
Rritja e dhunës politike, e kombinuar me një peizazh partiak që po ndryshon me shpejtësi, dhe në të cilin një forcë e krahut të djathtë po shfaqet si një lojtar kryesor, i kujton shumë gjermanëve vitet 1920-1930.
Muajt e fundit kam qenë sa në Gjermani aq edhe jashtë saj, dhe e kam të vështirë të mos krijoj përshtypjen se shoqëria gjermane është duke u shpërbërë. Kudo që të shkosh, sheh tubime politike dhe protesta në rrugë plot mllef dhe zemërim. Mediat janë plot me lajme mbi sulme të dhunshme ndaj politikanëve dhe aktivistëve.
Gati 8 dekada pas rënies së regjimit nazist, ka një frikë të madhe për një ringjallje e ndjenjave të ekstremit të djathtë. Koncepti i ankthit irracional gjerman, është bërë paksa klishe me kalimin e viteve. Por këtë herë, kërcënimet ndaj kohezionit social janë shumë reale.
Incidenti i fundit që tronditi vendin, ndodhi të premten, kur një aktivist u godit me thikë në fytyrë në mes të ditës. Michael Stürzenberger i grupit anti-islamik Lëvizja Qytetare Pax Europa, ishte gati të fliste në tregun e qytetit jugperëndimor Mannheim kur u sulmua. Kalimtarët e rastit dhe policia ndërhynë menjëherë. Por agresori u drejtua edhe ndaj tyre, duke vrarë një polic dhe plagosur pesë të tjerë. Brutaliteti absolut i këtij sulmit në mes të një qyteti gjerman, mjafton që të mahnitë njerëzit, por ai pason një valë sulmesh kundër politikanëve dhe aktivistëve.
Vetëm vitin e kaluar, ka pasur 3691 vepra kundër zyrtarëve dhe përfaqësuesve të partive, 80 prej të cilave kanë qenë të dhunshme. Këtë vit, kjo dukuri shkaktoi një debat të madh kur socialdemokrati Matthias Ecke u sulmua nga 4 burra në qytetin e Drezdenit në fillim të majit, duke marrë plagë në fytyrë, që cilat e detyruan t’i nënshtrohej një operacioni.
Disa ditë më vonë, Senatorja e Berlinit për Çështjet Ekonomike Franziska Giffey u plagos kur u sulmua nga pas dhe u godit në kokë dhe qafë me një “çantë të mbushur me objekte të forta” raportoi policia. Kjo seri sulmesh ndaj politikanëve dhe aktivistëve, ngjall një frikë akoma më të gjerë rreth gjendjes së rendit të pasluftës në Gjermani.
Jo shumë kohë më parë, vendi gëzonte reputacionin e njërës prej demokracive më të qëndrueshme në botë. Gjermania Perëndimore u distancua nga nazizmi me nivele të ulëta të kriminalitetit. Një “mrekulli ekonomike” nisi në vitet 1950, dhe dy parti të mëdha ishin në gjendje të mbulonin shumicën e nevojave të votuesve.
Pavarësisht përfaqësimit proporcional, socialdemokratët dhe kristiandemokratët, ndanë mbi 70 për qind të votave midis tyre nga viti 1953 deri në vitin 2005. Tani sondazhet sugjerojnë se ata tani po shkojnë drejt një niveli rekord të ulët prej 46 për qind, dhe se Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë) është partia e dytë më e preferuar në shumë sondazhe.
Rritja e dhunës politike, e kombinuar me një peizazh partiak që po ndryshon me shpejtësi, dhe në të cilin një forcë e krahut të djathtë po shfaqet si një lojtar kryesor, i kujton shumë gjermanëve vitet 1920-1930. Politikanët dhe votuesit e AfD-së, janë quajtur prej kohësh “nazistë” nga kundërshtarët e tyre
Por tani një valë e re skandalesh, ka ngjallur frikën se ndjenjat e ekstremit të djathtë, mund të jenë më të ngulitura sesa sugjerojnë sondazhet politike. Gjatë muajve të fundit, janë shfaqur video të njerëzve që këndojnë slogane naziste tekstin e festës “L’amour Toujours” të vitit 1999 nga DJ italian Gigi D’Agostino.
Në tetor të vitit të kaluar, të rinjtë kënduan “Gjermania për gjermanët, jashtë të huajt!” (Deutschland den Deutschen, Ausländer raus) në festivalin e të korrave në landin verilindor Mecklenburg-Vorpommern. Ajo video u postua në rrjetet sociale dhe u kthye në një tendencë shumë popullore.
Raste të tjera janë të raportuara në polici në mbarë vendin. Më pas, kjo këngë u bë edhe më e famshme kur një grup argëtuesish në një bar ekskluziv në ishullin Sylt, filmuan veten duke kënduar versionin “të huajt jashtë”. Një burrë u pa duke bërë përshëndetje alla Hitler, dhe duke imituar mustaqet e diktatorit me dy gishtat e tij.
Pamjet u bënë sërish virale në rrjetet sociale dhe media, politikanët dhe figurat publike në Gjermani e sulmuan grupin në fjalë, duke i etiketuar si “nazistët e shampanjës”. Në një incident tjetër, nxënësit e një shkollës private në Louisenlund në Gjermaninë Veriore, u kapën duke bërë të njëjtën gjë në një festë në shkollë.
Një shpërfillje e tillë flagrante ndaj tabuve të pasluftës nga anëtarët e elitës së pasur, ka nxitur dyshime shqetësuese mbi idenë se kjo qasje është vetëm e njerëzve të zakonshëm. Shqetësimi i madh mbi stabilitetin e konsensusit të pasluftës, ishte shumë i dukshëm kur kushtetuta gjermane festoi ditëlindjen e saj të 75-të javën e kaluar.
Politikanët dhe figurat publike u përpoqën të krijonin një atmosferë festive, duke pasur parasysh liritë që kushtetuta u garantonte gjermano-perëndimorëve që nga viti 1949, dhe të gjithë gjermanëve pas ribashkimit në 1990. Në fakt kishte më shumë dyshime sesa optimizëm.
Madje, revista politike Der Spiegel doli me një kopertinë, në të cilën flamuri gjerman ishte i mbështjellë mbi një Svastika (kryqi i thyer që përdori dikur Hitleri) nën titullin “A mos vallë nuk kemi mësuar asgjë?”. Paniku i madh moral, ka shkaktuar një sërë reagimesh të bujshme. Detajet e të pranishmëve në koncertin Sylt u publikuan në internet, duke çuar në humbjen e vendeve të punës dhe sulme ndaj familjeve të tyre. Kënga e Gigi D’Agostinos do të ndalohet nga Oktoberfest, por edhe në një numër ngjarjesh të ngjashme në mbarë vendin.
Politikanët e shquar, po e shtrojnë presion për nxjerrjen jashtë ligjit të AfD-së. Dhuna politike duhet të luftohet me dhënien e dënimeve më të ashpra, sidomos për sulmet ndaj politikanëve.
Por kjo nuk ka gjasa të bëjë gjë tjetër veçse të provokojë një reagim të ashpër. Kënga “L’amour Toujours”, është shkarkuar shumë kohët e fundit në internet.
Shumë votues që i janë drejtuar AfD-së, pasi ata ndihen të lënë pas dore nga partitë politike tradicionale, do të ndihen të konfirmuar nëse AfD ndalohet me ligj. Sulmuesit e dhunshëm, siç ishte personi që goditi me thikë aktivistin anti-islamik të premten e kaluar, nuk do të frenohen nga një dënim më i ashpër.
Vetëm ndalimi i gjërave, nuk ka për ta ndalur këtë erozion social. Gjermania ka pësuar ndryshime të mëdha sociale gjatë viteve të fundit me emigracionin masiv, pandeminë e Covid-19 dhe pasigurinë ekonomike, duke u rrudhur nën ndjenjën e saj të brishtë të stabilitetit dhe kohezionit. Në vend se të përpiqen të ndalin simptomat e këtij shkatërrimi të ndjenjës së sigurisë, politikanët duhet të mendojnë për shkaqet e tyre. Ajo që Gjermanisë i duhet tani nuk është zemërimi moral, por një pragmatizëm i nivelit të lartë./ Përshtati "Pamfleti", Nga: Katja Hoyer “The Spectator”
Shënim:Katja Hoyer, është një historiane anglo-gjermane. Libri i saj i fundit titullohet “Përtej Murit:Gjermania Lindore, 1949-1990”.
Lini një Përgjigje