëndimin. Ndërsa Macron e konsideron Putin më pak serioz sesa kërcënimi që humbja e Ukrainës do të përbënte për sigurinë evropiane. Kjo është arsyeja kryesore për qëndrimin e ashpër të Macron, edhe nëse duket se SHBA po lëkundet këtë herë.
Biden nën presion
Presidenti i SHBA Joe Biden është prag fushatës dhe nuk dëshiron që tensionet në rritje me Rusinë të favorizojnë sfiduesin e tij republikan, Donald Trump. Biden ndodhet nën presion.
'Uashington Post' publikoi një shkrim të mërkurën nga komandanti i një njësie dronësh të ushtrisë ukrainase Yuriy Fedorenko. Ky i fundit i drejtohej presidentit të SHBA-së dhe përshkruan se si ai pa me dronët e tij, shokët e tij duke u masakruar në rajonin e Kharkiv, pasi ushtrisë ukrainase nuk iu lejua përdorimi i municioneve amerikane drejt territorit rus, nga ku nisën sulmet.
Fedorenko bën thirrje për një ndryshim në politikën e SHBA. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe qeveria polake kanë dhënë mbështetjen e tyre.
Pas tetë ditësh, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Biden do të jenë së bashku në Normandi, për përkujtimin e zbarkimit të Aleatëve në Ditën D më 6 qershor 1944. Kujtimi i një lufte të zhvilluar 80 vite më parë, ndërsa sfida për Zelenskyn është t'i ndryshojë mendjen e Bidenit./ Përshtati: "Pamfleti", Marrë nga: "WorldCrunch"
Lini një Përgjigje