Është mbresëlënës shtrembërimi i fakteve nga ata që i mohojnë Kievit të drejtën për t’u mbrojtur nga një agresor, i cili prej më shumë se 2 vjetësh ka synuar ta shkretojë Ukrainën, duke rrënuar transportin civil, energjinë dhe infrastrukturën shëndetësore.
Fushatës për zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian, i mungoi një diskutim i informuar dhe i sinqertë mbi luftën e nisur nga Vladimir Putin kundër Ukrainës.
Është mbresëlënës shtrembërimi i fakteve nga ata që i mohojnë Kievit të drejtën për t’u mbrojtur nga një agresor, i cili prej më shumë se 2 vjetësh ka synuar ta shkretojë Ukrainën, duke rrënuar transportin civil, energjinë dhe infrastrukturën shëndetësore. Ja cilat janë disa nga argumentet e rreme që përdorin ata:
1. Pretendohet se Putin e nisi “operacionin special ushtarak” kur Ukraina ishte afër anëtarësimit në NATO. E vërteta është se nuk ka pasur asnjë perspektivë për anëtarësimin
e afërt të saj. Propozimi i vitit 2008 nga presidenti Bush u refuzua nga vendet kryesore evropiane Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.
Shkaku i pushtimit rus, ishte perspektiva e afrimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian. Që
në vitin 2014, aspirata e Ukrainës për t’u ribashkuar me Evropën, shkaktoi ndërhyrje të rëndë ruse në çështjet politike të Ukrainës. Putini kërkoi që Kievi të heqë dorë nga marrëveshja e asocimit me Brukselin, dhe të bëhej pjesë e hapësirës ekonomike euroaziatike të dominuar nga Moska.
Përballë refuzimit të Kievit dhe shfaqjes së një “nacionalizmi të ri qytetar ukrainas”, Putin u përgjigj me pushtimin e Krimesë dhe mbështetjen ushtarake për separatistët e Donbasit. Duhet thënë e vërteta:Rusia e Putinit nuk mund të tolerojë zgjerimin e demokracisë në një territor që dikur i përkiste. Frika e vërtetë e Putinit, është se idetë dhe vlerat demokratike evropiane do të depërtojnë në Rusi, dhe do ta dobësojnë pushtetin e tij.
2. Do të doja të ftoja të gjitha ata që pretendojnë se luftojnë për paqen, të marrin parasysh dallimet midis regjimit rus dhe realitetit ukrainas. Ukraina nuk është ende një model i plotë kushtetues, por është një vend me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, me një popullsi kozmopolite që përfshin moldavët, rusët, rusët e bardhë, polakët dhe hebrenjtë.
Ajo është një shoqëri që sheh nga Evropa. Zelensky, i zgjedhur president me 73 për qind të votave të hedhura, kreu në 3 vitet e mandatit të tij reformën mbi pronësinë e tokës, nisi rindërtimin e rrugëve dhe miratoi një legjislacion të fortë anti-oligarkik, që udhëheqja e vendit të mos më gjatë në mëshirën e grupeve të mëdha ekonomike.
Pra Ukraina u bë një kërcënim për Moskën, sepse ishte një simbol i demokratizimit progresiv dhe i një aspirate për t'u bashkuar me komunitetin evropian. Putin, president i Federatës Ruse, që nga viti 2000, e ndryshoi Kushtetutës në vitin 2012 dhe garoi për një mandat të tretë. Ndryshimet e reja në pranverën e vitit 2020, e lejojnë atë të qëndrojë në presidencë për
12 vjet të tjera pas zgjedhjeve të këtij viti.
Sot të gjitha institucionet në Rusi janë nën kontrollin e tij, kundërshtarët gjenden në burg. Ai ka kopjuar metodat e vëzhgimit dhe mbi të gjitha eliminimit fizik të epokës së Stalinit dhe nuk ka asnjë shqetësim për vrasjet e kundërshtarëve, madje edhe jashtë vendit.
3. Në orët e para të 24 shkurtit 2022, kur Putini dha urdhrin për të pushtuar Ukrainën, të gjithë ishin të bindur se trupat ruse do të mbërrinin shpejt në Kiev. Atje një qeveri kukull e gatshme do të pranonte pretendimet territoriale dhe politike të Rusisë.
Në fakt Zelensky dhe lidershipi rreth tij, të shënjestruar nga trupat speciale të hedhura me parashutë në Kiev nga Moska, patën guximin të mos iknin siç iu propozua nga shërbimet sekrete amerikane. Ata qëndruan dhe i dërguan kombit mesazhin, se qeveria nuk ishte në kaos dhe se forcat e armatosura të Ukrainës do të rezistonin.
Ukrainasit shumë të motivuar, i bënë një rezistencë të fortë agresionit. Në ato muaj, për të favorizuar një zgjidhje diplomatike, nuk munguan përpjekjet e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Putinin. Përpjekjet ishin të kota. Sepse synimi i Putinit, ishte ta bënte Ukrainën një “shtet tampon” në kufijtë e saj, një regjim të nënshtruar sipas modelit bjellorus të Lukashenkos.
4. Fushata që synon të kundërshtojë dërgimin e armëve në Kiev për t’i lejuar ukrainasit të mbrohen, sillet rreth tezës se të vetëdijshëm për fuqinë ushtarake ruse, ukrainasit nuk duhet të kishin përdorur kurrë armët për t’u mbrojtur. Sipas tyre, ata duhet të ishin treguar realistë dhe të ishin dorëzuar menjëherë, duke i dhënë Putinit atë që do.
Sepse në çdo rast “presidenti i Rusisë do të marrë atë që do”. Fjalë cinike dhe të turpshme. Dy vjet pas fillimit të agresionit, Rusia nuk e ka thyer rezistencën e popullit ukrainas, pavarësisht kontributit relativisht modest të ndihmës ushtarake perëndimore dhe brutalitetit të sulmuesve, mes të cilëve mercenarë dhe të burgosur të punësuar nga ushtria ruse, përgjegjës për akte brutale ndaj popullatës civile.
Rusia e ka kthyer 1/3 e ekonomisë së saj në luftë, dhe ka 3-fishuar shpenzimet e saj për armë. Por jo vetëm kaq. Teokracia shiite e Teheranit dhe Koreja e Veriut, po luajnë tani një rol kyç në luftë duke e furnizuar ushtrinë ruse me armë dhe municione. Përballë gjithë kësaj, përpjekja e Perëndimit duket e ngadaltë dhe e pakoordinuar.
Kievi ka marrë më pak municione artilerie nga të gjitha vendet e BE-së së bashku, se sa diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un i ka dërguar Putinit muajt e fundit. Qëndrueshmëria e Ukrainës nuk mund të merret si e mirëqenë pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Cilido që synon të luftojë për një paqe të drejtë, duhet t’i marrë parasysh të gjitha këto.
5. Dhe vijmë tek mosmarrëveshja rreth deklaratës së Jens Stoltenberg. Sekretari i NATO-s i ftoi vendet anëtare të rishqyrtojnë kufizimet në përdorimin e armëve që i dërgojnë Ukrainës, duke pasur parasysh se në disa sektorë të një fronti 1200 kilometra të gjatë, rusët janë në gjendje të godasin qytetin Kharkiv direkt nga territori që zotërojnë në rajon, si dhe qendrat jetike të mbrojtjes dhe infrastrukturës ukrainase.
Ndërkohë, ukrainasit nuk mund të reagojnë duke përdorur armët e marra nga aleatët e tyre, për të goditur objektivat legjitime ushtarake përtej kufirit. Është e qartë se pa këtë mundësi, mbrojtja ukrainase nuk mund të rezistojë gjatë.
6. Si mund t’i jepet fund luftës? Rruga duhet të jetë ajo e negociatave që synojnë një kompromis të nderuar, dhe jo një shpërblim për agresorin. Por Putin ka përjashtuar çdo lloj negociate. Ai aneksoi territore që nuk ishin të tijat me farsën e referendumeve, dhe s’ka ndërmend të heqë dorë prej tyre. Ai do vetëm humbjen dhe dorëzimin e Ukrainës. Ky është realiteti.
7. Duhet të jemi seriozë, dhe këtë e kërkon lufta. Në rast se besoni se armët nuk duhet të dërgohen më në Ukrainë, nëse argumentoni se Ukraina s’ka të drejtë të përdorë armët që merr nga SHBA-ja dhe vendet evropiane për të goditur objektivat ushtarake në territorin rus afër kufirit, kjo do të thotë se e vetmja rrugë që u ka mbetur ukrainasve është t’i dorëzohen agresorit.
Në atë rast nuk do të kishte negociata, por vetëm humbje. A është kjo ajo që dëshironi? Si nuk e kuptoni se një negocim është i mundur, vetëm nëse Ukraina qëndron në këmbë dhe tregon se di të mbrohet? Sot synimi i Putin është të fitojë kohë. Autokrati rus pret “lodhjen e Perëndimit dhe fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Atëherë ai mund t’i japë fund luftës sipas kushteve të veta, dhe të shohë të përmbushur objektivin e ndjekur më kot për dekada nga Bashkimi Sovjetik:prishjen e marrëdhënieve midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ndaj ne duhet të mbështesim ukrainasit dhe të lejojmë që rezistenca e tyre të vazhdojë dhe nxisë Putinin të negociojë.
8. Disa konsiderata përfundimtare. Me pushtimin e Ukrainës, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, një fuqi bërthamore sulmon ushtarakisht një fqinj më të dobët dhe anekson 20 për qind të territorit të tij. Me këtë luftë Rusia ka shkelur Memorandumit e Budapestit të vitit 1994, përmes të cilit Ukraina i dorëzoi Federatës Ruse arsenalin e madhe bërthamor prej 2400 armësh, në këmbim të garancisë se kufijtë e saj do të respektoheshin gjithmonë nga Rusia!
Marrëveshja u rikonfirmua në vitin 2009. Por Putini nuk do t’ia dijë për asgjë nga këto. Kremlini do të shkelë hapur sovranitetin e Ukrainës dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Mbetet të shpresohet që klasat sunduese të Perëndimit të mos i injorojnë pasojat që do të kishte fitorja e Putinit./ Marrë nga “Huffington Post”, përshtati "Pamfleti".
Lini një Përgjigje